Shkaqet që shpëtojnë nga sprova e grave (nxjerr nga surja Jusuf)

Shkaqet që shpëtojnë nga sprova e grave (nxjerrë nga surja Jusuf)

 

  1. Të kërkojë mbrojtje tek Allahu. Allahu thotë: “Kush mbahet fort pas (fesë së) Allahut, sigurisht që është i drejtuar në udhë të mbarë.” Ali Imran 101. Kur gruaja e Azizit e ftoi Jusufin alejhi ue selem të bëjë imoralitet me të, gjëja e parë që ka bërë ai ka qenë kërkimi i mbrojtjes tek Allahu, ka thënë: “Allahu më ruajttë!” Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu është fortifikata e pamposhtur që e mbron muslimanin prej të gjitha sprovave dhe të këqijave, me të gjitha format e tyre, e sidomos në këtë temë që po flasim.

 

  1. Të kujtojë se rënia në këtë sprovë është padrejtësi e madhe. Muslimani nuk dëshiron që kjo gjë të ndodhë në familjen e tij. Për këtë, Jusufi menjëherë ia ka kujtuar këtë gjë vetes e ka thënë: “…keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”. Jusuf 23. Një i ri erdhi te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i kërkon t’ia lejojë të veprojë imoralitet. E Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e këshillon në mënyrën më të mirë dhe e pyet: “A e dëshiron këtë gjë për nënën tënde? Për vajzën tënde? Për motrën tënde? Për hallën tënde? Për tezen tënde?” Pas të gjitha këtyre pyetje thotë: “Jo.” Atëherë i thotë: “Kështu dhe njerëzit e tjerë nuk dëshirojnë një gjë të tillë për nënat e tyre, vajzat e tyre, motrat e tyre, hallat e tyre dhe tezet e tyre.” Kjo gjë do të ishte një padrejtësi e madhe.

 

  1. Të punojë në forcimin e besimit. Besimi është mburojë që e ruan njeriun dhe e shpëton prej fitneve. Allahu tregon për Jusufin: “Ajo e dëshiroi atë; por edhe Jusufi do ta kishte dëshiruar atë, sikur të mos kishte parë provën e Zotit të vet.” Jusuf 24. Sipas interpretimit më të saktë të dijetarëve, qëllimi me provën e përmendur këtu, është prova që e ka pasur në zemrën e tij, që është: dija dhe besimi. Besimi në Allahun pengon dhe frenon të mos biesh në mëkate. Kur njeriun beson Allahun, me këtë e di se Ai është duke e parë atë, e di të brendshmen dhe të jashtmen e tij, Atij nuk i fshihet asgjë. Nëse besimtari e ka këtë besim në zemër dhe ia kujton vetes në çastet e rrezikut të rënies në sprovë, atëherë do të ketë turp prej Allahut ta shohë në këtë vepër (imoralitet), të cilën Ai nuk e dëshiron, dhe rrjedhimisht e frenon veten përballë atij mëkati.

 

  1. Të mundohet ta realizojë sinqeritetin (ikhlas-in). Sinqeriteti është shkak për ruajtjen dhe shpëtimin e njeriut prej sprovave, belave dhe të këqijave. Allahu thotë për Jusufin: “Kështu e larguam nga e keqja dhe vepra e shëmtuar, sepse ai, në të vërtetë, ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” Ajeti 24. Ai që është i sinqertë me zemrën e tij në raport me Allahun, atëherë epshet e ndaluara, imoraliteti, veprat e shëmtuara dhe kënaqësitë e ndaluara, nuk gjejnë rrugë të depërtojnë në zemrën e tij. Andaj, rrjedhimisht, kur ka mundësinë të bie në këto, me lejen e Allahut ruhet dhe nuk bie në to.

 

  1. Të ikë prej sprovës së tillë. Kjo sidomos kur ekzistojnë dhe i vijnë shkaqet dhe faktorët që e shtyjnë të bie në të. Jusufi kur e gjeti veten para kësaj fitne të vështirë (për të cilën po diskutojmë) ka ikur dhe është drejtuar kah dera, “Që të dy vrapuan nga dera…” Ajeti 25. Jusufi vrapoi për të ikur, për të shpëtuar veten; ndërsa gruaja e Azizit vrapoi për ta penguar dhe ndalë atë. Kështu duhet të jetë besimtari i cili e adhuron Allahun sinqerisht, ai nuk duhet të hedhë hapat e tij drejt fitnes (sprovës) duke ndërmarrë veprime që çojnë në rënien në të. Por, nëse ndodhë që t’i afrohet apo të bie në të, pa dëshirën e tij, atëherë duhet të ikë dhe të arratiset nga kjo sprovë. Nuk duhet ekspozuar veten para atyre gjërave të cilat mund të çojnë drejt rënies në këto fitne, por duhet të ikë prej tyre e të shpëtojë veten e tij.

 

  1. Të mundohet të mbrohet nga fitneja. Kur gruan e Azizit e patën qortuar gratë e tjera se pse e ka joshur e provokuar Jufusin, ajo ua jep nga një frutë dhe thikë, pastaj ato kur e panë bukurinë e Jusufit u mahniten dhe prenë gishtat e tyre pa e ndjerë këtë, e ndërsa ajo thotë: “…ky është ai për të cilin ju më qortuat. Jam përpjekur ta josh, por ai është mbrojtur nga gjynahu.” Ajeti 32. Me fjalën “është mbrojtur” qëllimi është për forcën të cilën njeriu e ka në shpirtin e tij, që e pengon, e ndalon dhe e qorton, dhe që merr të gjitha shkaqet për të shpëtuar prej kësaj fitneje. Kështu ka qenë Jusufi alejhi ue selem.

Kur njerëzit ballafaqohen me fitne ndahen në dy grupe:

  1. Ata që mbrojnë veten, siç thamë japin mundin e tyre dhe veprojnë shkaqet për t’u mbrojtur.
  2. Ata që dorëzohen.

 

  1. Të jetë këmbëngulës në lutjen drejtuar Allahut, sinqerisht, për ta ruajtur prej fitneve të tilla. Ai që e lut Allahun me sinqeritet, patjetër do të ketë përgjigje. Jusufi alejhi ue selem pasi është kërcënuar që ose të pranojë atë gjë që i afrohet ose burgosjen për kohë të gjatë, ai ka kërkuar mbrojtje e shpëtim prej Allahut, ka thënë: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato. Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua). Dhe Zoti e plotësoi lutjen e tij dhe e shmangu nga dredhitë e tyre. Me të vërtetë, Ai dëgjon dhe di çdo gjë.” Jusuf 33-34.

 

Në fund të sures, Allahu përmend dy virtyte madhështore të Profetit Jusuf, të cilat kanë qenë shkak që gjatë rrugëtimit të tij, prej fillimit të historisë e deri në fund, ai të dalë i shpëtuar prej çdo fitne/sprove, “Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve”. Ajeti 90. Jusufi ka bërë bashkë mes devotshmërisë (frikës ndaj Allahut) dhe durimit. Nëse njeriu ka këto dy cilësi, me lejen e Allahut do të mbrohet prej çdo fitneje dhe shkatërrimi.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Dersi “Shkaqet që shpëtojnë nga sprova e grave” – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit