Shpërthimet që ndodhin në emër të Islamit, a janë në pajtim me këtë fe?

Shpërthimet që ndodhin në emër të Islamit, a janë në pajtim me këtë fe?

Për këtë gjë kanë folur dijetarët e mëdhenj të Islamit, elhamdulilah, dhe kanë sqaruar në të gjithë botën se veprimet që bëhen në emër të Islamit nuk e përfaqësojnë Islamin e vërtetë dhe nuk janë prej fesë të cilën e ka zbritur Allahu te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, ngase në to ka cenim dhe derdhje të gjakut të njerëzve të pafajshëm. Islami e ndalon këtë gjë. Islami e respekton dhe e ruan gjakun e pafajshëm. Këto veprime nuk ndodhin vetëm në botën perëndimore, por edhe në atë lindore. Pastaj, këta që i veprojnë këto shpërthime shpeshherë janë banorë të atyre vendeve, qoftë të përhershëm apo që iu është dhënë azil (vizë, leje). Feja jonë Islame na mëson se besimtari duhet t’u përmbahet kushteve të marrëveshjes. Dijetarët thonë se në momentin që të jepet vizë për të shkuar në një vend, ti ke bërë marrëveshje me të se do t’u përmbahesh rregullave dhe rendit të tij. Nuk lejohet prishja e rendit. Nëse ti vepron diçka në kundërshtim me këtë, ke bërë tradhti. E myslimani nuk bën tradhti. Tradhtia është cilësi e dyfytyrëshave (mynafikëve). Nga këndvështrimi islam dijetarët kanë sqaruar se shpërthimet nuk kanë të bëjnë fare me Islamin e pastër. Myslimanët gjithmonë janë njohur si njerëz besnikë. Kur kanë hyrë në një vend i janë përmbajtur marrëveshjes me të tjerët. Në shumë vende në botë, Islami është përhapur përmes tregtarëve (si: në Indonezi, Malajzi), duke e parë të tjerët besnikërinë e tyre, se nuk tradhtojnë. Kurse sot myslimani është bërë sinonim i së keqes, tradhtisë dhe i pasigurisë. Shikohet me sy të dyshimtë (thonë: “Kur po çohet ky të na bëj ndonjë të keqe!”). E gjithë kjo është si rezultat i atyre personave që bëjnë veprime shpërthyese, të cilët pa dyshim janë njerëz të devijuar, jo në rrugën e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, dhe të cilët ia kanë prishur imazhin Islamit dhe muslimanëve. Mund të sjellim një krahasim shumë të thjeshtë. Para se të fillojnë veprimet e këtyre njerëzve, myslimani është parë si njeri i besueshëm, i mirë, jo tradhtar, jo hajdut etj. Njerëzit veçse kanë filluar të kuptojnë se nuk janë krejt myslimanët të atillë sikurse ata. Mirëpo, shumica e tyre mendojnë se po të tillët e përfaqësojnë Islamin dhe se muslimanët janë të këtillë. Pasi kanë nisur këto veprime  (vrasëse) është parë se sa shumë është prishur imazhi i Islamit dhe i myslimanëve. Ata këto veprime i bazojnë në mendjet e tyre, jo në argumente, devijim, ky është keqinterpretim i Islamit dhe mendojnë se janë duke vepruar diçka të shenjtë për fenë Islame. Vetëvrasja është e ndaluar në Islam, me tekst prej Kuranit dhe sunetit. Nuk kanë ku të bazohen për këtë. Këta e mbysin vetveten. Vetëvrasja është prej mëkateve të mëdha. Madje shejkh Albani rahimehullah thotë se ka prej tyre që vdesin si jobesimtarë. Nuk i quan jobesimtarë, por dyshon për këtë. Pse? Sepse këta i bëjnë shpërthimet e vetëvrasjet për shkak se e kanë humbur shpresën në mëshirën dhe ndihmën prej Allahut, dhe mendojnë se vetëm kjo është mënyra për t’iu hakmarrë armiqve. Humbja e shpresës në mëshirën e Allahut është prej mëkateve të mëdha, mundet njeriu të bie në kufër, sidomos kur një veprim të tillë e ndërmerr nga humbja e shpresës në mëshirën dhe ndihmën e Allahut, kjo është rrezik që njeriu të dalë prej fesë. Prandaj dhe shejkh Albani thotë se dyshon se këta mund të vdesin si jobesimtarë, e jo se kanë shpërblim për atë vepër. Problemi kryesor është se shpjegimet e dijetarëve e hoxhallarëve që kanë folur vazhdimisht kundër këtyre shpërthimeve dhe këtyre individëve, nuk përmenden nëpër media. Të gjithë dijetarët e mëdhenj janë kundër, mirëpo nuk përmenden fjalët e tyre.  Kuptohet se mediat këtë e bëjnë me qëllim, që të mos kenë njerëzit kontakt me Islamin e pastër, burimor, porse të mbetet mendimi “Islami është fe e dhunës, e shkatërrimit etj.” Ne e dimë se myslimanët gjithmonë kanë dhënë shembull se sa mirë kanë jetuar me ata që janë të feve të tjera, p.sh. në Andaluzi, sa e kanë pasur myslimanët udhëheqjen, është jetuar në paqe, dhe askush nuk e ka penguar dhe vrarë tjetrin pse është i një feje tjetër. Kur kanë ardhur pastaj në fuqi të krishterët, i kanë vrarë myslimanët, ose i kanë detyruar të bëhen të krishterë me forcë, ose i kanë dëbuar, pa pasur tjetër zgjidhje.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit