Shpjegim i ajetit: “Nënat le t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet, për ata prindër që duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit”

Shejh AbdulAziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë)

http://binbaz.org.sa/mat/9052

 

Pyetje: Dëshiroj të ma shpjegoni e këtë ajet: “Nënat le t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet, për ata që duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit.” (El-Bekare, 233). Si të veprojë nëna që ka dëshirë ta plotësojë dhënien e gjirit, dhe në të njëjtën kohë, nuk do që të mbetet shtatzënë? Shpresoj të ma sqaroni këtë, sepse është një çështje tejet e rëndësishme në jetën time, dhe e rëndë për mua, nëse shtatzënia është e vazhdueshme!

Përgjigje: Gruaja dhe burri duhet të ndihmohen mes vete rreth kësaj çështjeje. Kështu, ajo i jep gji fëmijës dy vjet të plota, nëse ata dy duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit. Ndërkaq, nëse merret vesh me burrin për të mos e plotësuar atë, por për ta ndarë fëmijën nga gjiri dhe për t’i dhënë qumësht nga ndonjë mëndeshë, apo për t’ia dhënë atë që e zëvendëson qumështin, atëherë s’ka gjë të keqe në këtë. Allahu i patëmeta thotë: Por, nëse pas këshillimit, ata vendosin me pëlqim të ndërsjellë që ta ndajnë fëmijën nga gjiri, kjo nuk është gjynah për ata.” (El-Bekare, 233). Pra, nëse prindërit bien në ujdi për ta ndarë fëmijën nga gjiri pas një viti, apo pas disa muajve, atëherë s’ka gjë të keqe, mirëpo, në të njëjtën kohë e ushqejnë me gjëra tjera. Ndërsa, nëse ata vendosin me pëlqim të ndërsjellë që të mos e ndërpresin dhënien e gjirit, atëherë, gruaja i jep gji fëmijës dy vjet të plota. Ndërkohë, burrit i lejohet që të mos e hedhë farën brenda saj, në mënyrë që të mos ngelet shtatzënë, dhe, po ashtu, asaj i lejohet të përdor pilula për të parandaluar shtatzëninë gjatë kohës sa është duke dhënë gji; s’ka gjë të keqe në këtë nëse ato (pilulat) nuk i shkaktojnë ndonjë dëm. Kjo është një çështje e gjerë, lavdi dhe falënderimi qofshin për Allahun!

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit