Shpjegimi i sures El-Uâki'a – pjesa e katërt

Shejh Muhamed bin Salih El-Uthejmin (Allahu e mëshiroftë)

www.ibnothaimeen.com

Më tej, Allahu i Lartësuar tha:

57. Ne ju krijuam – e pse nuk e pranoni të vërtetën?

Kjo është një çështje që askush nuk e konteston: do të thotë se Allahu është Krijuesi ynë. Bile edhe idhujtarët, të cilët adhurojnë të tjerë krahas Allahut, kur të pyetën: “Kush ju krijoi?” ata përgjigjen: “Allahu”. “Ne ju krijuam” do të thotë: herën e parë, “e pse nuk e pranoni të vërtetën?” se do të riktheheni herën e dytë. Pra, pasi që ata besojnë se Ai, i Cili i krijoi herën e parë është Allahu, e kanë detyrë, po ashtu, të besojnë në përsëritjen e krijimit. Kjo ngaqë Ai i Cili është i fuqishëm të krijojë herën e parë, është më parësore që të ketë fuqi ta rikthejë krijimin. Ashtu siç thotë i Lartësuari: “Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë.” (Er-Rûm, 27). Dhe thotë: “Dhe se Atij i takon krijimi tjetër.” (En-Nexhm, 47).

Më tej, Allahu i Lartësuar solli si shembuj gjërat në të cilat është ekzistenca, jetesa dhe kënaqësia jonë. Ai tha:

58. A e keni parë farën (lëngun) që e hidhni?

59. A jeni ju që e krijoni atë apo jemi Ne krijuesit e saj?

Do të thotë: më tregoni për spermën e cila del nga ju: a jeni ju që e krijoni atë apo Allahu? Përgjigja: Allahu i Madhërishëm është Ai që e krijon atë, dhe kështu ajo del ndërmjet shtyllës kurrizore dhe brinjëve. Po ashtu Allahu është Ai që e krijon atë në mitër, krijim pas krijimi (fazë pas faze). Pra, ne nuk e shpikim këtë spermë dhe nuk e formojmë/zhvillojmë atë në mitër, përkundrazi, kjo i përket Allahut Fuqiplotë. “A jeni ju që e krijoni atë apo jemi Ne krijuesit e saj?” Përgjigjja: “Përkundrazi, je Ti o Zoti ynë.”

60. Ne e caktojmë vdekjen tuaj

Ashtu siç thotë Allahu: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen” (Al I’mrân, 185 dhe El-Enbijâ, 35). Patjetër, qoftë edhe profetët dhe të dërguarit (alejhimus-salâtu ues-selâm). Allahu i Lartësuar thotë: “Para teje (Muhamed), Ne nuk e kemi bërë asnjë të pavdekshëm. Nëse ti vdes, a do të mbesin ata të përjetshëm?!” (El-Enbijâ, 35).

“…dhe askush nuk mund të na pengojë

61. që t’jua ndryshojmë trajtën dhe t’ju rikrijojmë ashtu si nuk e dini (në Ditën e Ringjalljes).

Pra, askush s’mundet dot të na e tejkalojë e të na pengojë që t’jua ndryshojmë trajtën, përkundrazi, Ne jemi të fuqishëm për një gjë të tillë. Allahu Fuqimadh do t’i ndryshojë trajtat tona, do të thotë, do të na krijojë në forma të tjera, dhe atë në Ditën e Kiametit.

62. Sigurisht, ju e dini krijimin e parë (prej një pike fare), atëherë përse nuk mendoni?!

Pra, ju u krijuat (zutë fill) në barqet e nënave tuaja, dhe pastaj, Allahu i Madhërishëm u nxori nga hiqi. “atëherë përse nuk mendoni?!”. Pra, përse nuk mendoni e nuk merrni mësim. Ky është një argument logjik që Allahu i Lartësuar ua parashtron robërve të Vet. Dhe kuptimi i tij është se, Ne u kemi krijuar fillimisht, dhe, pasi që është kështu, atëherë, askush nuk mundet të na pengojë t’ju rikrijojmë herën e dytë.

63. A shihni atë që mbillni?

64. Vallë, ju e bëni atë që të mbijë apo jemi Ne rritësit e saj?

Domethënë, o mohues të ringjalljes, më tregoni për atë që e mbillni: a ju e bëni atë që të mbijë pasi që ishte kokërr, apo Ne jemi rritësit e saj? Përgjigjja: “Përkundrazi, je Ti o Zoti ynë, Ai që e mbinë atë derisa të bëhet bimë.” Ashtu siç thotë i Madhërishmi: “Me të vërtetë, Allahu është Ai që farën dhe bërthamën e bën të mugullojë (shpërthejë).” (El-En’am, 95). Pra, askush tjetër përveç Allahut, nuk mundet ta shpërthejë kokrrën, në mënyrë që të bëhet bimë, e as bërthamën, në mënyrë që të bëhet pallmë (pemë).

65. Nëse duam, Ne e lëmë fyçkë dhe ju do të mbeteni të lënë në habi

Allahu i Lartësuar nuk tha: Nëse duam, Ne nuk e nxjerrim atë nga toka, por tha: “e lëmë fyçkë”, do të thotë, pasi të mbijë e të bëhet bimë, dhe shpirtrat të lidhen pas saj, Allahu e bën fyçkë. Kjo e bën edhe më të rëndë pikëllimin dhe dhimbjen, ngaqë, shpirtrat nuk lidhen pas diçkaje që ende s’ka dalë. E, kur të del nga toka dhe të bëhet bimë, dhe pastaj Allahu ta godasë me ndonjë sëmundje e të mbetet fyçkë, atëherë, pikëllimi do të jetë më i madh. “dhe ju do të mbeteni të lënë në habi” dhe do të mundoheni që përmes fjalëve ta largoni pikëllimin prej vetes, dhe thoni:

66. “Ne jemi të dëmtuar,

Do të thotë, kemi pësuar humbje në këtë bimë e cila u shndërrua në fyçkë. Pastaj filloni e thoni:

67. madje jemi krejt të privuar (nga furnizimi)!”

Domethënë, u privuam prej kësaj bime, e cila u bë fyçkë dha na humbi. Më tutje, Allahu i Lartësuar e zhvendosi temën tek një lëndë krejt tjetër, e cila është baza e jetës, pra uji, dhe tha:

68. A e shihni ujin që pini?

D.m.th. më tregoni se kush e krijoi dhe shpiku atë?

69. Vallë, ju e zbrisni atë prej reve apo Ne e zbresim?

Përgjigjja: “Përkundrazi, je Ti o Zoti ynë.” Ngaqë Allahu i Madhërishëm është Ai që na i dërgon retë dhe prej tyre pastaj zbret shiu. Një pjesë e tij mbetet mbi sipërfaqen e tokës, ndërsa atë që e thithë toka, Allahu e bën të burojë, të nxirret nga bunarët dhe të rrjedhë nëpër burime. Pra, zanafilla e ujit që e pimë është tek retë. Për këtë arsye, kur të pakësohen reshjet e shiut në ndonjë vend, pakësohet e shteret edhe uji, dhe pastaj paraqitet nevoja e njerëzve për të.

70. Nëse duam, Ne e bëjmë atë të njelmët, andaj përse nuk jeni mirënjohës?!

Do të thotë, e bëjmë me shije të pakëndshme, dhe nuk mund ta pini. Allahu tha: “Nëse duam, Ne e bëjmë atë të njelmët” dhe nuk tha: “Nëse duam, Ne e shterim atë, apo nuk e zbresim”, ngaqë fakti se ata e shohin ujin me sy të ballit, mirëpo, prapëseprapë s’munden ta pinë, është më pikëllues sesa sikur të mos ekzistonte fare. Pra, Allahu i Madhërishëm dëshiron t’i sfidojë me diçka që sjellë pikëllim më të madh në shpirtrat e tyre. “andaj përse nuk jeni mirënjohës?!” do të thotë, përse nuk jeni mirënjohës ndaj Allahut që ua zbriti ujin nga retë dhe e bëri atë të ëmbël, të këndshëm, që pihet me shije dhe shpërbëhet shpejtë (në bark)? Më tej, Allahu e zhvendosi çështjen tek një gjë e tretë, përmes së cilit, përgatitet ushqimi dhe uji, pra, zjarri dhe tha:

71. A e shihni zjarrin që e ndizni?

72. Vallë, ju i keni bërë drutë për të apo Ne i kemi bërë?!

Përgjigjja: “Përkundrazi, je Ti o Zoti ynë.” Pra, Allahu e ka krijuar këtë zjarr, të cilin e ndezim, dhe përmes të cilit e përgatisim ushqimin, e ngrohim ujin dhe e përdorim për gjëra tjera.

73. Ne e kemi bërë atë përkujtues (të zjarrit të Xhehenemit) dhe, që t’u sjellë dobi udhëtarëve,

Pra, ky zjarr na përkujton zjarrin e ahiretit, edhe pse ky i fundit është gjashtëdhjetenëntë herë më i fortë se tërë zjarri i dynjasë, për shkak të flakëve tejet të nxehta të tij. “dhe, që t’u sjellë dobi udhëtarëve” të cilët e shfrytëzojnë atë për ngrohje dhe për t’u orientuar drejt ndonjë vendi. Sepse në atë kohë, si dhe deri në një kohë të afërt me tonën, njerëzit orientoheshin drejt vendeve përmes zjarrit, të cilin e ndiznin në ndonjë vend të lartë.

74. prandaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!

Do të thotë, lavdëroje Allahun e Madhërishëm me këtë emër, dhe thuaj: “I përlëvduar qoftë Zoti im i Madhërishëm.” (subhâne rabbijel-A’dhîm). Fjala tesbîh do të thotë që Allahu është larg çdo mangësie dhe të mete. Andaj, fjala jote: “SubhânAllâh!” do të thotë: “O Zoti im, unë të zhvesh nga çdo mangësi dhe e metë!”. Ndërsa “i Madhërishëm” (El-A’dhîm) ka kuptimin Poseduesi i Madhështisë së skajshme.

Pasi që zbriti ky ajet, Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Këtë thojeni kur të jeni në ruku”, ndërsa kur zbriti: “Lavdëro emrin e Zotit tënd, më të Lartit!” (El-A’lâ, 1) tha: “Këtë thojeni në sexhde!” (Pra, subhâne rabbijel-A’lâ) (Ebu Daudi, nr. 869 dhe ibën Maxhe, nr. 887). Andaj, është mirë që njeriu, kur të thotë në namaz: “subhâne rabbijel-A’dhîm” të ndjejë urdhrin e Allahut: “prandaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!” dhe urdhrin e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Këtë thojeni kur të jeni në ruku”, në mënyrë që të bashkojë midis sinqeritetit ndaj Allahut dhe ndjekjes së të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Vijon…

Përktheu: Petrit Perçuku

  • Shpërndaje
Share on facebook
Share on telegram
Share on whatsapp
Share on twitter
Share on email

NA NDIQNI NË FACEBOOK

ABONOHU NË EMAIL

Pranoni postimet e reja në email duke u abonuar

POSTIMET E FUNDIT

RËNDËSIA E TEUHIDIT

MË TË KLIKUARAT

Arkiva