Shuajbi alejhisselam

Shuajbi alejhis selam

Shuajbi alejhis selam është dërguar Pejgamber pas Lutit alejhis selam, te populli Medjen i cili ka qenë jo larg popullit të Lutit. Ka qenë popull jobesimtarë, kanë qenë të devijuar nga rruga e Allahut, kanë adhuruar zota të kotë, sidomos përmendet një dru a pemë e quajtur “El ejke”, e që nganjëherë Allahu i referohet këtij populli në Kuran me fjalën “Asabul ejke – Njerëzit e ejkës”. Pa dyshim se mesazhi kryesor (ndër mesazhet që ka përçuar tek ta) dhe baza e thirrjes së tij, ka qenë teuhidi – njëshmëria e Allahut në adhurim dhe largimi nga besimi i kotë. Allahu thotë:

“Popullit të Medjenit Ne i dërguam vëllain e tyre, Shuajbin, i cili u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij.  Me të vërtetë, ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj…” Araf 85.

Allahu askund në Kuran nuk përmend se cilat kanë qenë mrekullitë që ia ka dhënë Shuajbit, ndonëse ky ajet dhe të tjerë na tregojnë se ai është dërguar me prova, dëshmi e mrekulli, por se cilat mrekulli ishin ato këtë e di vetëm Allahu.

Ajo gjë që e veçon këtë popull, përveç devijimit dhe lëshimit të rrugës së besimit (monoteist), është marrja me tregti, e cila ka qenë në nivel të lartë. Porse, ata kanë bërë hile në peshore. Përveç thirrjes për në besim të saktë, Shuajbi alejhis selam e ka ftuar këtë popull për t’u larguar nga mashtrimi dhe hilet e bëra në tregti, në matje, siç gjejmë në Kuran:

“…prandaj matni dhe peshoni saktë, mos u hani hakun njerëzve dhe mos bëni ngatërresa në tokë, pasi të jetë vënë rregulli në të. Kjo është më mirë për ju, nëse jeni besimtarë!” Araf 85.

Tipar negativ i popullit Medjen është se ata kanë qenë banditë e grabitqarë të pasurive të njerëzve, kur kanë udhëtuar tek ta për të bërë tregti, apo i kanë kushtëzuar të japin një pjesë të mallit e pasurisë, madje thuhet se ata janë njerëzit e parë që kanë vënë harraqe të tilla. Andaj, Allahu i porositë që të largohen nga kjo dukuri e keqe- marrja padrejtësisht e pasurisë së të tjerëve. Gjithashtu përveç kësaj, i kanë penguar besimtarët nga rruga e Allahut: “Mos zini pusi në çdo rrugë, duke frikësuar dhe penguar nga rruga e Allahut ata që besojnë tek Ai dhe duke kërkuar shtrembërimin e saj!”

Shuajbi alejhis selam ka përdor metoda të ndryshme për këshillim, prej tyre:

-përkujtimi i mirësive të Allahut ndaj tyre, që të jenë falënderues ndaj Tij, “Unë po shoh se ju gjendeni në begati dhe kam frikë se do t’ju godasë dënimi i një dite, që ju përfshin të gjithëve.” Hud 84. Krahas këtij përkujtimi, edhe i paralajmëron.

-përkujtimi i hallallit, se ai është më i mirë në fitim (edhe nëse është më pak) sesa ajo që fitohet me hile (edhe nëse është më e shumtë), “Ajo që ju është lënë nga Allahu, është më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë…” Hud 86.

-përkujtimi se edhe pse kanë qenë popull me numër të vogël, Allahu i ka shumuar, “Kujtoni atëherë kur ishit të paktë në numër e Ai ju shumoi. Shikoni si përfundojnë ngatërrestarët!” Araf 86. Në vend që këtë fuqi ta shfrytëzonin aty ku duhet, ata e shfrytëzonin ku s’duhej.

Shumica e popullit të Shuajbit nuk kanë besuar, përveç një pjese. Ata talleshin me të, dhe prej fjalëve që kanë thënë ishin: “Qenke njëmend i butë dhe i aftë ti!” Hud 87. Kjo në formë nënçmimi, se kinse ne nuk qenkemi të aftë për të bërë tregti e për të besuar (e adhuruar) e ti po vjen të na mësosh.

Përmendet se Shuajbi ka qenë shumë orator i mirë, i fuqishëm në aspektin gjuhësor dhe të thirrjes së tij, porse i dobët nga ana fizike. E kështu, ia përmendin “…të konsiderojmë të dobët midis nesh. Sikur të mos ishte farefisi yt, do të të kishim mbytur me gurë…” Hud 91.

Shuajbi pasi i këshillon ata u thotë: “O populli im, mendoni pak! Nëse unë kam provë të qartë nga Zoti im, i Cili më ka furnizuar me begati të mira nga ana e Vet,  a të mos ju udhëzoj në rrugën e drejtë?! Unë nuk dëshiroj të bëj atë, që jua ndaloj juve. Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj atë që mundem. Ndërsa suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem.” Hud 88. Kjo tregon për mbështetjen dhe besimin e fuqishëm të Shuajbit, i cili suksesin e tij ia referon Allahut.

Pas kësaj thirrje- duke parë dhe mendjemadhësinë e kryeneçësinë e popullit të tij si dhe talljen që ia bëjnë e që nuk besojnë- ata dhe fillojnë ta nënçmojnë Shuajbin dhe fenë me të cilën ka ardhur, “Ata thanë: “O Shuajb,  a mos vallë namazi yt urdhëron që ne t’i lëmë ato që i kanë adhuruar të parët tanë ose që të mos bëjmë me pasurinë tonë çfarë të duam?” Hud 87. Edhe sot disa njerëz e shohin fenë si diçka vetëm shpirtërore, personale, e që nuk ka të bëjë me jetën e përditshme (me çështjet e ndryshme), edhe pse feja është gjithëpërfshirëse. Ajo e përmirëson njeriun, si në aspektin e besimit, ashtu dhe në aspekte të tjera (si: në fitim, në marrëdhënie ndërnjerëzore, në lejesa e ndalesa etj.).

Ai gjithashtu i përkujton me popujt e mëhershëm, si paralajmërim që të mos veprojnë sikurse ata, “O populli im, kundërshtimi ndaj meje le të mos ju çojë kurrsesi që t’ju ndodhë ajo, që i ndodhi popullit të Nuhut ose popullit të Hudit apo popullit të Salihut; mos harroni se edhe populli i Lutit nuk është larg prej jush (kohë dhe vend). Kërkoni falje nga Zoti juaj e kthehuni me pendim tek Ai. Me të vërtetë, Zoti im është Mëshirëplotë dhe gjithë dashuri.” Hud 89-90.

Pasi që nuk pendohen e nuk kërkojnë falje, dhe madje e kërcënojnë me vrasje dhe largim nga vendi, Shuajbi u thotë: “O populli im, a mos vallë farefisi im për ju është më i respektuar se Allahu, të cilin po e anashkaloni? Me të vërtetë, Zoti im, ka nën kontroll gjithçka që bëni ju.” Hud 92. Pastaj kërkon nga Allahu që Ai të gjykojë mes tij dhe popullit të tij: “Pritni (fundin), se edhe unë do të pres me ju”. Hud 93.

Allahu e ndëshkon këtë popull me tri lloj ndëshkimesh:

  1. Për një kohë u dërgon thatësi, nuk bie shi dhe temperaturat ngritën lartë. Pastaj Allahu diku në periferi e dërgon një re dhe dalin të gjithë bashkërisht të futen nën hijen e asaj reje. Atëherë Allahu prej asaj reje dërgon vetëtimë dhe flakë që t’i djegë. Ata ikin, për në shtëpitë e tyre, që të gjejnë siguri. “Ata vazhduan të mos i besojnë (Shuajbit), prandaj i goditi dënimi i Ditës së Resë. Njëmend, ky ishte dënimi i një dite të madhe.” Esh-Shua’ra 189.
  1. Pas kësaj u dërgon tërmet. “E kështu, ata i godet në tërmet i rëndë dheu gdhinë të shtrirë përmbys në shtëpitë e tyre. – Ata që e quajtën Shuajbin gënjeshtar, sikur nuk kishin banuar kurrë në atë vend; ata që e quajtën Shuajbin gënjeshtar, qenë të humbur.” El-A’raf 91-92.
  1. Këtë termet e pason me një zhurmë të tmerrshme saqë mbesin kufoma të shtrira, të palëvizshme, “…thuajse nuk kishin jetuar kurrë aty.” Hud 95. Një moment, te një popull që e ka gjallëruar një vend të madh me lëvizje, punë e tregti, me tërë atë zhurmë që kishte heshtë përnjëherë, pa pasur më lëvizje e as pëshpëritje që dëgjohet! “Kur erdhi urdhi Ynë, Ne e shpëtuam me mëshirën Tonë Shuajbin dhe ata që i besuan atij, kurse mohuesit i kaploi një zë i tmerrshëm dhe në shtëpitë e tyre u gdhinë të vdekur e të palëvizshëm, thuajse nuk kishin jetuar kurrë aty…” Hud 94-95.

Bazuar te “Kisasul enbija”, me autori Ibn Kethirin, rahimehullah – Hoxhë Bajram Sefedini – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit