Si e këshilloni personin që humbet kohë shumë pas lojërave me playstation (ose të tjera) gjatë natës, si relaksim?

Si e këshilloni personin që humbet kohë shumë pas lojërave me playstation (ose të tjera) gjatë natës, si relaksim?

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se njerëzit janë të humbur/dështuar në dy gjëra: në shëndet dhe në kohë të lirë. Shumica e tyre e kanë humbur vetën në to. Qëllimi “kanë humbur” është se nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë ato siç duhet. Ata, kur janë me shëndet të mirë, nuk e shfrytëzojnë për adhurim ndaj Allahut, por në gjëra të kota. Po ashtu, edhe kur kanë kohë të lirë. E kjo është humbja më e madhe për besimtarin, kur e humbet kohën e lirë kot. Allahu betohet në kohën, Ai thotë: “Pasha kohën!” Pse? Sepse nuk ka mirësi më të madhe që i është dhënë njeriut sesa koha. Përmes saj njeriu e adhuron Allahun, bën vepra të mira dhe e fiton xhenetin. Mirëpo, nëse nuk e shfrytëzon atë në adhurim ndaj Allahut, nuk ka dënim më të madh për të, ngase përmes saj kështu bën gjëra të kota e të padobishme, apo mëkate që qojnë në xhehenem. Andaj, për të treguar rëndësinë e kohës, Allahu betohet në kohë. Në disa vende në Kuran, Allahu na thërret që të meditojmë në dukurinë e ndryshimit të ditës dhe natës. Të mençurit janë ata që meditojnë në këtë. Ndryshimi i ditës dhe natës është vetë koha. Me kalimin e ditëve dhe netëve kalon edhe koha e jeta jote. Për çdo ditë je më afër vdekjes (duke të humbur mundësia e bërjes së adhurimeve dhe veprave të mira). Aisha radijAllahu anha tregon se besimtarët kur të hyjnë në xhenet, gjëja për të cilën do të pendohen më së shumti, është që nuk e kanë thënë një “subhanAllah” më shumë. Ne shpesh herë rrimë ndenjur, as nuk lexojmë e as nuk bëjnë dhikër (subhanAllah, elhamdulilah, Allahu ekber, la ilahe ilAllah, estagfirullah etj). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem brenda një ndeje ka thënë 100 herë estagfirullah. Njeriu, për ta ditur rëndësinë e kohës, mjafton t’i vizitojë varret. Tregohet se Aliu radijAllahu anhu me disa shokë ka shkuar tek të varrosurit dhe ka thënë: “O ju të vdekur, ne e dimë se pasuria e juaj është ndarë ndër trashëgimtarët e juaj, gratë e juaja janë martuar me të tjerë!”, duke dashur të tregojë me këtë se ato gjëra për të cilat jeni munduar pas tyre në këtë botë erdhi koha t’i braktisni, vazhdon: “Sikur të kishin mundësi të na drejtoheshin me fjalë neve dhe të na këshillonin, do na thoshin: “Shtoni sa më shumë veprat e mira!”, sepse shtimi më i mirë është devotshmëria, pra veprat e mira. Kur Hasan el Basriu rahimehullah ka qenë në varrim të një personi, i është drejtuar nxënësi i tij duke i thënë: “Sikur të ishe në vend të tij (të të vdekurit), çfarë kishe shpresuar më së shumti?”, ai i thotë: “Të kthehem të bëj vepra të mira.” Secili që vdes do të pendohet se pse nuk e ka shfrytëzuar kohën e lirë, që të bëjë një sexhde më shumë, apo një dhikër më shumë, apo një ditë agjërim më shumë, përveç atij që ka qenë i devotshëm (duke e shfrytëzuar kohën e tij). Përmes kohës së lirë njeriu e arrin Kënaqësinë e Allahut, Mëshirën e Tij, xhenetin e Tij. Një dijetar ka kaluar pranë disa personave të cilët kanë qenë duke lozur dhe u ka thënë: “Pse po lozni?”, ata i kanë thënë: “Po relaksohemi.” Ai u ka thënë: “Allahu thotë: “…kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim)…”, e nuk thotë: “kur të çlirohesh luaj”. Luajta playstation nuk të sjellë asnjë dobi, sidomos kur bëhesh i varur prej saj duke e kaluar natën në të. Kështu hyn në namaz (të sabahut) e nuk e di se çfarë po thua, pas namazit fle i dërmuar deri në drekë e nuk ia sheh hajrin vetës as në fe e as në dunja. Kjo është siç kanë thënë disa dijetarë: “Kur njeriu nuk e angazhon vetën me adhurim, patjetër se do ta angazhojë me diçka tjetër”, sepse nefsi/shpirti kërkon të angazhohet me diçka. Kështu, ky njeri tërë atë kohë të natës nuk e shfrytëzon për të falur namaz vullnetar, apo të lexojë Kuran, por e shfrytëzon për gjëra të kota. Shpirti mësohet me atë që e mëson. Nëse njeriu e mëson nefsin e vet me vepra të mira, do të jetë i gatshëm për to, nëse e mëson me vepra të kota, atëherë do të mësohet me to. Allahu na ka sprovuar me nefsin, ne duhet të bëjmë durim, duhet ta luftojmë atë, duhet ta trajnojmë dhe mësojmë për vepra të mira, duke e vënë në binarë. E përkundrazi ato lojëra nuk janë relaksim, por janë lodhje psikike dhe fizike, nuk ka dobi në to.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit