Si është çështja me atë që thotë kjo e ajo është e ndaluar të veprohet e ndërsa vetë e vepron?

 

Ky është si qiriu, i ndriçon të tjerët e vetë digjet. Ky është shembulli i atij që i këshillon të tjerët për vepra të mira e ndërsa vetë nuk i vepron, apo që i ndalon prej veprave të këqija e ndërsa vetë i vepron ato. Besimtari nuk duhet të jetë i tillë. Është e vërtetë se, sa i përket veprave të mira (të shtojë namaz vullnetar etj.), ka mundësi që vetë të mos mund t’i praktikojë të gjitha, por që të tjerët i këshillon t’i veprojnë ato. Në këtë rast, kur është i angazhuar me diçka tjetër, nuk qortohet (pse vepron kështu), p.sh.: është i angazhuar me dije (duke mos mundur të merret shumë me vepra vullnetare), e ndërsa të tjerët që nuk janë në këtë gjendje i këshillon që të shtojnë veprat e mira. Por, kur është fjala te ndalesat, duhet të jetë i pari që largohet prej tyre kur i këshillon të tjerët. Këtu nuk arsyetohet e të thotë “Unë po i këshilloj të tjerët të lënë ndalesat e ndërsa vetë i veproj ngase janë ashtu rrethanat duke mos mundur t’iu iki”.

Fatkeqësia më e madhe është kur njeriu në Ditën e Gjykimit sheh se ata që i ka këshilluar kanë shpëtuar nga zjarri i xhehenemit, duke u bërë shkak këshillat që ua ka dhënë, me lejen e Allahut, e ndërsa vetë shkatërrohet.

Fjala që thuhet “Hoxhës këqyrja fjalët e jo veprat”, është e vërtetë nga aspekti i xhematit. Xhemati nuk bën të nxjerrë si arsyetim se hoxha po e vepron këtë e atë, andaj edhe unë po e bëj. Nuk ka arsyetim para Allahut. Përderisa e di se një gjë është e ndaluar dhe dikush e vepron, nuk arsyetohesh tek Allahu, edhe nëse ai që e vepron atë është dijetar apo hoxhë. Ai do të japë përgjegjësi për vetën, edhe ti do të japësh për vetën tënde, tek Allahu. Kjo fjalë nuk e arsyeton hoxhën. Ai nuk lejohet t’iu thotë të tjerëve “Dëgjoni fjalët e mia, e mos këqyrni veprat e mia!” Ai duhet të jetë shembull i mirë për të tjerët.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit