Si ta arrijmë përuljen në namaz ?

Si ta arrijmë përuljen në namaz?

➡Disa shkaqe që na shoqërojnë gjatë namazit, të cilat ndihmojnë në arritjen e përuljes në namaz:

Pjesa e parë:

1. Njohja e Allahut. Përmes saj ndriçohet zemra e mendja dhe përmirësohen gjymtyrët. Kjo nxit bindjen, madhërimin, nënshtrimin dhe turpin ndaj Allahut, si dhe ndjenjën se Ai të mbikëqyrë kudo që je.

2. Madhërimi i pozitës së namazit. Kjo arrihet duke e ditur dhe duke ia kujtuar vetës Madhështinë e Allahut, madhërinë e Fuqisë dhe Pushtetit të Tij, i Cili e ka obliguar atë (namazin). Allahu me Fytyën e Tij është drejtuar kah ti në namazin tënd ndërsa ti i je drejtuar Atij (përderisa ti nuk e sjell shikimin tënd andej e këtej, apo përderisa je i përqendruar me zemrën tënde). Kishte nga selefët që është zverdhur para hyrjes në namaz, për shkak të daljes para Allahut.

3. Përgatitja për namaz. Së pari marrja e abdesit me të gjitha obligimet dhe sunetet. Pastaj largimi i mendjes dhe zemrës nga preokupimet e kësaj bote dhe përkushtimi ndaj faljes. E ky përkushtim rezulton kur njeriu e di realitetin e kësaj bote (se ai është një udhëtar që do ikë së shpejti). Pastaj drejtohesh për xhami në safat e parë. Po ashtu falja dhe shtimi i namazit sunet dhe vullnetar ndihmon në përuljen në namaz.

4. Dija rreth rregullave dhe dispozitave të namazit ashtu siç e ka falur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, duke ditur se cilat janë shtyllat, obligimet, sunetet, veprimet e pëlqyera e të urryera të namazit, si dhe duke ditur se çfarë e asgjëson (prishë) apo e mangëson atë.

5. Vendosja e sutrës (pengesa që vihet para teje për të të mos parakaluar të tjerët gjatë faljes). Mos trego neglizhencë në këtë gjë.

Pjesa e dytë

1. Tekbiri fillestar (thënia All-llahu ekber). Para se të hysh në namaz, njeriu i hedh pas shpina të gjitha çështjet e dunjasë dhe thotë Allahu ekber duke iu kthyer Atij me sinqeritet e dëlirësi. Në këtë mënyrë, tekbiri fillestar është pema e parë prej të cilës e vjel frytin e përuljes në namaz duke e shijuar ëmbëlsinë e tij.

2. Leximi e meditimi rreth lutjeve hyrëse (që thuhen para Fatihasë) që përshin kuptime të njësimit të Allahut dhe madhështisë së Tij.

3. Meditimi rreth kuptimeve të ajeteve kuranore të cilat i lexon. Kjo e ndezë dritën e besimit në zemër dhe shton përuljen në namaz. Medito rreth sures Fatiha. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka lexuar atë ajet pas ajeti. Allahu thotë në hadith kudsij: “E kam ndarë namazin mes Meje e robit Tim në dy pjesë dhe do ia jap atij atë ma kërkon.”

➖Kur ti thua: “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve…”, e falënderon Allahun që ta ka mundësuar faljen e namazit, që është shtyllë e fesë, ngase shumë prej njerëzve nuk e posedojnë këtë mirësi dhe e falënderon për të gjitha të mirat e tjera të mira, por që mirësia më e madh ndaj teje është Islami. Allahu thotë pasi e thua atë ajet: “Robi Im më falënderoi”.

➖Kur ti thua: “të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”, përkujtoje me zemrën tënde. Ai nuk t’i humb veprat e tua, Ai do të të shpërblejë për to, do t’i falë mëkatet, Ai është Mishirëpolotë. Dhe Allahu thotë: “Robi Im më lavdëroi.”

➖Kur ti thua: “Sunduesit të Ditës së Gjykimit”, kjo ta mbjell frikën ndaj Allahut, ngase ajo është një Ditë kur do të kthehesh tek Ai dhe do takohesh me Të. Ajo është Dita e Shpërblimit. Nëse ke bërë mirë, do gjesh mirë e nëse ke bërë keq, do të përballesh me pasojat e mëkateve tua. Dhe Allahu thotë: “Robi Im më madhëroi.”

➖Kur ti thua: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë” , kujtoja vetës se adhurimin duhet t’ia kushtosh vetëm Allahut e jo dikujt tjetër. Dhe po ashtu kërkon ndihmë, ngase nëse Ai nuk të ndihmon në adhurimin tënd, ti nuk do kesh mundësi ta kryesh atë. Dhe Allahu thotë: “Ky ajet është mes Meje e robit Tim (pjesa parë për Allahun e dyta për njeriun) dhe atij do ia jap atë që kërkon.”

➖Kur ti thua: “Udhëzona në rrugën e drejtë!”, dije se me çfarë po lutesh në namazin tënd, e jo ta lexosh këtë ajet e mendjen ta kesh diku tjetër. Shumë prej njerëzve e thonë këtë ajet dhe nuk e çojnë ndërmend se çfarë janë duke thënë. Kjo është lutje madhore të cilën e synon i gjithë njerëzimi.

➖“Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi” janë ata të cilëve Allahu u ka dhënë dije të dobishme dhe sukses të punojnë me të.

➖“…e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd” janë ata të cilët kanë dije, por nuk punojnë me të.
➖“…as në të atyre që janë të humbur!” janë ata të cilët e adhurojnë Allahun pa dije. Dhe Allahu thotë: “Kjo është për robin Tim dhe atij i takon ajo që ma kërkon.” Muslimi.

4. Kur bie në ruku, thua “Allahu ekber” duke kujtuar se Allahu është më i Madhi, i Plotfuqishmi, se e ke ulur kokën dhe shpinën tënde në shenjë madhërimi ndaj Tij, se veç Atij i përkulesh. Gjithashtu ço ndërmend mëkatet e të metat e tua dhe se je nevojtar i madh për Allahun.

5. Kur thua në ruku “Subhaane Rabbijel adhim” ia kujton vetës tënde se Allahu është i Lartësuari, Madhështori.

6. Kur ngrihesh nga rukuja, thua ” Semi All-llahu limen hamide” që do të thotë se Allahu e dëgjon atë që e lavdëron e që e madhëron Atë. Qëllimi i “dëgjon” është se Allahu i përgjigjet lutjes tënde.

7. E ngaqë Allahu dëgjon dhe i përgjigjet lutjes tënde, thua: “Rabbena ue lekel hamd”, pra e madhëron dhe thur lëvdata për të (dhe lutje tjera që thuhen në këtë pozitë). Duke e bërë këtë, ia kujton vetes mirësitë e shumta që t’i ka dhënë Allahu.

8. Pjesa e namazit me të cilin ti e arrin nivelin më të lartë të përuljes ndaj Allahut është sexhdja. Dhe thua “Subhaane Rabbijel ale” në sexhde. Ia kujton vetes se ky është vendi ku je më së afërti me Zotin tënd, Krijuesin e çdo gjëje, Shpikësin e Universit, të Plotfuqishmin.

9. Kur je teshehud, gjatë tehijatit çon lëvdata dhe përshëndetje për Allahun, çon salavate për të Dërguarin dhe lutesh për robërit e Allahut. Nëse gjatë të thënët të ettehijatit i thua këto me zemër, ajo do fillojë të rrahë.

10. Pastaj vije koha për bërjen e lutjeve, duke i kërkuar Allahut të të mbrojë prej xhehenemit, prej sprovës së varrit, sprovës së jetës (për të të mos penguar në adhurimin ndaj Allahut) dhe vdekjes (për të të ruajtur në momentet e saj për të mos devijuar nga e drejta), si dhe e lut Atë për të të mbrojtur nga sprova e Dexhallit, pastaj e lut me çfarë të duash nga lutjet e tjera.

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit