Si ta presim muajin e Ramazanit 🌙

Si ta presim muajin e Ramazanit 🌙

Kanë mbetur edhe pak ditë të caktuara derisa të hyjë muaji i Ramazanit. Me lejen e Allahut ky muaj do të na freskojë me mirësi e tij gjithëpërfshirëse, me begatitë e Allahut të njëpasnjëshme. Ramazani ka pozitë të lartë në zemrat e besimtarëve, ka ndikim të madh në shpirtrat e tyre. Besimtarët, e presin me padurim ardhjen e Ramazanit. Dhe e përgëzojnë njëri-tjetrin për afrimin e tij. Besimtarët duhet të gëzohen shumë dhe të ndjejnë lumturi që Allahu po ua mundëson arritjen e tij, këtë sezonë të bereqetshme, në të cilën ata do të arrijnë prej mirësive të shumta të Allahut.

Ardhja e muajit të Ramazanit, muaj ky të cilin e ka dalluar Allahu prej muajve të tjerë të vitit me veçori, duhet të ketë pozitë të veçantë në shpirtin dhe zemrën e besimtarit. Atë që e Allahu e ka nderuar dhe bekuar me jetëdhënie derisa të arrijë këtë muaj, le ta dijë se Allahu i ka dhënë një mirësi të madhe, ngase bëhet bashkëpjesëmarrës me pjesën tjetër të muslimanëve në vjeljen e mirësive të këtij muaji, i cili është sezonë e bindjes, adhurimeve dhe besimit, si dhe afrimit tek Allahu i Gjithëmëshirshëm.

Kur afrohej Ramazani, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i përgëzonte shokët e tij dhe thoshte: “Juve ju erdhi Ramazani, i cili është muaj i bereqetshëm! Allahu ua bëri  obligim (farz) agjërimin e tij. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit dhe shejtanët prangosen. Në të është një natë e cila është më e vlefshme sesa 1000 muaj. Ai i cili privohet nga mirësia e saj, vërtetë është privuar nga çdo mirësi.” Imam Ahmedi. Te fjala: “Ju erdhi muaji i Ramazanit…” ka një përgëzim (urim) të madh prej Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. I njoftoi sahabët se po u vije një çështje që është shumë madhështore, Allahu po ua mundëson ta arrini duke pasur shëndet të plotë, besim, siguri, Islam e selamet.

Në këtë muaj ti ke mundësi të kthehesh tek Allahu dhe ta llogaritësh veten tënde. Nëse gjatë vitit ke qenë i shkujdesur, atëherë po të vije mundësia të kthehesh tek Allahu me kryerje të urdhrave të Tij dhe largim nga ndalesat. Nga këto fjalë të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem zemrat lëvizin dhe fillojnë të ndjejnë vlerën e pozitën e lartë që ka ky muaj tek Allahu, dhe që duhet të jetë i tillë edhe në zemrat tona. Me këto fjalë, sikur do të na thotë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: Juve ju erdhi Ramazani, andaj përgatituni për të, priteni atë në mënyrën më të mirë, mirëpriteni si musafirin më të mirë.

Ramazani është një musafir i ndershëm të cilin na dërgon Allahu. Përgatituni ta nderoni këtë musafir dhe t’i jepet e drejta siç e meriton. Përgatiteni shpirtin e juaj ta mirëprisni atë ngase ashtu siç vjen shpejt, ashtu dhe shkon.

Njerëzit nga mënyrë se si e presin atë dallojnë:

  1. Disa e presin me blerje të shumta të ushqimeve nëpër tregje, shpenzojnë edhe jashtë nevojës, shtrojnë sofrat përplot ushqime në iftare, porse hanë veçse pak.
  2. Disa e presin me përgatitje të mjete (prej të cilëve nuk ka dobi, madje ka dëm në të dy botët) me të cilat do të angazhohen/argëtohen duke e humbur (mbytur) kohën pas tyre, duke e kaluar kohën e agjërimit.
  3. Disa e presin me përgatitje të vetes se si të veprojnë vepra sa më shumë për ta kënaqur Allahun, të cilët planifikojnë kohën për leximin e Kuranit, për përmendjen e dhikrit, për namazin e natës, për ndihmën ndaj të tjerëve, për dhënien e lëmoshës, për prezantimin në mexhliset e dijes për fe etj.
  4. Disa e presin me raport të njëjtë sikur muajt e tjerë të vitit, vjen e kalon Ramazani për ta sikur muajt e tjerë. Kjo është një humbje e madhe.

Muslimani duhet ta presë Ramazanin në mënyrën më të mirë, me sinqeritet dhe duke ia dhënë të drejtën që e meriton.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur vjen nata e parë e Ramazanit, shejtanët dhe xhindët renegat prangosen. Mbyllen të gjitha dyert e xhehenemit, asnjë derë e tij nuk hapet (gjatë Ramazanit). Hapen të gjitha dyert e xhenetit, asnjë derë e tij nuk mbyllet. Një thirrës thërret: “O ti që synon të mirën, vepro! O ti që synon të keqën, ndalu!” Allahu cakton njerëz (muslimanë) t’i lirojë prej zjarrit të xhehenemit, kjo çdo natë.” Tirmidhiu.

O ti që synon dhe e dëshiron të mirën, vepro, të ka ardhur shansi, kthehu tek Allahu me tërë qenien tënde dhe adhuroje Atë, mos lejo të të humbet kohë nga Ramazani ngase ky muaj është një rast i madh që nuk vjen çdo herë, ai është një periudhë e të mirave të shumta. Dije se është një shans që nëse ik, ka mundësi mos të të kthehet më, ka mundësi që më të mos e presësh Ramazanin. Andaj, shfrytëzoje atë!

O ti që e synon dhe e dëshiron të keqën, që shpirti yt shkon drejt saj, ndalu, nuk të takon t’ia japësh vetës mundësinë të lëshohet në të këqija, mëkate, devijime, ngase Ramazani është një kohë e bereqetshme, që Allahu ta ka mundësuar për ta dëlirë vetën tënde e të kthehesh tek Ai.

E ai shpirt që nuk lëvizë fare kur vjen ky muaj, që nuk kthehet tek Allahu me pendim, nëse jo në këtë muaj atëherë kur do të kthehet?!

Shumë prej njerëzve janë të preokupuar me dëfrime, lojëra, luks, teprime, shpenzime në gjëra të kota, me gjëra të kësaj dunjaje, duke e e bërë një jetë jashtë rregullit (gjumë ditën e zgjim natën), duke u kapluar nga dembelia dhe nuk i kryejnë obligimet ndaj Allahut, duke i bërë kështu vetës padrejtësi, janë zhytur aq thellë në to saqë ato janë bërë pengesë e madhe që ata të kthehen tek Allahu. Muaji i Ramazanit, për këta njerëz të cilët i ka kapur pakujdesia, është një rast i mirë për t’iu kthyer Allahut me pendim. E nëse nuk kthehen as në këtë muaj, atëherë kur ta presin rastin tjetër për ta bërë këtë?

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë: “Allahu cakton disa nga njerëzit (muslimanët) t’i lirojë prej zjarrit të xhehenemit, kjo për çdo natë (të Ramazanit).” Vërtetë kur besimtari i dëgjon këto fjalë, shpirti i tij ‘digjet’ nga dëshira e madhe që edhe ai të ketë hise në këtë fitim kaq të madh, që ai të jetë prej atyre që Allahu e liron prej zjarrit të xhehenemit. Ky është një premtim i ndershëm prej Allahut dhe një shpërblim madhor. Nuk i takon muslimanit i cili i dëgjon këto fjalë, të mos e dëshirojë dhe të përpiqet shumë që të jetë prej atyre të cilëve Allahu i liron nga zjarri i xhehenemit, duke u kthyer tek Ai me pendim, me adhurime, me vepra të mira, me largim nga mëkatet etj.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka përshkruar muajin e Ramazanit si muaji i durimit. Ai thotë: “Ai që e agjëron muajin e durimit dhe tri ditë të çdo muaji tjetër, ai është sikur ka agjëruar tërë vitin.” Imam Ahmedi, Nesaiu. Këtu përfitojmë atë se muslimanit i jepet një mundësi e rast shumë i madh që në këtë muaj të ndershëm të trajnojë e diciplinojë shpirtin e tij në durim, në të tri llojet e tij (durimi në kryerjen e adhurimeve, në ndaljen nga ndalesat dhe në fatkeqësi e sprova). Duhet të dish se durimtarëve Allahu u jep shpërblime pa llogari, pa masë. Allahu thotë: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.” Zumer 10. Besimtari, prej ditës së parë të Ramazanit fillon ta mësojë veten e tij në durim. Ky muaj është një sezonë në të cilën në mënyrën më të mirë ti mund ta trajnosh vetën tënde për të qenë durimtar. Njeriu jeton në këtë muaj duke qenë durimtar. Kështu ai ndalon nga ushqimi e pija e nga marrëdhënia bashkëshortore gjatë agjërimit, edhe pse shpirti i tij i dëshiron, mirëpo ndalet për hir të Allahut sepse Ai ia ka ndaluar ato t’i veprojë gjatë agjërimit, andaj edhe jashtë Ramazanit duhet të ndalet prej gjërave ia ka ndaluar Ai. Muslimani e di se nëse e prish agjërimin e pret ndëshkimi i Allahut, e nga frika prej Tij, ai nuk e prish atë edhe nëse i ka para vetes. Kur shpirti i tij e thërret për të bërë një mëkat jashtë Ramazanit, duhet ta ndjejë këtë frikë ndaj Allahut dhe ndaj ndëshkimit të Tij.

Në një hadith Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e përshkruan Ramazanin se ai është muaj bereqetshëm. Ai thotë: “Juve ju erdhi muaji i Ramazanit i cili është muaj i bereqetshëm. Allahu ua ka bërë obligim agjërimin e tij. Në këtë muaj hapen të gjitha dyert e xhenetit dhe mbyllen të gjitha dyert e zjarrit. Shejtanët renegatë prangosen.”  Bereqeti i këtij muaji përfshin çdo çast, çdo moment, prej kur hyn ky muaj deri kur përfundon. Bereqetet e mirësitë e tij janë të shumta, të shumëllojshme dhe madhështore. Prej bereqeteve është hapja e dyerve të xhenetit dhe mbyllja dyerve të xhehenemit dhe prangosen renegatët prej shejtanëve e xhindëve, lidhen me zinxhirë. Nuk ndodh në asnjë muaj tjetër të vitit të jetë kështu. Në muajt e tjerë ata janë të lirë duke iu bërë vesvese njerëzve, duke i nxitur në mëkate, në të këqija etj. Kur muslimani i dëgjon këto ambiciet e tij lartësohen, vendosmëria aktivizohet, kur i dëgjon këto ai duhet të veprojë, të kthehet tek Allahu me adhurim, me bindje ndaj Tij për ta arritur Kënaqësinë e Tij.

🍁Muslimani dhe pritja e Ramazanit 🍁

  1. Të ndjejë gëzim të madh e lumturi për ardhjen e Ramazanit. Gjithashtu ta falënderojë shumë Allahun për mundësin e arritjes së tij. Sa e sa njerëz ishin me ne muajt e kaluar, e sot nuk janë më, gjenden në varre dhe më nuk mund të veprojnë vepra të mira! Falënderimi për këtë mirësi ndaj Allahut, është kujdesi dhe përpjekja maksimale në adhurimin ndaj Tij. Kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka parë hënën e re të muajit vijues, të çdo muaji, e ka bërë një lutje: “O Allah, na mundëso që këtë muaj që hyn hëna e re, ta kalojmë duke pasur bereqet, besim, siguri dhe Islam! Zoti im dhe Zoti yt (o hanë) është Allahu.” Tirmidhiu, Ahmedi.

Lutja:

اللَّهُمَّ أَهِلَّهُ عَلَيْنَا بِالْأَمْنِ وَالْإِيمَانِ، وَالسَّلَامَةِ وَالْإِسْلَامِ، رَبُّنَا وَرَبُّكَ اللَّهُ

  1. Të pendohet sinqerisht për mëkatet e bëra. Çdo njëri nga ne është mëkatar. Çdo njëri ka lënë anash diçka, ose ka tepruar ndonjëherë, ose e ka çuar kohën kot, ka bërë mëkate, ka qenë neglizhent etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Të gjithë njerëzit janë mëkatarë. Më i miri mëkatar është ai që pendohet.” Më i miri është ai i cili kur (ndodh) të bëjë mëkat, kthehet tek Allahu me pendim. Muaji i Ramazanit është një rast i mirë për njeriun të kthehet tek Allahu me pendim. Shumë raste ndodhin që njerëzit në Ramazan të kthehen tek Allahu me pendim, e pas tij më nuk u kthehen atyre mëkateve. Ramazani është sezonë i pendimit dhe i pranimit të pendimit. Andaj, ta presësh këtë muaj me pendim të sinqertë. Nëse do që ta presësh në mënyrën më të mirë, pendohu për mëkatet e tua. Pendimi i pastër/i sinqertë për mëkatet ndaj Allahut duhet të përmbushë tri kushte:
  2. Keqardhjen për veprimin e mëkatit,
  3. Vendosmërinë për moskthim në atë mëkat,
  4. Ndërprerjen e veprimit të atij mëkati.

Ndërsa, në rastin kur mëkati ka të bëjë ndaj njerëzve, shtohet dhe një kusht: kthimi i të drejtave ndaj tyre, e nëse nuk ka mundësi atëherë t’iu kërkojë falje (p.sh.: i ka përgojuar, ua ka cenuar nderin, pasurinë, i ka nënçmuar, ka bartur fjalë etj.).

  1. Ta ruajë agjërimin e tij. Agjërimi i tij është një margaritar që i takon vetëm atij duke mos i lënë të tjerët ta njollosin atë (margaritar). Tek agjërimi njerëzit dallojnë shumë sa i përket përsosjes dhe plotësimit të tij, edhe pse të gjithë janë pjesëmarrës sa i takon abstenimit nga ushqimi, pija, marrëdhëniet intime (mes burrit e gruas), prej agimit deri në perëndimin e diellit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është pyetur se kush prej agjëruesve e ka shpërblimin më të madh tek Allahu, ka thënë: “Ai që më së shumti e përmend Allahun gjatë agjërimit.” Përmendja e Allahut prej agjëruesve dallon. Disa e përmendin Allahun pak, kryejnë adhurime pak, lexojnë Kuran pak. Ka prej njerëzve që gjatë gjithë netëve të Ramazanit rrinë zgjuar duke qëndruar në lojëra e dëfrime, e falin sabahun dhe flenë deri pas dreke duke u ikur namazi. Muslimani duhet të mundohet që agjërimi i tij të jetë i përsosur, ta mbushë me përmendjen e Allahut. Dhikri përfshin shumë:

▪️përmendjen e Allahut me zemër, apo me gjuhë, apo me të dyja (e kjo është më së miri),

▪️leximin e Kuranit,

▪️namazin nafile,

▪️prezantimin në ndejat e dijes, dhe të tjera.

Këto janë disa gjëra për të cilat muslimani duhet të luftojë me vetveten, sepse sa më shumë që e përmend Allahun gjatë agjërimit, agjërimi i tij është më i plotë.

 

  1. Ta realizojë fjalën e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem: “Ai i cili e agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe shpresë në shpërblimin e Allahut, atij do t’i falen mëkatet e bëra më parë.” Muslimani kështu duhet të agjërojë, e jo sepse është adet, jo sepse familja, shokët e të tjerët agjërojnë andaj të agjërojë edhe ai, që të mos thonë “ai e ha Ramazanin”, që të mos kritikohet prej të tjerëve. Agjërimi nuk duhet të bëhet për syefaqësi, për hir të njerëzve, për të të lavdëruar të tjerët. Me asnjërin nga këto qëllime nuk lejohet të agjërohet Ramazani. Ramazani duhet të agjërohet veç për hir të Allahut, me besim e bindje të plotë dhe me shpresën në shpërblimin e Allahut, i Cili ka premtuar për agjëruesit shpërblim pa llogari, pa masë.

🔸Me besim- se Allahu ta ka bërë obligim agjërimin e Ramazanit dhe ti duhet ta kryesh atë.

🔸Me shpresë në shpërblimin e Tij- se Allahu do ta pranojë agjërimin e tij dhe do ta shpërblejë në ahiret për të. Vetëm Ai e di se çfarë ka përgatitur prej shpërblimeve të shumta për agjëruesin. Ai thotë: “Agjërimi është për Mua dhe Vetëm Unë e shpërblej agjëruesin.” (Hadith Kudsij, mutefekun alejhi).

 

  1. Të jetë ambicioz gjatë gjithë Ramazanit. Muslimanin nuk duhet ta lëshojnë ambiciet e të bezdiset, duke qenë në fillim të Ramazanit i vendosur e pastaj gradualisht të dobësohet nga fundi, pikërisht atëherë kur duhet të shtohen adhurimet ai e pakëson adhurimin. Prej fillimit e deri në fund të Ramazanit muslimani duhet të agjërojë me besim dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut.

 

  1. Të arrijë devotshmërinë. Devotshmëria është prej gjërave më të rëndësishme për të cilat Allahu e ka ligjësuar agjërimin e Ramazanit. Thotë Allahu: “O ju që keni besuar! Ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç u ishte bërë atyre para jush, në mënyrë që të arrini devotshmërinë.” Bekare 183. Ai që e plotëson/kryen agjërimin, kështu do të ndjekë rrugën që dërgon te devotshmëria ndaj Allahut. Agjërimi është një rast dhe shans që të pajisesh me devotshmëri, që të jesh prej të devotshmëve, që e kanë frikë Allahun dhe që ruhen prej të këqijave. Si arrihet devotshmëria përmes agjërimit? Njeriu gjatë vitit është mësuar me disa gjëra të cilat gjatë Ramazanit i ka të ndaluara. Mirëpo gjatë Ramazanit ai i braktisë ato për hir të Allahut ngase Ai i ka ndaluar, edhe pse ka mundësi t’i veprojë duke mos e parë askush, porse nuk e bën këtë sepse i bindet Allahut dhe e ka frikë Atë. Përderisa gjatë Ramazanit e ndal veten ndaj këtyre gjërave, ai gjatë gjithë jetës së tij po ashtu duhet ta ketë këtë bindje ndaj Allahut. Në këtë mënyrë e trajnon veten duke vepruar njëjtë edhe jashtë Ramazanit sa i përket ndalimit nga ndalesat e Allahut dhe veprimit të urdhrave të Tij. Zoti i Ramazanit është Zoti edhe i muajve të tjerë. E nëse ndodh ndonjëherë të biesh në mëkate apo neglizhencë, atëherë menjëherë pendohu tek Allahu sinqerisht.

 

  1. Të pajiset me devotshmëri në Ramazan dhe pasi kalon ai. Selefi është pyetur për disa njerëz që u kushtojnë rëndësi farzeve vetëm gjatë Ramazanit, ndërsa jashtë tij janë neglizhentë, dhe kanë thënë: “Sa i keq është ai popull që e njeh Allahun veç në Ramazan!” Muslimani e ka obligim që gjatë Ramazanit vazhdimisht t’i kushtojë kujdes bindjes ndaj Allahut, ta dijë se Ai e Mbikëqyrë. Vetë fakti që ai i kushton rëndësi obligimeve gjatë këtij muaji dhe ruajtjes nga mëkatet, atëherë le ta shfrytëzojë këtë mundësi/shans që pastaj të vazhdojë në këtë mënyrë edhe pasi kalon (Ramazani), duke qenë me devotshmëri edhe jashtë tij. Kështu, del prej Ramazanit duke përfituar shumë mirësi, e prej tyre është devotshmëria. Ramazani është shkollë edukative, e bereqetshme, pas së cilës njeriu del i devotshëm; besimtari i mirë prej tij merr mësime e udhëzime dhe i përdorë gjatë gjithë jetës së tij.

8. Të lexojë Librin e Allahut. Prej veçorive të Ramazanit ndaj muajve të tjerë është zbritja e Kuranit në këtë muaj. Allahu ka thënë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” Bekare 185. Vetë Xhibrili alejhi ue selem për çdo Ramazan ka ardhur tek Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe së bashku e kanë përsëritur Kuranin. Në vitin në të cilin ka vdekur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e kanë përsëritur dy herë. Kjo tregon se muslimani duhet t’i kushtojë rëndësi të madhe Kuranit gjatë këtij muaji. Nëse nuk i di shkronjat, duhet t’i mësojë ato. Nëse i di shkronjat por nuk e di mirë leximin, duhet të mundohet ta përsosë leximin dhe rregullat e texhwidit. E nëse i di këto, atëherë duhet të lexojë sa më shumë prej Kuranit. Gjithashtu të lexojë me meditim, jo vetëm si lexim i shpejtë.

 

 

Hoxhë Lulzim Perçuku.

Ligjëratë e transkriptuar.

 

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit