Sprovimi dhe durimi

Sprovimi dhe durimi

Njeriu e ka për obligim të durojë kur sprovohet, qoftë nëse goditet me vdekjen e të afërmve, apo me varfëri, apo me armikun, apo me dhimbje e sëmundje. Duhet treguar i durueshëm dhe duhet ditur se në atë sprovë ka dobi e urtësi. Ajo gjë e cila e ndihmon njeriun të tregohet i durueshëm në kohë sprovash, është që të dijë se ky është caktim i Allahut, dhe Ai nuk cakton diçka keq për njeriun, në sprova fshehën urtësi. Dijetarët kanë thënë se edhe nëse nuk do të kishte urtësi e dobi tjetër (nga sprovat) përveç faljes së mëkateve dhe ngritjes së shkallëve në xhenet, do të mjaftonte (porse ka dhe urtësi e dobi të tjera të shumta të cilat vetëm Allahu i di).

Kur njeriu ia kujton këto gjëra vetës atëherë kjo ka lehtëson sado pak dhimbjen dhe vështirësinë, e sidomos kur e dimë fjalën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem i cili ka thënë: “Shpërblimi është në bazë të fatkeqësisë”, kështu sa më e madhe që është fatkeqësia atëherë shpërblimi është më i madh. Dhe ka thënë: “Kur Allahu e do robin e Tij e sprovon.” Prej shkaqeve kryesore që duhet të ndërmarrë besimtari në gjendje sprovash është lutja tek Allahu. Allahu ka thënë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” Bekare 186. Neve na takon që ta lusim Allahun dhe të kemi mendim të mirë se Ai i përgjigjet lutjes tonë (për largimin e sprovës e vështirësisë).

Pastaj duhet kujtuar ata që kanë pasur sprova më të rënda sesa ne, edhe pse kanë qenë njerëz më të mirë tek Allahu sesa ne. Kur Allahu na sprovon ne nuk duhet ta konsiderojmë këtë si poshtërim ndaj nesh. Përkundrazi, me sprova Allahu do të na ngritë shkallët në xhenet, na shlyen mëkatet etj. Ejubi alejhi ue selem është sprovuar me sëmundje aq të rëndë sa i ka rënë mishi prej trupit, i kanë vdekur të gjithë fëmijët, dhe Allahu pas një kohe të gjatë e ka shëruar; ai ka qenë njeri durimtar. Allahu e ka bërë shembull për durimtarët, për ata që duan të dinë se si duhet treguar të durueshëm gjatë sprovave.

E shembull dhe më i mirë sesa Ejubi është Muhamedi salAllahu alejhi ue selem, njeriu më i sprovuar i njerëzimit, me të gjitha llojet e sprovave, si: me sëmundje (ka pasur temperaturë shumë të lartë, sa dyfishi i njeriut që nuk është Pejgamber), me vdekje të fëmijëve, me varfëri, me armikun, i kanë bërë magji etj. E megjithëkëtë ai salAllahu alejhi ue selem ka qenë gjithmonë i buzëqeshur, në jetën e tij të përditshme nuk është vërejtur ndikimi i atyre sprovave, ka qenë njeriu me çehren më të mirë, ngase ai e ka ditur se çfarë do të thotë sprovë, e ka ditur se kjo është nga Allahu dhe se Ai është i Urtë, në çdo gjë që vepron fshehën urtësi. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë njeriu i cili më së miri e ka realizuar teuhidin, e durimi në sprova është prej realizimit të teuhidit.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit