Sprovimi në vështirësi dhe mirëqenie

🔊 Thënie nga derset

Sprovimi në vështirësi dhe mirëqenie

Kjo jetë është jetë e sprovimeve. Njeriu duhet të japë provën e tij para se të kalojë në botën tjetër. Kjo botë nuk është banesa e përhershme. Prej saj shumë shpejt do të largohet e do të zhvendoset në botën tjetër. Allahu i sprovon robërit e Tij që të dallojë të mirin prej të keqit, se kush është besimtar e kush mosbesimtar, kush i bindet Atij e kush jo, se kush është durimtar e kush jo etj. Allahu thotë: “Çdo gjë që gjendet në Tokë, Ne e kemi bërë stoli për të, për të provuar se kush prej tyre punon më mirë. Dhe, Ne do ta bëjmë të shkretë gjithçka, që gjendet në të.” Surja Kehf 7-8. Këtu tregohet realiteti i kësaj bote. Çdo gjë mbi këtë tokë, si: ushqim, pije, rroba, pallate, banesa, lumenj, pemë, drunj, kodra, male dhe çdo gjë tjetër, Allahu na tregon se i ka krijuar që të jenë stoli e zbukurim për tokën. Pse? “…për të provuar se kush prej tyre punon më mirë.”

Jeta e kësaj bote me të gjitha bukuritë, kënaqësitë e mrekullitë, është banesa në të cilën njeriu sprovohet (siç thamë të dallohet i miri nga i keqi etj.). Jeta e kësaj bote qenka sprovë, dhe disa do të fitojnë e do ta kalojnë këtë provim, e ata janë ata të cilët kanë bërë vepra të mira gjatë jetës së tyre. Fudejl ibn Ijadi rreth kuptimit të këtij ajeti “…për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë”, surja Mulk 2, ka thënë: “Puna më e mirë është ajo që është më e sinqerta dhe më e sakta.” “Çfarë do të thotë kjo?”- e kanë pyetur dhe ka thënë: “Vepra e cila është e sinqertë, por jo e saktë, nuk pranohet tek Allahu. Nëse është e saktë, por jo e sinqertë, edhe kjo nuk pranohet, derisa të bëhet sinqerisht (për Allahun) dhe në formën e saktë. Vepër e sinqertë është ajo që bëhet vetëm për Allahun (larg syefaqësisë), kurse e saktë është ajo që bëhet sipas sunetit profetik.”

Allahu i sprovon njerëzit me dy lloje të sprovave: me mirëqenie (mirësi) dhe me vështirësi (fatkeqësi, sëmundje etj.). Allahu thotë: “Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” Enbija 35. Besimtari i mirë në të dy këto lloje sprovash e ka përfundimin e mirë e të lumtur, ai përfiton prej të dy gjendjeve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Është e çuditshme çështja e besimtarit. Të gjitha çështjet e tij janë mirë (me përfundim të lumtur). Këtë nuk e arrin askush tjetër përveç besimtarit. Kështu, nëse i vjen një e mirë (prej Allahut), ai falënderon e është mirënjohës, dhe kjo është më mirë për të. Nëse i godet një gjë që e dëmton, ai tregohet i durueshëm, dhe kjo është më mirë për të.” Muslimi. Ai e di se çdo mirësi është prej Allahut, andaj e lavdëron, e falënderon dhe është mirënjohës ndaj Tij, kështu fiton shpërblimin e falënderuesve. Ndërsa, nëse goditet me ndonjë gjë që e dëmton, e pikëllon e që i shkakton dhimbje, ai e di se kjo ka ndodhur me lejen e vullnetin e Allahut, andaj i dorëzohet kaderit të Tij dhe tregohet i durueshëm, kështu fiton shpërblimin e durimtarëve.

Allahu i sprovon robërit e Tij me mirëqenie e të mira, që të dallojë falënderuesin prej atij që është mohuas, po ashtu Allahu i sprovon edhe me gjëra të dhimbshme që të dallojë durimtarin prej atij që zemërohet me caktimin e Allahut e nuk është durimtar. Allahu thotë: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” Bekare 155-157. Te ky ajet shohim se besimtari kërkon mbrojtje tek Allahu kur sprovohet me gjëra që e dëmtojnë e i shkaktojnë dhimbje.

Këtu tregohet se besimtari i mirë e i durueshëm, kur goditet me fatkeqësi thotë: إِنَّا لِلَّٰهِ وَإِنَّ إِلَيْهِ رَاجِعُون – (In-ne lil-lehi we in-ne ilejhi rraxhiun) Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Kjo është fjala e cila duhet ta ngushëllojë kur sprovohet dhe tek e cila duhet të kthehet kur gjendet në këtë gjendje, kështu do t’i largohen brengat, shqetësimet dhe gjërat e dhimbshme, porse duhet të thuhet duke përsiatet mbi kuptimet e saj.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit