Surja El Bekare Përshtatshmëria (lidhja) e fillimit me përmbylljen e saj-2

Surja El Bekare
Përshtatshmëria (lidhja) e fillimit me përmbylljen e saj1

Në studimin që vijon do të sqarohet rruga përmes të cilës ndihmohet Libri Fisnik (Kurani), që të arrihet ndihma dhe triumfi prej Allahut të Lartësuar.

Luftimi i kundërshtarëve të Kuranit për zbritjen e tij dhe për keqinterpretimin e tij

Në këtë sure dua të tërheq vëmendjen për disa dobi që kanë të bëjnë me Librin e Allahut (azze ue xhel-le):

Dobia e parë: Allahu, në këtë sure, lartësoi çështjen e Librit të Tij shumë herë. Sqaroi se në të ndodhet udhëzimi i njerëzimit, lumturimi i jetës së tyre tani, dhe nderimi dhe përfundimi i mirë që i pret ata në Ahiret (jetën e ardhme). Prej këtyre (ajeteve) është se Allahu e hapi këtë sure me Librin e Tij të zbritur: “Elif, Lam, Mim. Ai është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit” (El Bekare: 1-2). Pastaj e përsëriti përmendjen e tij edhe një herë në mes të sures: “Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi” (El Bekare: 136). Pastaj e përsëriti përmendjen e tij herën e tretë: “Kjo është kështu, sepse Allahu e ka zbritur Librin me të vërtetën” (El Bekare: 176). Dhe ajete tjera përveç këtyre.

Dobia e dytë: Vihet re, se në këtë sure shumë herë bashkohet/barazohet diskutimi për Librin e Allahut me diskutimin për mospajtimin rreth tij, dhe se në të vërtetë kjo rezulton në përçarjen e njerëzve. Prej këtyre (ajeteve) është pjesa e parë (e sures), ku Allahu përmend se njerëzit rreth besimit në Librin e Tij janë ndarë në tri grupe:

Grupi i parë: Pasuesit e udhëzimit, të shpëtuarit, të cilët janë kapur për Librin me brendësinë (zemrën) dhe të dukshmen e tyre (veprat e jashtme). Allahu për ta thotë: “Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit” (El Bekare: 5).

Grupi i dytë: Pasuesit e mosbesimit, të cilët e refuzuan Librin me brendësinë dhe të dukshmen e tyre. Allahu për ta thotë: “Sa për ata që mohojnë, njësoj është, i paralajmërove apo nuk i paralajmërove – ata nuk besojnë” (El Bekare: 6).

Grupi i tretë: Pasuesit e nifakut (hipokritët), të cilët janë kapur për Librin me të dukshmen e tyre, kurse e mohuan me brendësinë e tyre. Kur janë me besimtarët hiqen se janë besimtarë, ndërsa zemrat e tyre janë me pasuesit e kufrit (mosbesimit). Allahu për ta thotë: “Ka disa njerëz që thonë: “Besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit!”, por në të vërtetë ata nuk janë besimtarë” (El Bekare: 8). Shiko rreth kësaj librin “Er rihletu ila efrikija” – Udhëtimi për në Afrikë” i dijetarit të madh Muhamed El Emin Esh Shenkitij, Allahu e mëshiroftë; (faqe: 18-19).

Ndërsa në vendin e dytë (ku përmendet kjo), Allahu na paralajmëron që të mos përçahemi rreth besimit në Librin e Tij të zbritur, dhe na sqaroi se në të vërtetë ndarja është rezultati i të parës. Allahu thotë: “Nëse ata besojnë në atë që besoni edhe ju, atëherë janë në rrugën e drejtë. E, nëse ia kthejnë shpinën asaj, atëherë sigurisht që do të përçahen” (El Bekare, 137).

Këtë e konfirmoi në vendin e tretë, ku tha: “Sigurisht, ata që nuk pajtohen rreth tij, janë të përçarë dhe larg së vërtetës” (El Bekare: 176).

Dije se përçarja e cila është përmendur krahas Fjalës së Allahut në këto ajete, ndodh për shkak të dy shkaqeve:

I pari: Mospajtimi rreth zbritjes së tij, i cili ka ndodhur tek miletet (popujt/fetë) e ndryshme. Ky është kufr (mosbesim) i pastër; sepse ai pasqyrohet në besimin e një pjese të së vërtetës së zbritur dhe mohimin e pjesës tjetër. Nuk ka shpëtuar nga ky lloj kufri askush përveç miletit Islam. Hebrenjtë e besuan Librin e tyre, mirëpo mohuan Librin që iu zbrit Muhamedit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Të krishterët e besuan Librin e tyre, mirëpo mohuan Librin që iu zbrit Muhamedit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Ndërsa umeti i Muhamedit (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), së bashku me besimin e tyre në Librin që iu zbrit Muhamedit (sal-lAll-llahu alejhi ue sellem), besuan edhe Librin e zbritur tek Musai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), dhe Librin e zbritur tek Isai (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem).

Ndoshta për këtë surja u hap me domosdoshmërinë e besimit në të gjitha Librat. Allahu (azze ue xhel-le) në fillim të sures thotë: “dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje” (El Bekare: 4). Gjithashtu, edhe u përmbyll me këtë, ku Allahu (azze ue xhel-le) thotë në fund të saj: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij” (El Bekare: 285). Këtu u tha librat (në shumës), sepse obligim është besimi në të gjithë të vërtetën që ka zbritur të cilën nuk e kanë arritur duart e falsifikimit. Ndërsa besimi i një pjese kurse tjetrës jo, kjo është përçarja e nënçmuar. Siç, Allahu thotë në të njëjtën sure: “Dikur, të gjithë njerëzit përbënin një bashkësi të vetme. Pastaj Allahu u dërgoi profetët me lajme të mira dhe paralajmërime. Bashkë me ata, Ai zbriti edhe Librin me të vërtetën, për t’i gjykuar njerëzit në çështjet për të cilat nuk pajtoheshin. Mirëpo, njerëzit u grindën midis tyre, pasi u erdhën shenjat e qarta, nga zilia që kishin për njëri-tjetrin. Atëherë, me vullnetin e Vet, Allahu i udhëzoi besimtarët që ta kuptonin të vërtetën, lidhur me çështjet për të cilat të tjerët nuk pajtoheshin. Allahu shpie në udhë të drejtë kë të dojë” (El Bekare: 213).

Allahu këtu e sqaroi se ata të cilët besuan një pjesë të asaj që Ai zbriti dhe mohuan pjesën tjetër, ata janë shkaktarë në përçarjen e njerëzimit. Këta janë pasuesit e Librit (hebrenjtë dhe të krishterët). Për këtë, Allahu i thirri që të bashkohen rreth së vërtetës, mirëpo ata refuzuan veçse të refuzojnë. Siç, Allahu thotë: “Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!” (Alu Imran: 64). Abdurrezaku (15946) transmeton me sened (zinxhirë) të saktë nga Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të ketë thënë: “Ai i cili mohon një shkronjë prej Kuranit ka mohuar të gjithin”.

Shkaku i dytë: Mospajtimi rreth interpretimit të tij, që ka ndodhur tek sektet Islame të cilat kanë dalë nga xhemati (bashkësia) e myslimanëve për shkak të ndonjë bidati. Çdokush që ka devijuar nga rruga e gjeneratave të para, ka devijuar për shkak të interpretimit të Fjalëve të Allahut (Kuranit) me atë që Ai nuk kishte për qëllim.

Nëse luftimi i atyre që mohuan zbritjen e Kuranit është i njohur (për çdokënd prej myslimanëve), atëherë le ta dijë çdokush se luftimi i bidatxhive (novatorëve) është e nevojshme për shkak të ruajtës së unitetit të këtij umeti. Për këtë ka ardhur një transmetim, ku Ebu Seid El Hudriu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ishim ulur duke e pritur të Dërguari e Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) kur ai doli nga shtëpia e njërës prej grave të tij. Ne u ngritëm për të ecur pas tij, pastaj iu këput këpuca. Aliu mbeti mbrapa për t’ia qepur, mirëpo i Dërguari i Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) vazhdoi të ecte dhe ne vazhduam me të. Pastaj u ndal për ta pritur (Aliun) dhe ne u ndalëm me të. Pastaj tha: “Vërtetë prej jush do të jetë ai që do të luftojë për interpretimin (jo të drejtë) të këtij Kurani, ashtu siç luftova për (besimin në) zbritjen e tij”. Ne u ngritëm lartë (për të na parë) dhe në mesin tonë ishin Ebu Bekri dhe Umeri. Mirëpo ai tha: “Jo (nuk është asnjëri nga ju), mirëpo ai është qepësi i këpucës”. Shkuam për t’i marr sihariq, mirëpo siç duket ai e kishte dëgjuar me herët.” Transmetuar nga Ahmedi (3/82), Ibën Hibani (6937), Hakimi (3/122-123) i cili e vlerësoi, gjithashtu edhe Dhehebiu, si hadith të saktë. Për më tepër shiko në “Es silsile es sahiha” të Albanit (2487).

Ky hadith ka të bëjë me luftimin e pasuesve të bidateve dhe tekave. Vërtetë, Allahu e nderoi Aliun, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, me luftimin e sektit të parë që ka dal nga xhemati i myslimanëve për shkak të keqinterpretimit të Librit të Allahut, e ai është sekti i Havarixhëve. Ibën Hibani e komentoi këtë hadith në “Sahihun” e tij, duke vendosur pas tij kapitullin: “Përmendja e cilësive të njerëzve të cilët i luftoi Ali bin Ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për shkak të keqinterpretimit të Kuranit nga ana e tyre”, pastaj e përmendi luftimin e Aliut kundër Havarixhëve. Për këtë Jusuf El Meltij në “El Mu’tesar min El Muhtesar” (1/221), pas këtij hadithi tha: “Prej realizimit të premtimit (në hadithin e lartcekur) është luftimi i Aliut kundër Havarixhëve”.

Si rezyme është se Allahu bashkoi/barazoi mes lartësimit të Librit të Tij dhe paralajmërimit nga ndarja dhe përçarja; sepse kjo ndodh në mospajtimin rreth besimit në Fjalët e Tij (Kuran), deri sa kundërshtari ta mohojë të vërtetën që ndodhet tek tjetri. Siç, Allahu (azze ue xhel-le) thotë: “Hebrenjtë thonë: “Të krishterët nuk kanë kurrfarë udhërrëfimi ku të mbështeten!” Edhe të krishterët thonë: “Hebrenjtë nuk kanë kurrfarë urdhërrëfimi ku të mbështeten!” Ndërkohë, të dyja palët lexojnë të njëjtin Libër. Po kështu, edhe ata që nuk dinë, thonë të njëjtat fjalë. Allahu do t’i gjykojë kundërshtitë e tyre në Ditën e Kiametit” (El Bekare: 113). Gjithashtu, (përçarja dhe ndarja) ndodh në mospajtimet rreth interpretimit të Fjalëve të Allahut.

Ibën Tejmije në “Tefsiru ajatin eshkelet-Komentimi i disa ajeteve të ngatërruara/paqarta” (2/704) thotë: “Vërtetë që rreth kësaj (keqinterpretimit) umetin e goditi një trazirë tejet e madhe dhe u përçan sipas tekave dhe mendimeve të tyre. Krejt kjo ndodhi pasi që kaluan tre shekujt e artë, kur u shfaqen Xhehminjët të prejardhur nga Sabiunët”. Pastaj i sjelli disa nga ajetet e lartcekura, dhe duke folur për Kuranin tha: “Mospajtimi rreth tij është dy lloje: mospajtimi rreth zbritjes së tij, dhe mospajtimi rreth interpretimit të tij. Mospajtuesit të cilët Allahu i nënçmoi janë ata që ishin kontradiktorë rreth së vërtetës, duke e refuzuar të vërtetën që ndodhej te tjetri.

Obligim është të besohet e gjithë e vërteta e zbritur, kurse ai i cili e beson njërën (pjesë) kurse e mohon tjetrën, ky është mospajtimi për të cilin njëri nga dy grupet nënçmohet. Siç Allahu i Lartësuar thotë: “Nga këta të dërguar, disa syresh i ngritëm mbi të tjerët. Disave Allahu u foli drejtpërdrejt, kurse të tjerë i ngriti në shkallë të larta. Ne i dhamë Isait, birit të Merjemes, prova (mrekulli) të qarta dhe e ndihmuam me Shpirtin e Shenjtërisë (Xhebrailin a.s.). Sikur të donte Allahu, njerëzit që erdhën pas të dërguarve nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin pas ardhjes së provave të qarta, por ata u përçanë: disa besuan, kurse të tjerët mohuan” (El Bekare: 235).

Mospajtimi rreth zbritjes së tij është më i madh për nga mëkati, dhe ky është mospajtimi të cilin e kishim për qëllim këtu. Prandaj, themi: mospajtimi rreth zbritjes së tij është mes besimtarëve dhe jobesimtarëve; sepse besimtarët besuan atë që zbriti, kurse jobesimtarët e mohuan Librin dhe atë që Allahu i dërgoi Pejgamberët me të, mirëpo ata do ta dinë në të ardhmen (kush ishte në të vërtetën). Pra, besimtarët prej myslimanëve, hebrenjve, të krishterëve, dhe sabiunëve besojnë në llojin e të Dërguarve dhe Librave. Kurse jobesimtarët prej paganëve, mexhusëve, dhe sabiunëve mohojnë llojin e Librave dhe të Dërguarve”.

Pastaj, i përmendi disa prej ajeteve të Bekaresë që u cekën më lartë, dhe tha: “Kurse në suren që vijon Allahu thotë: “Elif Lâm Mîm. Allahu! Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje. Ai të ka shpallur ty Librin, me të vërtetën e saktë, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai i ka zbritur Teuratin dhe Ungjillin më parë si udhërrëfyes për njerëzit dhe ka zbritur edhe Dalluesin (e së vërtetës nga e pavërteta)” (Alu Imran: 1-4). Në mes të sures e përmendi besimin në shpalljen që Ai e zbriti[2], dhe gjithashtu, e përmendi në fund të saj: “Midis ithtarëve të Librit, me siguri ka të atillë që e besojnë Allahun dhe atë që ju është shpallur juve, si dhe atë që u është shpallur atyre, duke qenë të përulur para Allahut” (Alu Imran: 199). Për këtë, vendimi për këtë parim është madhështuar në Kuran, prandaj, nganjëherë me të hapen suret…”.

Qëllimi nga kjo është të sqarohet roli madhështor i këtij Libri Fisnik në unifikimin e umetit dhe udhëzimin e tij, të paralajmërohet që të mos mbyllen sytë para faktit se lidhja e zemrave duhet të bëhet duke i bashkuar në atë që kanë qenë selefi (gjeneratat e para), dhe se ata të cilët e kanë përcaktuar veten e tyre që t’ua komunikojnë njerëzve domethënien e asaj që Allahu e ka zbritur në Kuran të pastër dhe të kulluar nga tefsiret e pasuesve të bidatit janë duke bërë xhihad të madh. Siç i ka ndodhur ky keramet (nderim) Ali bin Ebi Talibit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të cilin Allahu e nderoi me luftimin e Havarixhëve për shkak të (keq)interpretimit të Kuranit, ashtu si i luftoi paganët, më herët, për shkak (të mohimit) të zbritjes së tij. Për këtë, hoxha i Buhariut dhe Muslimit, Jahja bin Jahja, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mbrojtja e sunetit është më e vlefshme se xhihadi në rrugën e Allahut”. Muhamed bin Jahja Edh Dhuhlij thotë: “I thashë Jahjas: Ky është më i vlefshëm se ai i cili shpenzon pasurinë e tij dhe e lodh veten e tij duke bërë xhihad? Tha: Po, shumë më i vlefshëm”. Transmeton Hereviu në “Dhemmu elkelam – Nënçmimi i Kelamit” (1089).

Nëse ti e shfleton bibliotekën Islame prej fillimit kur dijetarët e këtij umeti kanë filluar të shkruajnë, do të habitesh me numrin e madh të librave të cilat gjenerata e para i shkruan si kundërpërgjigje ndaj pasuesve të bidatit. Këto refuzime përfaqësojnë xhihadin e umetit ndaj atyre që e (keq)interpretuan Librin Fisnik. Sikur mos të ishte ky xhihad prej tyre, atëherë feja neve nuk do të na kishte arritur veçse e shtrembëruar. Ndoshta shtrembërimi i saj do të kishte arritur deri aty sa që kjo fe nuk do të dallonte prej feve tjera pagane, siç ndodhi me pasuesit e Librit (hebrenjtë dhe të krishterët). Mirëpo, Allahu me mirësinë e Tij e shkroi (e bëri obligim) ruajtjen e kësaj feje, dhe për ruajtjen e saj përzgjodhi burra të cilët i përgatiti për këtë detyrë madhështore; pasi që e pa se zemrat e tyre nuk janë njollosur me idenë e lajkatimit ndaj pasuesve të bidatit, apo orvatjes së bashkimit me ta, edhe pse tek ata ndodhet interpretimi i refuzuar i domethënieve të Fjalëve të Allahut (Kuranit).

Myslimanit të suksesshëm i hapet gjoksi i tij (i pranon) të dy llojet e xhihadit. Nuk e lenë xhihadin kundër pasuesve të bidatit me arsyetimin se tani ka jobesimtarë të cilët e kundërshtojnë fenë e Allahut, siç është e njohur kjo prej bazave të disa njerëzve të cilët janë të angazhuar me davet (thirrje Islame). Ata janë të cilëve u janë ngushtuar gjokset e tyre në luftën kundër pasuesve të bidatit; atyre të cilët e shëmtuan bukurinë e fesë, e njollosën pastërtinë e saj, dhe ishin shkaktarë në ndarjen e safave (rreshtave) të saj. Ata thanë: Të bashkohemi aty ku pajtohemi, dhe ta arsyetojmë njëri tjetrin aty ku nuk pajtohemi. Kështu u bashkuan me ata të cilët i urrejnë shokët e të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), me ata të cilët shkelën të hakun (të drejtën) e Allahut duke mos e njësuar në uluhije (adhurim), me ata të cilët e nënçmuan Allahun në (mohimin) e Emrave dhe Cilësive të Tij, me ata të cilët tallen me sunetin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem), dhe me të tjerë të cilët devijuan nga sheriati (feja) e Zotit të botëve me ndonjë nga bidatet. Me gjithë këtë atyre nuk u lëvizi asnjë qime (nuk u rrëqethen) si xhelozi për fenë e Allahut (azze ue xhel-le), e Allahu është Ai të cilin e lusim për ndihmë!

Përktheu: Lulzim Perçuku

_____________________________________________

[1] Kjo temë është shkëputur nga libri “Min kul-li suretin faide – Prej çdo sureje përfitojmë së paku një dobi” i shejhut AbdulMalik bin Ahmed Ramadani.

[2] Ka për qëllim Fjalën e Allahut të Lartësuar: “Zoti ynë! Ne besojmë atë që na ke shpallur dhe pasojmë të Dërguarin (Isain). Na shkruaj pra, bashkë me dëshmitarët!” (Alu Imran: 53).

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit