Surja en Nasr – Komentim

Surja Nasr


إِذَا جَآءَ نَصۡرُ ٱللَّهِ وَٱلۡفَتۡحُ وَرَأَيۡتَ ٱلنَّاسَ يَدۡخُلُونَ فِي دِينِ ٱللَّهِ أَفۡوَاجٗا فَسَبِّحۡ بِحَمۡدِ رَبِّكَ وَٱسۡتَغۡفِرۡهُۚ إِنَّهُۥ كَانَ تَوَّابَۢا


  1. 1. “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)
  2. dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe,
  3. atëherë madhëroje me lavëdrim (e falënderim) Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.

 

-“ إِذَا جَآءَ نَصۡرُ ٱللَّهِ – ndihma e Allahut” nënkupton: ndihma e Allahut ndaj dikujt për të triumfuar ndaj armikut e për të ngadhënjyer. Ndihma dhe triumfi është gëzimi më i madh që e arrin njeriu (në rastin kur kjo bëhet me të drejtë). Allahu ia përmend në këtë ajet Pejgamberit salAllahu alejhu ue selem ndihmën dhe triumfin që ia ka dhënë ndaj armikut (mushrikëve).

 

-“ وَٱلۡفَتۡحُ – dhe çlirimi”. Edhe pse së bashku me ndihmën ka ardhur çlirimi, Allahu këtu në ajet, çlirimin e rendit pas ndihmës për të potencuar rëndësinë që ka pasur ky çlirim dhe pozitën e madhe tek Ai. “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi” për të treguar se ky çlirim nuk është sikur çlirimet e tjera, ka një pozitë më të veçantë e një vlerë më të madhe. Sahabët e kanë ditur se për qëllim është çlirimi i Mekës.

Allahu ia ka mundësuar Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem të çlirojë Mekën në vitin e tetë hixhri. Ai salAllahu alejhi ue selem ka bërë marrëveshje të paqes me kurejshët, në Hudejbije, viti i gjashtë hixhri. Mirëpo, kurejshët e kanë thyer këtë marrëveshje. Andaj Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka përgatitur ushtri dhe ka shkuar për ta çliruar Mekën. Ka dal prej Medinës me dhjetë mijë ushtarë, fshehtas, dhe ka hyrë në Meke si fitues e triumfues. Mushrikët e Mekës janë mbledhur rreth tij (rreth Qabesë, ka qenë në të),dhe pasi ka fal dy rekate në Qabe, ka dal te dera e saj i mbështetur për të dy anët e derës e ka thënë: “O grumbull i kurejshëve! Çfarë mendoni se do të bëj tash me ju?” Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kishte ikur prej Mekës para tetë vitesh, ngase mushrikët e kishin kërcënuar me vrasje, me burgosje, me gjëra të frikshme, e ndërsa tash ishte kthyer si triumfues dhe me mundësinë të bëjë çfarë të dojë me ta. Ata i thonë: “Mendojmë se do të veprosh mirë. Ti je vëlla fisnik dhe biri i një vëllai fisnik.” Atëherë ai u ka thënë: “Unë ju them ashtu siç iu tha Jusufi vëllezërve të tij: S’ka qortim për ju sot. Allahu ua fal juve (Jusuf 92).” Shkoni se jeni të lirë!” Allahu këtë çlirim e ka quajtur “fet’han mubine – çlirimi i qartë”, siç thotë në Kuran: “Ne të dhamë ty një çlirim (fitore) të qartë…” Fet’h 1. Kur njerëzit e panë këtë çlirim të Mekës, duke arritur (muslimanët) të marrin kryeqytetin e kurejshëve, e cila ka qenë qendra kryesore e tyre, e kuptuan se përfundimi i lumtur i takon Muhamedit salAllahu alejhi ue selem dhe shokëve të tij dhe se roli i kurejshëve ka mbaruar (s’kanë më ndikim dhe rrënjë në jetën e banorëve të Gadishullit arabik).

 

-“ وَرَأَيۡتَ ٱلنَّاسَ يَدۡخُلُونَ فِي دِينِ ٱللَّهِ أَفۡوَاجٗا– dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe”. Fillimisht njerëzit para këtij çlirimi hynin në fe individë, madje në disa raste fshehtas. Ndërsa, pas këtij çlirimi njerëzit hynin në fe grupe-grupe; vinin delegacione (prijës të fiseve me parinë e tyre) të shumta në Medine te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem për të pranuar Islamin, saqë ky vit (viti i nëntë) është quajtur “viti i delegacioneve”.

 

-“ فَسَبِّحۡ بِحَمۡدِ رَبِّكَ وَٱسۡتَغۡفِرۡهُۚ إِنَّهُۥ كَانَ تَوَّابَۢا– atëherë madhëroje me lavdërim (e falënderim) Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve”. Pas këtyre mirësive të shumta të dhëna nga Allahu, mendja njerëzore do të thoshte “atëherë falëndero Allahun”, mirëpo Allahu thotë “madhëroje (lartësoje) me lavdërim (e falënderim) Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai” (tesbih me hamd dhe istigfar). Kur mediton në këtë arrihet urtësia se pse Allahu e urdhëron Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem ta bëjë tesbih Atë. Pra, pasi arrite çlirimin e Mekës dhe triumfin, kjo tregon se të është afruar vdekja, andaj nuk të ka mbetur tjetër veçse ta bësh tesbih Allahun së bashku me hamd (subhanekAllahu ue bihamdike) dhe të bësh istigfar.

Tesbih: lartësim dhe pastrim ndaj Allahut, nga të gjitha të metat (që mund t’i mvishen). Këtë duke e shoqëruar me hamd: lavdërim ndaj Allahut, për cilësitë e Tij të përsosura, me dashuri e madhërim ndaj Tij.

Istigfar: Kërkim i faljes (makfiretit) tek Allahu, pra kërkim që Ai të t’i mbulojë mëkatet, dhe përveç kësaj edhe t’i shlyejë (mos të dënojë për to).

Allahu përmes kësaj sure ka treguar për shenjat se i është afruar vdekja Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, i cili dhe pas zbritjes së kësaj sure- edhe pse ka qenë njeriu që më së shumti ka bërë adhurime dhe e ka pasur frikë Allahun- e ka shtuar edhe më shumë një dhikër që e ka bërë në ruke e sexhde:

“سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ رَبَّنَا وَبِحَمْدِكَ اللَّهُمَّ اغْفِرْ لـِي”- Subhaneke Allahumme Rabbena, we bihamdike, Allahumme gfirli.

“I Lartësuar dhe i Pastër je ti o Allah, Zoti ynë, dhe Ty të bëj Lavd (e falënderim). O Allah më fal mua!” Buhariu dhe Muslimi.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset e tefsirit – Transkriptim.