Surja Gashije – Komentim

Surja Gashije – Komentim

بِسْمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحْمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ

هَلْ أَتَىٰكَ حَدِيثُ ٱلْغَٰشِيَةِ ۝ وُجُوهٌۭ يَوْمَئِذٍ خَٰشِعَةٌ ۝ عَامِلَةٌۭ نَّاصِبَةٌۭ ۝ تَصْلَىٰ نَارًا حَامِيَةًۭ ۝ تُسْقَىٰ مِنْ عَيْنٍ ءَانِيَةٍۢ ۝ لَّيْسَ لَهُمْ طَعَامٌ إِلَّا مِن ضَرِيعٍۢ ۝ لَّا يُسْمِنُ وَلَا يُغْنِى مِن جُوعٍۢ ۝ وُجُوهٌۭ يَوْمَئِذٍۢ نَّاعِمَةٌۭ ۝ لِّسَعْيِهَا رَاضِيَةٌۭ ۝ فِى جَنَّةٍ عَالِيَةٍۢ ۝ لَّا تَسْمَعُ فِيهَا لَٰغِيَةًۭ ۝ فِيهَا عَيْنٌۭ جَارِيَةٌۭ ۝ فِيهَا سُرُرٌۭ مَّرْفُوعَةٌۭ ۝ وَأَكْوَابٌۭ مَّوْضُوعَةٌۭ۝ وَنَمَارِقُ مَصْفُوفَةٌۭ۝ وَزَرَابِىُّ مَبْثُوثَةٌ ۝ أَفَلَا يَنظُرُونَ إِلَى ٱلْإِبِلِ كَيْفَ خُلِقَتْ ۝ وَإِلَى ٱلسَّمَآءِ كَيْفَ رُفِعَتْ ۝ وَإِلَى ٱلْجِبَالِ كَيْفَ نُصِبَتْ۝ وَإِلَى ٱلْأَرْضِ كَيْفَ سُطِحَتْ ۝ فَذَكِّرْ إِنَّمَآ أَنتَ مُذَكِّرٌۭ ۝ لَّسْتَ عَلَيْهِم بِمُصَيْطِرٍ۝ إِلَّا مَن تَوَلَّىٰ وَكَفَرَ ۝ فَيُعَذِّبُهُ ٱللَّهُ ٱلْعَذَابَ ٱلْأَكْبَرَ ۝ إِنَّ إِلَيْنَآ إِيَابَهُمْ ۝ ثُمَّ إِنَّ عَلَيْنَا حِسَابَهُم ۝

 

“هَلْ أَتَىٰكَ حَدِيثُ ٱلْغَٰشِيَةِ  – A ke dëgjuar për Ngjarjen Gjithëpërfshirëse (Kiametin)?”- I drejtohet Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem e pastaj umeti e pasojnë atë, ose i drejtohet çdo kujt që i kupton ato (ka logjikë). Allahu këtë pyetje e ka bërë me qëllim që të nxisë për vepra të mira, të përgatiten për ditën kur do të vijë el gashije. Ndërsa, kuptimi tjetër pse Allahu e ka sjellë këtë pyetje, është që të tregojë se ajo është një ditë shumë e madhe. El gashije është ngjarja e madhe që përfshin çdo gjë, njerëzit, krijesat, universin, e ajo është Dita e Kiametit (pra prej emrave të saj është dhe el gashije). Allahu thotë: “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” Haxh 1-2.

Pastaj na tregon se njerëzit do të ndahen në dy grupe atë Ditë:

” وُجُوهٌۭ يَوْمَئِذٍ خَٰشِعَةٌ – Atë Ditë do të poshtërohen fytyra njerëzish”- do të ketë fytyra të përulura, prej poshtërimit që do t’i kaplojë ata.

“عَامِلَةٌۭ نَّاصِبَةٌۭ  – që kanë punuar e janë rraskapitur”- Mendimi më i saktë është se jobesimtarët në Ditën e Gjykimit do të tërheqin zvarrë prangat e zinxhirët me të cilët do të lidhen, e do të jenë të rëndë e të gjatë, e pastaj ashtu do të hyjnë në zjarrin e xhehenemit. Pra, kjo është një punë e lodhshme, rraskapitëse.

“تَصْلَىٰ نَارًا حَامِيَةًۭ  – Ata do të digjen në zjarr të nxehtë”- Këta do të hyjnë në zjarr, i cili ka arritur skajshmërinë e nxehtësitë.

Do të kenë për të pirë e për të ngrënë dhe na tregon se si do të jetë kjo në këto dy ajete:

“تُسْقَىٰ مِنْ عَيْنٍ ءَانِيَةٍۢ  – e do të pinë nga burime të valuara”- ujë të vluar, kur i kaplon etja e madhe kërkojnë të pinë ujë dhe u jepet prej këtij uji. Kur u afrohet fytyrave të tyre për ta pirë u bije menjëherë lëkura e mishi, u mbeten vetëm kockat, e kur e pinë ua copëton zorrët. E megjithatë ata do ta pinë këtë ujë, ky është një lloj ndëshkimi për ta.

“لَّيْسَ لَهُمْ طَعَامٌ إِلَّا مِن ضَرِيعٍۢ  – Për ata nuk do të ketë tjetër ushqim, përveç ferrave helmuese”- Darii është një pemë e thatë, e cila ka ferra, gjemba.

“لَّا يُسْمِنُ وَلَا يُغْنِى مِن جُوعٍۢ  – të cilat as nuk do t’i mbajnë, as nuk do t’ua shuajnë urinë”- Ky ushqim nuk i shëndoshë, nuk u bën dobi në aspektin e jashtëm, e as nuk ua shuan urinë. Për ta përbirë atë është e vështirë. Ky ushqim është i hidhur, me aromë të keqe, të ndyrë.

Pas kësaj na tregon për grupin e dytë të njerëzve, e këta janë besimtarët:

“وُجُوهٌۭ يَوْمَئِذٍۢ نَّاعِمَةٌۭ  – Atë Ditë, fytyrat e disave do të jenë të gëzuara”- për shpërblimin e madh që Allahu ua ka dhënë. Janë të gëzuara ngase ata qysh duke qenë në varr e kanë ditur se çfarë e mire i pret në ahiret. Në varr besimtari përmes një derë (a dritare) sheh vendin e tij në xhenet dhe prej xhenetit i vijnë aromat dhe kënaqësitë e tij. Qysh në varr ndjen kënaqësi dhe e di përfundimin e tij. Andaj, kur të ndodhë Dita e Gjykimit ai do të jetë i gëzuar.

“لِّسَعْيِهَا رَاضِيَةٌۭ  të kënaqura për punët e bëra”- që kanë bërë në dunja, ngase e dinë se ato janë bërë shkak që të arrijnë këtë kënaqësi e gëzim.

“فِى جَنَّةٍ عَالِيَةٍۢ  – Ata do të jenë në kopshtin e lartë”- Xheneti është një vendstrehim të cilin Allahu e ka përgatitur për besimtarët e tij, për miqtë e Tij. Allahu thotë në hadith kudsij: “Për robërit e Mi të devotshëm kam përgatitur atë që syri nuk e ka parë kurrë, veshi nuk ka dëgjuar për të e as zemra nuk mund ta parafytyrojë se si është shpërblimi aty.” Allahu thotë: “Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” Sexhde 17. Xheneti është në një vend të lartë. Ai është përmbi shtatë qiej. E më i larti i këtij xheneti është Firdeusi dhe është në mes të tij. Përmbi Firdeus është Froni i Allahut. Ata që vendosen në Firdeus kanë arritur një shkallë të lartë.

لَّا تَسْمَعُ فِيهَا لَٰغِيَةًۭnë të cilin nuk do të dëgjojnë fjalë boshe”- fjalë të kota, pa kuptim. Aty do të dëgjojnë vetëm fjalë të mira, si: selami, dhikri.

فِيهَا عَيْنٌۭ جَارِيَةٌۭ  – Atje ka një burim rrjedhës uji”- Allahu na ka treguar se si janë lumenjtë e Xhenetit: “…një vend, ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar.” Muhamed 15. Këta lumenj rrjedhin vazhdimisht. Qëllimi është: banorët e xhenetit nuk kanë nevojë të gropojnë për të dalë uji, por uji është i rrjedhshëm dhe do të rrjedhë përmbi tokë, dhe ata ngado që dëshirojnë mund ta drejtojnë atë (nuk kanë shtrat, kanal, por ecin lirshëm).

“فِيهَا سُرُرٌۭ مَّرْفُوعَةٌۭ  – dhe divane të ngritura”- shtretër të lartësuar. Ata që ulen aty do të kënaqen.

“وَأَكْوَابٌۭ مَّوْضُوعَةٌۭ – ka kupa të vëna (për t’u mbajtur në dorë)”- gota, që do t’i kenë shumë afër, do t’i marrin me lehtësi dhe do të pinë me to prej atyre lumenjve.

“وَنَمَارِقُ مَصْفُوفَةٌۭ – dhe jastëkë të renditur”-në të cilët do të mbështeten, janë të renditur në mënyrën më të mirë, saqë kur i shikon të kënaqin e pastaj kur mbështetesh në to arrin kulminacionin e kënaqësisë.

“وَزَرَابِىُّ مَبْثُوثَةٌ  – si dhe shumë qilima të shtruar”-shtrojat, të shpërndara me rregullsi, në çdo vend në xhenet.

Këta gjëra që u përmenden nuk janë të ngjashme sikur ato të dunjas, realiteti i tyre është tjetër, vetëm në emra janë të ngjashme.

“أَفَلَا يَنظُرُونَ إِلَى ٱلْإِبِلِ كَيْفَ خُلِقَتْ  – Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?!”- Allahu e sjell këtë pyetje në formë qortimi, për ata që kanë mohuar atë që Allahu na ka treguar se do të ndodhë në Ditën e Gjykimit, ata kanë mohuar shpërblimin dhe ndëshkimin për njerëzit. I qorton ata që ia kanë kthyer shpinën provave të cilat Allahu i ka vendosur para tyre (t’i shohin me sy). Fillon me përmendjen e deveve sepse në kohën e zbritjes së Kuranit ato janë përdorur më së shumti prej kafshëve (për t’i mjelë, për t’i ngrënë, për të udhëtuar, për të marrë leshin për rroba etj.). Ato kanë trupa të mëdhenj me të cilët bartin barrë të rënda. Ato ecin me distancë të largët edhe pse kanë barra të ngarkuara. Deveja dhe quhet “Anija e shkretëtirës”. Ajo depoziton brenda trupit të saj ujë dhe ecë në largësi pa pasur nevojë të ndalet të pijë në burime. Allahu e ka nënshtruar devenë për njeriun, ajo mundet/ka forcë të ngrehët në këmbë prej ulur me gjithë barrën e saj të ngarkuar. Allahu e ka bërë shumë të dobishme për njeriun.

“وَإِلَى ٱلسَّمَآءِ كَيْفَ رُفِعَتْ  – Po qiellin, se si është ngritur?!”- në të ka vendosur yje, planetë, galaktika, diellin e hënën, dhe të tjera (të pazbuluara), me të cilat arrihet në përfundim se ky kozmos e ka një Krijues i Cili është i Gjithëdijshëm. Provat e vendosura në të janë të shumta. Allahu e ka ngritur shumë lartë dhe nuk e ka bërë të mbështetur (nuk mbahet) në shtylla.

“وَإِلَى ٱلْجِبَالِ كَيْفَ نُصِبَتْ  – Po malet, se si janë vënë të patundur?!” – Malet përbëjnë në vetët e tyre gurë të mëdhenj, të ndryshëm, minerale të ndryshme, metale etj. Lartësia e maleve mbi sipërfaqe është e njëjtë me thellësinë e tyre në tokë. Kjo që toka të mos tundet. Allahu i ka bërë malet si shtylla, që banorët e saj të ecin lirshëm mbi të. Prej dobive të tjera të maleve është se i mbrojnë njerëzit prej stuhive të ndryshme që vijnë nga detet, bëhen pengesë për mos shkatërrimin e ndërtesave apo të mbjellave dhe pengesë që të mos i përfshijnë njerëzit. Ata janë aq të fortë saqë nuk mund t’i lëvizë stuhia.

“وَإِلَى ٱلْأَرْضِ كَيْفَ سُطِحَتْ  – Po Tokën, se si është shtrirë?!”- E ka bërë të shtrirë, të gjerë, që njerëzit të munden të jetojnë lehtësisht në të, të mbjellin, të korrin, të ndërtojnë etj. Nëse do të ishte pjerrtas apo tatëpjetë, njerëzit nuk do të mundnin të qëndronin e të ndërtonin në to. Disa dijetarë këtë ajet e kanë marrë për argument se toka është e rrafshët, jo sferike, mirëpo ky është gabim dhe nuk ka argument për këtë gjë në këtë ajet. Përkundrazi, në ajete të tjera në Kuran përmendet se toka është sferike (e rrumbullakët). Allahu thotë: “Ai e bën natën të kalojë në ditë dhe ditën në natë…” Zumer 5. Kuptimi në arabisht: e rrotullon, e mbështjellë natën në ditë dhe ditën në natë, e mbështjellë në mënyrë rrethore. Dhe: “kur Toka të sheshohet (nga rrënimi i maleve)” Inshikak 3. Kjo në Ditën e Gjykimit. Kjo tregon se toka nuk është e rrafshët, por është e rrumbullakët. Ka ardhur në një hadith se toka në atë Ditë do të shtrihet/sheshohet siç shtrihet lëkura e kafshës kur të regjet. Dihet se zbulimet bashkëkohore tregojnë se toka ka formë sferike. Dhe Allahu ka caktuar ligje të caktuara në kozmos që lumenjtë e detet të mos derdhen edhe pse toka ka formë sferike.

“فَذَكِّرْ إِنَّمَآ أَنتَ مُذَكِّرٌ  – Prandaj këshilloji (njerëzit o Muhamed), se ti je vetëm këshillues”- Kjo tregon se këshilla është e përgjithshme. Allahu i thotë në këtë ajet Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem të këshillojë çdokënd dhe në çdo vend. Këtë urdhër e ka çuar në vend (si është më së miri). Po ashtu dhe shokët e tij. Prej këshillës përfitojnë vetëm besimtarët, jo të gjithë njerëzit. Mirëpo, nëse sheh se zemra jote nuk e merr këshillën (edhe pse je besimtar), nuk ndikohet, nuk ke dobi, atëherë fillo të akuzosh veten tënde, se besimi yt është i mangët. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është ai i cili na ka kumtuar atë me të cilën na ka urdhëruar Allahu, na ka përcjellë, na ka kujtuar Atë e ndëshkimin e Tij, ai ka paralajmëruar e ka këshilluar deri në momentet e vdekjes, mirëpo udhëzimi është në Dorën e Allahut. Askush nuk mund ta udhëzojë atë që dëshiron, sado që e do atë apo e ka të afërm. Por, mund ta lusë Allahun që ta udhëzojë atë.

“لَّسْتَ عَلَيْهِم بِمُصَيْطِرٍ  – dhe nuk je ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!”- Qëllimi është: Nuk mund t’i detyrosh të tjerët me forcë të pranojnë udhëzimin, pushteti i takon vetëm Allahut, obligimi yt është vetëm përcjellja e kumtimi.

“إِلَّا مَن تَوَلَّىٰ وَكَفَرَ  – Mirëpo, ata që shmangen dhe nuk besojnë”-

“فَيُعَذِّبُهُ ٱللَّهُ ٱلْعَذَابَ ٱلْأَكْبَرَ  – Allahu do t’i ndëshkojë me dënimin më të madh”-

Pra, ajo që na takon neve është t’i thërrasim të tjerët e t’i këshillojmë në të vërtetën, nuk kemi forcën t’i detyrojmë ta pranojnë atë dhe nuk na lejohet kjo, mirëpo gjithashtu duhet t’ua sqarojmë se nëse nuk e pranojnë atëherë Allahu do t’i ndëshkojë me dënimin më të madh. Ata që janë shmangur prej të vërtetës pasi u ka ardhur ajo, pasi Pejgamberi salAllahu alejhi dhe të tjerët pas tij e kanë kumtuar dhe e kanë përcjellë atë, pasi u ka arritur shpallja që i ka zbritur atij salAllahu alejhi ue selem ia kthejnë shpinën, shmangen (nuk e pranojnë, nuk duan ta dëgjojnë me zemër) dhe e mohojnë (tregohen mendjemëdhenj, kryelartë), atëherë Allahu do t’i ndëshkojë me ndëshkimin më të madh, më i madh se çdo ndëshkim tjetër.

“إِنَّ إِلَيْنَآ إِيَابَهُمْ  – Pa dyshim, ata do të kthehen të gjithë tek Ne”- pra sado që njeriu mundohet t’i ikë kësaj dhe sado që të jetojë gjatë. Gjithsesi do të takohet me Allahun, andaj duhet të përgatitet për këtë takim. Duhet të pendohet e të kërkojë falje për mëkatet dhe të shtojë veprat e mira derisa ta takojë Allahun.

“ثُمَّ إِنَّ عَلَيْنَا حِسَابَهُم  – dhe patjetër që do të japin llogari para Nesh!”- Mënyra e kësaj llogarie që njerëzit do ta japin tek Allahu, është se besimtari do të vetmohet me Allahun dhe do ta detyrojë të pranojë mëkatet (ke bërë këtë e këtë) dhe Allahu do t’ia falë, ndërsa jobesimtari nuk do të japë llogari në këtë mënyrë sepse nuk ka vepra të mira përmes të cilave do t’iu fshihen mëkatet, mirëpo e llogarit për çdo vepër të keqe, prej kufrit, shirkut dhe të tjerave, e pastaj mëkatet ia zbulon publikisht, para të gjitha krijesave, ia numëron një nga një dhe pas kësaj e hedh në zjarr të xhehenemit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit