Të jesh pasues i sunetit, a do të thotë të jesh i pa prekur prej mëkateve (të mëdha e të vogla)?

Të jesh pasues i sunetit, a do të thotë të jesh i pa prekur prej mëkateve (të mëdha e të vogla)?

Është kuptim i gabuar të mendohet se pasuesi i sunetit është i paprekur prej gabimeve. Përkundrazi, njerëzit më të mirë në sipërfaqen e tokës, sahabët radijAllahu anhuma, shokët e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, kanë bërë gabime e mëkate.

Kur themi “pasues të sunetit”, do të thotë: pasues ndaj rrugës në të cilën ka qenë i Dërguari salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij. Përderisa sahabët kanë pasur gabime e lëshime- kuptohet se prej akides së ehli sunetit është se nuk ka njeri të pagabueshëm, madje dijetarët thonë se edhe të Dërguarit e Allahut kanë bërë mëkate të vogla, por kanë qenë të ruajtur prej mëkateve të mëdha- atëherë ne jemi më primarë për të bërë mëkate.

Mirëpo, besimtari i mirë, ose pasuesi i vërtetë i sunetit, kur e bën një mëkat, ai shpejton në pendimin tek Allahu dhe nuk vazhdon në të. Allahu kur i përshkruan besimtarët e mirë thotë: “…nuk vazhdojnë në atë që kanë punuar (në të keqën).” Ali Imran, 135.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Sikur të mos bënit mëkate, Allahu do t’ju zëvendësonte me disa njerëz të tjerë të cilët veprojnë mëkate dhe kërkojnë falje tek Ai.” Kjo tregon se në natyrën e njeriut është bërja e gabimeve. Mirëpo, besimtari duhet të ruhet prej mëkateve dhe shkaqeve që e dërgojnë në mëkate. E nëse pas këtyre bie në mëkat, atëherë kërkon falje tek Allahu, me shpreson se Ai ia fal atë.

Gjithashtu, pasuesi i vërtetë i sunetit nuk e justifikon veten për mëkatet dhe gabimet e tij, e më keqja të thotë: “Unë jam pasues i sunetit dhe jam i sigurt nga devijimi. Andaj, unë bidate nuk bëj, por bëj mëkate, e bidati është më i madh sesa mëkati. Por, s’ka gjë që bëj mëkate ngase jam pasues i sunetit.” Ky është kuptim i gabuar i pasimit të sunetit, ngase kur themi “pasim i sunetit” është për qëllim pasimi ashtu siç ka qenë rruga e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem dhe e selefëve, pasim në akide, sunet e adhurime, por edhe në sjellje, morale dhe edukatë.

Disa njerëz kanë keqkuptuar. Ata e ndajnë fenë pjesë-pjesë. Thonë: “Ne jemi në rrugën e sunetit, po ruhemi nga bidati dhe bidatxhinjtë, e sa i përket sjelljeve nuk ka gjë nëse nuk pajisemi me edukatën e selefit.” Thonë se mjafton t’i themi vetes ehli sunet dhe këtë e marrin si lloj garancie se do të hyjnë në xhenet.

Përkundrazi, duhet pasur kujdes sepse mëkatet janë shumë të rrezikshme, sjellin pasoja të mëdha në të dy botët. Është rrezik që njeriu të devijojë pas një kohe për shkak të lëshimit në mëkate. Dijetarët, si për bidatin, si për mëkatin, kanë thënë njëjtë: “Bidati është postë që e dërgon njeriun në kufër, mirëpo edhe mëkati është postë që e dërgon njeriun në kufër”. Këta njerëz (që kanë keqkuptuar) e kanë marrë veç thënien e parë dhe thonë: “Ruhemi prej bidateve e s’ka gjë nëse nuk ruhemi prej mëkateve” sepse ia garantojnë vetes se janë ehli sunet dhe se janë në xhenet. Kjo është gabim. Edhe mëkatet janë postë që mund ta dërgojnë njeriun në xhehenem.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit