Të mirat e kësaj bote

 

• Të mirat e kësaj bote nuk sjellin kënaqësi. Ato nuk duhet të mbesin në zemër, por në dorën e personit, duke i shfrytëzuar për të arritur kënaqësinë e besimit, në të dy botët, p.sh.:
– shëndeti shfrytëzohet për shtimin e adhurimeve, e kur shtohen adhurimet ndaj Allahut atëherë pa dyshim shtohet kënaqësia e zemrës e lumturia;
– kur ke pasuri jep lëmoshë, e lëmosha e zbutë zemrën, e kur zbutet zemra më lehtë preket e qan gjatë leximit të ajeteve etj., apo iu ndihmon atyre që kanë nevojë, si: borxhlinjtë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush ia lehtëson një brengë prej brengave të kësaj bote vëllait të tij musliman, atij Allahu ia lehtëson një brengë prej brengave të botës tjetër”. Nëse ia shtyn borxhin apo ia përgjysmon, shpërblehesh me lehtësim të çështjeve, e si është puna nëse ia fal tërë borxhin? Pa dyshim se kjo sjellë gëzim e lumturi në zemër.

Selefi ka thënë: “Është një xhenet në këtë botë, ai që nuk hyn në të në këtë botë nuk do të hyjë në xhenetin e botës tjetër.” E ky është xheneti i adhurimit. Kur njeriu e adhuron Allahun, ai ndjen kënaqësi në zemër saqë i duket se është në xhenet. Për t’iu hapur zemra njeriut e të ndjejë kënaqësi e lumturi, duhet të mësojë më shumë për Allahun, për Cilësitë e Tij, për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem dhe të shtojë veprat e mira. Nëse shikojmë jetën e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem gjejmë se sa shumë i lumtur ka qenë ai, pavarësisht sprovave të mëdha që ka pasur. Atij i kanë vdekur të gjithë fëmijët sa ka qenë gjallë përveç Fatimes, e cila ka vdekur gjashtë muaj pas tij. Atij i kanë bërë magji. Është përzërë nga vendi i tij duke lënë pasurinë dhe shtëpinë. Është kërcënuar me vdekje dhe e kanë frikësuar armiqtë vazhdimisht. Është sprovuar me varfëri; sahabët kanë treguar për të se në zërin e tij kanë vërejtur se është i uritur. Dhe sprova të tjera të shumta me të cilat është ballafaquar. E megjithatë, gjithmonë ka qenë i buzëqeshur. Kurrë nuk është vërejtur në fytyrën e tij se është duke kaluar nëpër sprova. Kështu ngase ai e ka ditur realitetin e jetës së kësaj bote. Kjo botë (jeta e dunjasë) nuk peshon tek Allahu as sa krahu i një mize, nuk ka vlerë tek Ai. Andaj nuk u ka kushtuar rëndësi gjërave të saj. E ka ditur se të gjitha gjërat janë kalimtare dhe që i ngritin shkallët e tij në xhenet. Dhe i ka kaluar ato lehtësisht. Në zemrën e tij e ka pasur teuhidin dhe e ka ditur se ato janë prej Allahut dhe se çfarë cakton Ai është e mirë e me urtësi.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit