Thënie për moralin (sjelljen e mirë)

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Nuk është prej nesh ai që nuk i mëshiron të vegjlit tanë dhe që nuk ua di pozitën të moshuarve tanë.” Sahih El-Xhami’, 5444 dhe Sahih Et-Tergib, 98.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Shenjat e munafikut (dyfytyrëshit) janë tri, edhe nëse agjëron, falet dhe pretendon se është musliman: kur flet gënjen, kur premton nuk e mban premtimin dhe kur t’i besohet diçka tradhton.” Muslimi, 59.

 

  • Jezid ibn Habib (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Nuk lejoj që një vëlla i imi besimtar të zemërohet dy herë me mua. Përkundrazi, shikoj se çfarë ai urren dhe nuk e bëj më.” Tedhkiretu El-Huffadh, 1/87.

 

  • Imam ibn Si’dij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Prej urtësisë është përdorimi i butësisë në raport me besimtarët dhe në thirrjen e jobesimtarëve drejt Islamit.” Tejsir El-Letif El-Mennan, 312.

 

  • Nga Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) përcillet se të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i thanë: “O i Dërguar i Allahut, lutu kundër idhujtarëve!” Ai tha: “Unë nuk jam dërguar si mallkues, por si mëshirë.” Muslimi, 2599.

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u pyet për atë që më së shumti i fut njerëzit në Xhenet, ai tha: “Frika ndaj Allahut dhe morali i mirë.” Pastaj u pyet për atë që më së shumti i fut njerëzit në zjarr, ai u përgjigj: “Goja dhe organi gjenital.” Es-Sahiha, 977.

 

  • Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mësoje edukatën, para se ta mësosh dijen!” Hiljetu El-Evlija’, 6/330.

 

  • Umeri (radijAllahu anhu) thotë: “O njerëz! Të mos iu mashtrojë të folurit e shumtë të njeriut dhe ngritja e zërit që ai e bën, sepse burrë i vërtetë është vetëm ai që e ruan amanetin dhe nuk i cenon nderet e njerëzve.” Mekarim El-Ahlak, ibn Ebi Ed-Dunja, 89.

 

  • Ibn Hazmi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Mos jep përgjigje rreth fjalëve të dikujt që të përcillen, derisa të bindesh se ai i ka thënë ato.” El-Ahlak ue Es-Sijer, 29.

 

  • I thanë imam Abdullah ibn Mubarekut (Allahu e mëshiroftë): “Na e përmblidh moralin e mirë në një fjalë të vetme!” Ai u tha: “Braktisja e zemërimit.” Xhamiu El-Ulumi ue El-Hikem, 1/363.

 

 

  • Imam ibn Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) gjatë shpjegimit të porosisë së të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Mos u zemëro!”, thotë: “Kjo tregon se zemërimi përmbledh në vete çdo të keqe, ndërsa ruajtja prej tij përmbledh çdo të mirë.” Xhami’u El-Ulumi ue El-Hikem, 1/362.

 

  • Bartja e fjalëve e prish fenë dhe jetën, ajo i ndryshon zemrat, sjell urrejtje, vrasje dhe përçarje.” Bahru Ed-Dumu’, 129.

 

  • Nga U’kbe bin Amir (radijAllahu anhu) përcillet të ketë thënë: “E takova të Dërguarin e Allahut dhe më tha: “O U’kbe ibn Amir! Mbaji lidhjet me atë që i ndërpret ato me ty, jepi atij që nuk të jep dhe fale atë që të ka bërë padrejtësi!” Es-Sahiha, 6/859.

 

  • Fudajl ibn Ijadi (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Pasha Allahun! Ty nuk të lejohet ta lëndosh pa të drejtë qenin e as thiun, e si është puna e lëndimit ndaj myslimanit?!” Sijer A’lam En-Nubela’, 8/427.

 

  • Ebu Hajjan Et-Tejmij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përpara thuhej: “Njeriu i mençur duhet të kujdeset më shumë për gjuhën e tij sesa për vendin ku i vendos këmbët.” El-Uera’, i ibn Ebi Ed-Dunja, 77.

 

  • Imam AbduRrahman El-Mehdij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Njeriu le të ruhet nga morali i ulët, ashtu siç ruhet nga haramet, sepse bujaria (morali i mirë) është prej fesë.” Mekarim El-Ahlak, i ibn Ebi Ed-Dunja.

 

  • Imam Abdullah ibën El-Mubarek (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Edukata gati i ka përfshirë dy të tretat e fesë.” (Sifetus-Safue i ibën Xheuziut, 4/145). Shejh AbduRrezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë) shpjegon: “Edukata e gëzon këtë pozitë në fe, sepse është një moral i lartë që e nxitë poseduesin e saj në fjalë dhe vepra të lavdërueshme. Nuk ka asgjë që i sjellë të mirat dhe i largon të këqijat sikurse edukata. Edukata e orienton poseduesin e saj drejt çdo vlere e mirësie dhe e pengon atë nga çdo ligësi dhe e keqe. Edukata është shenjë që tregon për shpëtimin/suksesin dhe lumturinë e njeriut në këtë jetë dhe në tjetrën.”

 

  • I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Nëse dëshironi t’ju dojë Allahu dhe i Dërguari i Tij, atëherë gjithmonë cilësohuni me këto tri veti: flitni të vërtetën, ruani amanetet dhe silluni mirë me fqinjin.” Es-Silsile Es-Sahiha, 2998.

 

  • Imam ibn Hibbani (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Njeriu i mençur e ka për detyrë t’i përfitojë zemrat e të tjerëve duke bërë shaka të lavdëruar (lejuar) dhe duke lënë mënjanë fytyrën e vrenjtur.” Reudatu El-Ukala’, 76.

 

  • “Flit fjalë të mira dhe takoji njerëzit me fytyrë të qeshur, do të jesh më i dashur tek ta se ai që u jep dhurata.” (Ez-Zuhd, ibn Mubarek).

 

  • Imam Esh-Sheukanij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Sheh dikë sesi kur takohet me gruan e tij bëhet njeriu me moralin më të ulët, me trimërinë më të madhe dhe me mirësinë më të pakët. Ndërsa, kur takohet me të tjerë, karakteri dhe sjellja i zbuten, bëhet shumë bujar dhe i shtohet mirësia. Pa dyshim se njeriu i tillë është i privuar nga suksesi dhe i devijuar nga rruga e drejtë. Nga Allahu kërkojmë shpëtim!” (Nejlul-Eutar, 2/246).

 

  • Dijetari Abdullah ibn Aun (Allahu mëshiroftë) nuk zemërohej kurrë. E, edhe kur dikush e zemëronte, ai ia kthente: “Allahu të begatoftë!” (Hiljetul-Eulija, i ibn Nuajm, 3/39). Shejh AbduRrezzak El-Bedr (Allahu e ruajttë): “Sikur të merrnim mësim dhe të krahasonim këtë me gjendjen dhe fjalët tona gjatë hidhërimit! Ai lutej me këtë lutje madhështore për atë që e zemëronte; e çfarë thoshte kur ishte në rehati e gëzim! Kjo tregon për fuqinë e madhe shpirtërore që e kishte në përmbajtjen e zemërimit.” (al-badr.net).

 

  • Fudajl ibn Ijadi thotë: “Besimtari ia mbulon të metat tjetrit dhe e këshillon, ndërsa i keqi ia përhap ato dhe e nënçmon.” (Xhamiul-Ulumi uel-Hikem, 1/225).

 

  • Imam ibn El-Xheuzi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Kur ta vëresh se shoku yt është zemëruar dhe ka filluar të flasë gjëra që nuk bën të fliten, mos ia zërë për të madhe dhe mos i kërko llogari për to, sepse gjendja e tij është e ngjashme me gjendjen e të dehurit, i cili nuk di se ç’është duke ndodhur. Përkundrazi, duro ndaj shpërthimit të tij dhe mos i kushto vëmendje, ngaqë shejtani e ka mposhtur, natyra (karakteri) i ka gufuar dhe mendja i është mbuluar. Nëse ti mban në vetvete diçka kundër tij, apo i përgjigjesh në bazë të veprës së bërë, atëherë je i ngjashëm me një të mençur që i kundërvihet një budallai, apo me një të kthjellët që e qorton atë që i ka rënë të fikët. Pra, në këtë rast, gabimi është i yti.” (Sajdul-Hatir).

 

  • Aliu (radijAllahu anhu) thotë: “Gjëja e parë që i zëvendësohet njeriut të butë për shkak të butësisë që e tregon, është se njerëzit i ndihmojnë ndaj injorantit.” Domethënë: “Nëse njeriu duron ndaj fyerjeve e lëndimeve të injorantit dhe nuk ia kthen, Allahu bën që njerëzit t’ia kthejnë ato në vend të tij. Dhe kjo është vlera e parë e butësisë.” (Ujun El-Ahbar, 1/399).

 

  • Shokët e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishin të vërtetë në thëniet e tyre. Enesi (radijAllahu anhu) thotë: “Pasha Allahun! Ne (shokët e të Dërguarit) nuk rrenim dhe nuk e dinim se ç’është rrena.” (Taberiu).

 

  • Një njeri i tha të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “O i Dërguar i Allahut! Unë e theri delen dhe tregohem i mëshirshëm me të.” Ai i tha: “Nëse e mëshiron atë, Allahu të mëshiron ty.” Këtë e përsëriti dy herë. (Es-Sahiha, 26).

 

  • Ata’ ibn Ebi Rabah (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ndodh që dikush të më tregojë diçka dhe unë e dëgjoj me vëmendje sikur të mos e kisha dëgjuar kurrë më parë; edhe pse, në të vërtetë, atë që ma tregon e kam dëgjuar para se ai të lindte.” (Tarih Dimeshk).

 

  • Jahja ibn Ebi Kethir (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Bartësi i fjalëve dhe gënjeshtari për një çast e prishin atë që magjistari nuk mund ta prishë për një vit.” Behxhetu El-Mexhalis, ibn AbduBerr, 1/403.

 

  • Disa dijetarë thanë: “Prej moralit më të mirë të njeriut është që ai të jetë tepër i heshtur, saqë shoku i tij lakmon shumë që t’ia dëgjojë fjalët.” Sherh El-Uessijeti El-Kubra, 88, shejh Sulejman Er-Ruhajlij.

 

  • Enesi (radijAllahu anhu) tregon: “I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishte njeriu më i mëshirshëm ndaj fëmijëve dhe ndaj anëtarëve të familjes.” Es-Sahiha, 2089.

 

  • Ibn Kudameh (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Ndodh që moralet e mira të përfitohen nga shoqërimi me njerëzit e mirë, sepse natyra e njeriut është hajn që e vjedh të mirën dhe të keqen.” (Muhtesar Minhaxh El-Kasidin, 153)

 

  • Ummu Ed-Derda’ (radijAllahu anha) tregon: “Një natë prej netësh, Ebu Ed-Derda’ (radijAllahu anhu) e kaloi duke u falur. Ai qante dhe lutej: “O Allah! Ti më dhe formë të bukur, andaj më jep edhe moral të bukur!” Kështu vazhdoi derisa hyri koha e sabahut. Unë i thash: “O Ebu Ed-Derda’, përse tërë lutja jote sonte ishte vetëm për moralin e mirë?!” Ai ma ktheu: “Oj Ummu Ed-Derda’! Vërtetë robi musliman vazhdon ta përmirësojë moralin e tij, derisa morali i tij i mirë e futë në Xhenet; dhe ai vazhdon ta prishë moralin e tij derisa morali i tij i keq e futë në zjarr.” (Ez-Zuhd, imam Ahmedi, 264).

Përktheu Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit