Thënie rreth Kuranit

Thënie rreth Kuranit

Shejkh bin Baz rahimehullah

  • Allahu e zbriti Kuranin si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për muslimanët. Ai është shpjegues për çdo gjë, është udhëzim drejt rrugës së lumturisë, është mëshirë dhe lajm i mirë. Vërtetë në Librin e Allahut ka udhëzim dhe dritë. Ai është litari i fortë i Allahut, është rruga e Tij e drejtë dhe këshilla e Urtë e Tij. Kush kapet për të shpëton.

  • Allahu thotë: “Thuaj: “Ai (Kurani) është udhëzues dhe shërim për besimtarët.” Fusilet 44. Domethënë është udhërrëfyes i zemrave të tyre drejt të vërtetës dhe shërim për zemrat e tyre nga sëmundjet e shirkut, mëkateve, bidateve dhe lajthitjeve nga e vërteta, si dhe shërim për shumë sëmundje trupore.

  • Allahu, Kuranin e bëri këshillë, kërcënim (paralajmërim), shërim dhe udhërrëfyes. Andaj, të gjithë, xhindë dhe njerëz, e kanë për detyrë të udhëzohen përmes tij, të qëndrojnë të paluhatshëm në mësimet e tij dhe të kenë kujdes nga kundërshtimi ndaj tij.

  • Allahu thotë: “Dhe vërtetë ti (Muhamed) je në një shkallë të lartë të moralit.” Kalem 4. Kuptimi i kësaj është se Profeti salAllahu alejhi ue selem meditonte rreth Kuranit, e shpeshtonte leximin e tij, punonte sipas asaj që gjendet në të, i zbatonte urdhrat e tij dhe larohej nga ndalesat e tij. Kështu, morali i tij ishte Kurani.

  • Porosia ime drejtuar të gjithë myslimanëve, burra e gra, xhindë e njerëz, arabë e jo arabë, është që të kujdesen ndaj Kuranit dhe ta shpeshtojnë leximin e tij me meditim dhe vëmendje, natën e ditën.

  • Ai që i di shkronjat arabe, lexon Kuran nga mus’hafi, në mënyrë që të mësojë më shumë. Ndërsa ai që nuk i di, mëson nga prindërit, apo nga fëmija, apo nga bashkëshorti/ia. Kështu pra njerëzit e ndihmojnë njëri-tjetrin (në vepra të mira).

  • Profeti salAllahu alejhi ue selem tha: “Unë po jua lë në mesin tuaj atë që nëse ju e shtrëngoni fort, nuk do të devijoni kurrë: Librin e Allahut.” Ai i porosiste njerëzit lidhur me Kuranin dhe njëkohësisht u tregonte se nëse kapen pas mësimeve të tij, kurrë nuk do të lajthisin. Në një tjetër hadith thotë: “…Librin e Allahut dhe sunetin tim.” Suneti i tij është prej Librit të Allahut ngase Allahu thotë: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit.” Tegabun 12.

  • Kurani e nxjerr njerëzimin nga të gjitha sprovat. Ai është tregues për rrugën e shpëtimit, udhërrëfyes për shkaqet e lumturisë, paralajmërues për shkaqet e shkatërrimit, thirrës drejt unifikimit të fjalës dhe paralajmërues nga përçarja e kundërshtimi. Ai thërret drejt bashkimit rreth së vërtetës dhe porosisë së ndërsjellë për të.

  • Allahu thotë: “Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njeri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” Asr, 1-3. Kjo sure e shkurtër, por madhështore, ka mbledhur mirësinë në tërësi. Nuk ka lënë ndonjë gjë të mirë veçse e ka përmendur, apo ndonjë gjë të keqe veçse ka paralajmëruar kundër saj. Këta të cilët i ka veçuar kjo sure janë të fituarit, qofshin xhindë apo njerëz, meshkuj apo femra, arabë apo joarabë, tregtarë të pasur apo të varfër, udhëheqës apo të tjerë. Ata janë fitimtarë dhe të shpëtuar nga humbja. Ata janë të cilët i kanë katër cilësi:

  1. Besimin,

  2. Veprat e mira,

  3. Porosinë e ndërsjellë për të vërtetën,

  4. Porosinë e ndërsjellë për durimin.

Këta janë të cilët kanë shpëtuar nga humbja, ndërkaq të tjerët përveç tyre janë të humbur, secili në bazë të asaj që i ka ikur nga këto katër cilësi.

  • Mendo thellë rreth Kuranit dhe lexoje atë me meditim dhe vëmendje, dhe duke pasur si qëllim punën me të dhe dobinë. Mos e lexo atë me zemër të shkujdesur, por me zemër të pranishme. Pyeti dijetarët (e mirëfilltë) për gjërat që i ke të paqarta në të.

  • Prej frikës ndaj Allahut është përkujdesja ndaj Kuranit, meditimi rreth kuptimeve të tij dhe shpeshtimi i leximit të tij, qoftë nga ajo që di përmendësh apo duke lexuar, së bashku me reflektim dhe vëmendje dhe pastaj duke punuar sipas mësimeve të tij.

  • Kurani nuk ka zbritur për t’u vënë në dollapë apo vetëm për t’u lexuar e mësuar përmendësh, por ka zbritur për t’u lexuar me meditim dhe për të punuar me të.

  • Kurani është tregim i bukur. Në të, Allahu na ka treguar për ngjarjet e lashta të Ademit, Nuhut, Hudit, Salihut dhe të të Dërguarve të tjerë që përmenden në Kuran. Na ka treguar për popujt e tyre dhe ndëshkimet që i kapluan ata, si dhe për të devotshmit se si u ndihmuan dhe u përkrahën nga Allahu dhe si u erdhi përfundimi i lumtur. Nuk ka tregime më të bukura sesa ato të Kuranit.

  • Ndër tregimet e Kuranit janë edhe ato që flasin për cilësitë e banorëve të xhenetit dhe të zjarrit, për llojet e kënaqësive dhe të ndëshkimeve, për ngjarjet e Ditës së Gjykimit, të shpërblimit/ndëshkimit, llogarisë dhe lajme të tjera madhështore.

  • Porosia ime ndaj jush është përkujdesja ndaj sunetit të të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, ngase suneti hyn në porosinë për përkujdesjen ndaj Kuranit. Kështu sepse Allahu ia ka shpallur Profetit salAllahu alejhi ue selem si Kuranin ashtu dhe sunetin.

  • Porosia për Kuranin është edhe porosia për sunetin, andaj të gjithë myslimanët e kanë për detyrë të punojnë sipas Kuranit dhe sunetit si dhe të gjykojnë me to. Ata e kanë për detyrë të përfitojnë nga suneti, hadithet e sakta, të mësojnë përmendësh sa të munden dhe të pyesin për ato që janë të paqarta, ngase Allahu ka porositur për të (sunetin).

  • Porosia ime drejtuar vetes dhe të gjithë myslimanëve, është frika ndaj Allahut, përkujdesja ndaj Kuranit fisnik dhe porosia e ndërsjellë për një gjë të tillë me fjalë, vepra dhe këshilla. Kush nuk tregohet i kujdesshëm për këto, do të jetë prej të humburve.

Shkëputur nga Libri “Këshilla nga dijetari bin Baz

Përktheu: Petrit Perçuku.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit