Thënie rreth pandemisë dhe izolimit

 

Qoftë në këtë kohë që jemi (të izolimit) apo kohë tjetër, nëse njeriu sheh veten se nuk është i suksesshëm dhe i ikë koha duke mos mundur të marrë dije apo të shtojë veprat e mira, duhet ta shtojë istigfarin – kërkim faljen tek Allahu, të shtojë fjalën estagfirullah, të pendohet shumë për mëkatet e tij e të kërkojë falje për to. Istigfari është çelës që hap shumë dyer të mbyllura te njeriu dhe lehtëson vështirësitë etj. Besimtari në shumicën e kohës është mirë të thotë estagfirullah dhe me lejen e Allahut do t’i lehtësohen çështjet. Porse, ta thotë me zemër, jo vetëm si fjalë gjuhe, zemra dhe gjuha të jenë në përputhje të plotë. Gjithashtu është mirë të shtojë fjalën La hawle we la kuwwete il-la bil-lah – Nuk ka ndryshim dhe forcë veçse me ndihmën e Allahut. Ajo është thesar prej thesareve të xhenetit. Kur besimtari dëshiron të ndryshojë gjendjen e tij (si në këtë rast) kjo arrihet me forcën e fuqinë e Allahut, e jo me forcën e tij. Kur e thotë këtë fjalë, ai heqë dorë dhe distancohet prej çdo force, fuqie e mundësie që ai të ndryshojë diçka, por këtë gjë ia dorëzon Allahut, dhe me lejen e Tij nëse e thotë me zemër, Ai do t’i japë sukses.

Derisa është besimtari në këtë gjendje izolimi në shtëpi, është mirë të shfrytëzojë kohën e të shtojë adhurimet. Adhurimi në këtë kohë ndihmon në tejkalimin më lehtë të vështirësisë. Në vështirësi të tilla, njerëzit nuk mund ta kontrollojnë e sundojnë veten që të shtojnë adhurimet, përmendjen e Allahut etj., porse kohën e kalojnë duke dëgjuar lajme, se çfarë po ndodhë, e shumë pak e kujtojnë Allahun. Atij të cilit Allahu i jep sukses që në këtë kohë të shtojë adhurimet, vërtet atë e ka mëshiruar dhe ndihmuar Ai. Besimtari duhet të përpiqet që në këto vështirësi të kthehet tek Allahu, të pendohet për mëkatet, të kërkojë falje, ngase përmes istigfarit largohet vështirësia e vjen lehtësimi.

Është mirë që falja brenda shtëpive e namazeve farz të bëhet me xhemat, mes familjarëve. Nëse falja me xhemat në xhami bie, falja me xhemat në shtëpi nuk bie.

Besimtari nuk ka nevojë të frikësohet prej vdekjes. Vdekja e trupit do t’iu ndodhë të gjithëve dhe është e caktuar. Nëse mendon se kur do të jetë vdekja, atëherë vetëm do ta ngarkosh veten psiqikisht dhe nuk ke dobi prej kësaj. Një rol të madh në këtë e luan shejtani i cili mundohet ta frikësojë njeriun e ta dëmtojë si fetarisht ashtu dhe në aspektin e kësaj jete. Selefi ka thënë: “Besimtari i vërtet është ai që nuk frikësohet prej vdekjes së trupit, por prej vdekjes së zemrës.” Njeriu duhet të shikojë se si e ka zemrën në raport me Allahun, si është bindja ndaj Tij, zbatimi i urdhrave të Tij, largimi nga ndalesat etj. E nëse këtë raport e ka mirë, ai nuk ka pse të frikësohet prej vdekjes, ngase ajo që vjen pas vdekjes do të jetë shumë më e mirë për të sesa ajo që e ka pasur para vdekjes. Përmirësimit të raportit me Allahun, duhet t’i kushtojë rëndësi, para se t’i vijë vdekja, e atëherë kurdo që i vjen ajo do të jetë më mirë për të. Allahu e di më së miri se kur një njeri duhet të vdesë.

Nëse ekziston frika dhe është rrezik që të infektohet i gjalli gjatë larjes së xhenazes së të vdekurit nga virusi, atëherë vetëm i hedh ujë prej larg mbi të derisa t’i laget trupi; me këtë pastrohet xhenazja dhe kryhet obligimi. Ata që vdesin prej sëmundje epidemiologjike, duhet të lahen, ngase shehidi të cilit nuk i lahet xhenazja është vetëm ai që vdes në betejë, e ata që vdesin për shkaqe të tjera por të cilët marrin shpërblimin e shehidit (siç janë përmendur në hadith), këta janë shehidë të ahiretit, jo të kësaj bote. Këtë botë kanë dispozitat si të muslimanëve të tjerë, u pastrohet xhenazja, qefinosen dhe varrosen, e ndërsa në botën tjetër kanë shpërblimin e shehidit. E shehidi që ka dispozitat e kësaj bote dhe tjetrës është ai i cili vdes në betejë; këtij nuk i lahet xhenazja e as nuk qefinoset dhe nuk i falet namazi i xhenazes. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se kush vdes prej murtajës ka shpërblimin e shehidit, nëse vdes duke u treguar i durueshëm në caktimin e Allahut, pra qëndron në vendin ku ka rënë murtaja e nuk del prej aty, duke besuar kaderin e Allahut, duke u treguar i durueshëm dhe duke iu mbështetur Atij, ka shpërblimin e shehidit. Por, nëse nuk është mundësia ta lajnë, për shkak të frikës nga ngjitja e sëmundjes, atëherë i jepet tejemum. E nëse nuk ka mundësi t’i jepet as tejemum, për të njëjtën arsye, atëherë qefinoset dhe varroset pa u larë. Por, duhet t’i falet namazi i xhenazes. Nëse nuk ka mundësi që t’i falet namazi i xhenazes duke prezantuar aty (afër xhenazes), atëherë i falet te varri (pasi të varroset). E nëse edhe kjo nuk ka mundësi, atëherë i falet namazi i xhenazes që quhet salatul-gaib, domethënë i falet në distancë, për shkak se xhenazja mungon dhe nuk është prezent. Kështu kanë dhënë fetua dijetarët, prej tyre shejh Sulejman Err-Rruhajli (Allahu e ruajttë!).

 

Ata që bëhen shkak për infektimin e të tjerëve me virus nuk kanë mëkat përveç nëse e bëjnë këtë qëllimisht. Kështu, janë të infektuar dhe qëllimisht përzihen me të tjerët që t’i infektojë, në këtë rast kanë mëkat dhe do të japin llogari para Allahut. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë që ai i cili është i sëmurë me sëmundje ngjitëse mos të përzihet (afrohet) me të shëndoshët. Ai ka ndaluar përzierjen e të sëmurit me të tjerët dhe (si pasojë) t’ua ngjisë sëmundjen e cila për dikë mund të jetë vdekjeprurëse, apo t’i shkaktojë mundim. Nëse nuk e ka ditur se është i sëmurë dhe është përzier, inshAllah për këtë nuk ka mëkat. Pra, kjo varet se me çfarë qëllimi apo se cila ka qenë gjendja ka qenë kur është bërë shkak për sëmundjen e të tjerëve. Mos të harrojmë se duhet ndërmarrë masat mbrojtëse për mos infektim të të tjerëve.

 

Përderisa ka urdhër që të mos dilet prej shpie përveçse në raste të domosdoshme, emergjente e të nevojshme, atëherë nuk ke mëkat nëse nuk i përgjigjesh ftesave të vëllezërve, madje duhet refuzuar. Urdhri për qëndrimin në shtëpi, duhet zbatuar. Në të kundërt, ndodhë të bëhesh shkak për përhapjen e sëmundjes. E nëse bëhesh shkaktar, duke qenë se ke mundësi të mos e shkaktosh këtë, ke mëkat. Dijetarët e mëdhenj, si shejkh Feuzan e të tjerë, janë duke i zbatuar në përpikëri urdhrat e ardhur nga udhëheqësit, saqë nuk ua zgjasin dorën të tjerëve, ngase duhet bindje ndaj udhëheqësit në këtë urdhër.

Nëse në një xhami falet xhumaja dhe muslimanët shkon aty për falje, kjo është në kundërshtim të urdhrit të udhëheqëseve fetarë të vendit tonë dhe atyre shtetërorë. Përderisa kanë sjellë vendim mbylljen e xhamive në këtë situatë që jemi, ne duhet të bindemi dhe të mos shkojmë të falim namazin e xhumasë fshehtas në xhami. Nuk lejohet kundërshtimi i këtij urdhri. Muslimanët duhet ta edukojnë veten në bindjen ndaj urdhrave të udhëheqësve të tyre. Këto vendime janë në dobi të të gjithë xhematit të muslimanëve.

Nuk bëhet shaka me gjendjen në të cilën po kalojnë njerëzit sot. Duhet thënë fjalë të mira, shpresëdhënëse, por jo të bëhet humor.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit