Therja e kurbanit për të sëmurin që t’i lehtësohet gjendja

  • Therja e kurbanit për të sëmurin që t’i lehtësohet gjendja

Kjo gjë nuk ka bazë, sepse as në Kuran e as në sunet nuk është përmendur se nëse njeriu ther një kafshë, kjo bëhet shkak që ai të shërohet nga sëmundja. Përderisa nuk ka argument për këtë, kjo vepër është shirk i vogël. Ne duhet ta mësojmë një parim, që na ndihmon shumë sa i përket shkaqeve, se kur janë të lejuara e kur të ndaluara. Shkak i lejuar është ai shkak për të cilin ka treguar Kurani e suneti se lejohet të veprohet, ose ka treguar përvoja e njerëzve adekuat (specialistëve) të asaj fushe, p.sh. lutja tek Allahu, për këtë kemi argumente në Kuran e sunet, apo dhikri, leximi i Kuranit, hixhamja, mjalti, fara e zezë etj. Këto janë shkaqe të ligjshme dhe të preferuara të veprohen kur njeriu ka një sëmundje. Mirëpo, ka shkaqe që nuk kanë ardhur në Kuran, por që i ka vërtetuar mjekësia se janë të dobishme, p.sh.: operimi, ndërhyrja kirurgjike, ilaçi etj. Kur specialistët e një fushe kanë ardhur në përfundimin se një lloj ilaçi ka efekt, atëherë është shkak i lejuar të veprohet.

Nëse nuk është asnjëra nga këto të dyja atëherë nuk lejohet të veprohet ai shkak, dhe nëse veprohet kjo është shirk i vogël, ngase për të nuk ka treguar as feja e Allahut (sheriati) e as përvoja e cila është e bazuar te studiuesit e asaj fushe. Sa i përket therjes së Kurbanit kjo nuk hyn tek asnjëra, as nuk ka argument sheriatik për të e as nuk është shkak i miratuar nga mjekësia.

Mirëpo, në këtë rast, a lejohet të theret kurban një kafshë për ta dhënë sadaka? Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në një hadith për të cilin disa dijetarë thonë se është hasen/i mirë, ka thënë: “Shërojini të sëmurit tuaj me sadaka.” Porse, kjo nuk është e specifikuar me therje të kurbanit, por çfarëdo sadakaje që është, si: para, ushqim dhe të tjera, e që me lejen e Allahut bëhen shkak për shërim. Për këtë ka argument.

Unë nuk do të këshilloja për therjen e kurbanit dhe shpërndarjen e tij si sadaka sepse në zemrat e njerëzve ende është ajo bindje. Andaj parat të cila janë ndarë për këtë kurban, le të jepen si sadaka te një apo disa të varfër, me nijetin që Allahu ta shërojë të sëmurin e tyre. Kjo është me rëndësi, me nijetin që Allahu ta shërojë, pra sadakaja të llogaritet vetëm si shkak, jo më shumë. Ky veprim lejohet. Por nëse njeriu beson se vetë kurbani i therur në ato momente, e shëron njeriun apo e bën të vdesë, kjo është shirk i madh, ngase shërimin apo vazhdimin e jetës apo dhënien e vdekjes, ia atribuon krijesës e jo Allahut. Këtu duhet pasur kujdes shumë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit