Thesare nga Kurani

Ajeti: “O bijtë e Izraelit! Kujtoni të mirat që ju kam dhënë dhe që ju kam ngritur mbi njerëzit e tjerë.” (El-Bekare, 47).

Me njerëzit, mbi të cilët janë ngritur bijtë e Izraelit, kihen për qëllim njerëzit e asaj kohe, sepse ummeti i Profetit tonë, Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është më i miri ndër të gjithë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.” (Al-Imran, 110). Dhe: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju.” (El-Bekare, 143). Ndërkaq njerëzit më të mirë të këtij ummeti janë shokët e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Si sahabët po ashtu edhe bijtë e Izraelit janë vënë në provë me frikë dhe me lakmi. Kështu, sahabët duruan, ndërsa bijtë e Izraelit jo. Shejhu ynë, Muhamed El-Emin Esh-Shenkitij (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ajo çfarë aludon për epërsinë e ummetit të Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ndaj bijve të Izraelit është fakti se, provimi përmes të cilit del në shesh vlera nga e kundërta e saj, bëhet nëpërmjet frikës dhe lakmisë. Allahu i sprovoi me frikë dhe lakmi si shokët e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) po ashtu edhe bijtë e Izraelit. Frika përmes së cilës Allahu i Lartësuar i sprovoi shokët e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është rasti, kur prej tyre u kërkua të dilnin për në betejën e Bedrit, ndërkohë që Ebu Sufjani e çoi karvanin përgjatë brigjeve të detit, dhe u erdhi lajmi se karvani kishte shpëtuar dhe se ushtria (jobesimtare) ua kishte mësyrë. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ua tregoi këtë, ndërsa Mikdad bin Amri (radijAllahu anhu) i tha atij: “Sikur të na udhëhiqje gjer tek Berkul-Gimadi, ne do t’i luftonim së bashku me ty ata që gjendjen atje; dhe sikur të na udhëhiqje drejt këtij deti, ne do të hynim në të. Ne nuk të themi ashtu siç i thanë Musës populli i tij: “Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu.” (El-Maide, 24). Përkundrazi, ne do të luftojmë se bashku me ty.” Pasi që Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) përsëriti të njëjtat fjalë, Sa’d bin Mu’adhi (radijAllahu anhu) ia ktheu: “Sikur dëshiron mendimin tonë (të Ensarëve)”. Kjo ngaqë në natën e Akabes, ata ia dhanë besën atij (Profetit) se do ta mbrojnë ashtu siç i mbrojnë familjet e tyre, mirëpo me kusht që ai të ishte brenda Medines e jo përjashta saj. Atëherë Profeti ia bëri me dije se dëshironte të dinte mendimin e tyre. Në atë rast, Sa’di i tha fjalët e tij të mirënjohura: “Për Allahun! Ne (Ensarët) jemi të durueshëm në luftë dhe të vërtetë (sinqertë) në ballafaqim (me armikun). Për Allahun! Ne urrejmë që ti të takosh armikun tënd duke qenë me ne, e të mos gjesh tek ne atë që t’i prehë sytë e tu. Për Allahun! Sikur disa burra (nga Ensarët) që kanë ngecur pas, të dinin se do të ballafaqoheshe me kurth, të gjithë do të ishin këtu me ty.”

Ndryshe nga bijtë e Izraelit, të cilët kur u vunë në provë më kësi lloj frike, prej tyre rrodhën fjalët që i përmend Allahu në suren El-Maide:Ata thanë: “O Musa! Në atë tokë gjendet një popull i forte dhe ne nuk do të hyjmë pa dalë ata e, nëse ata dalin, ne atëherë, me siguri do të hyjmë në të”. (El-Maide, 22). Po ashtu i thanë: “O Musa! Kurrsesi nuk do të hyjmë atje, derisa aty gjenden ata. Kështu që shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”. (El-Maide, 24). Gjithashtu, bijtë e Izraelit u sprovuan me gjuetinë e peshqëve, e cila përmendet në suren El-A’raf dhe për të cilën jepet shenjë në suren El-Bekare. Allahu thotë: Pyeti ata për qytetin që gjendej në bregdet dhe për çfarë i gjeti banorët e tij kur thyen urdhëresën e Sabatit (së shtunës)!” (El-A’raf, 163). Kështu, lakmia ndaj ngrënies së peshqve ishte ajo që i shtyu drejt shkeljes së Shtunës, andaj Allahu i shndërroi në majmunë. Allahu i Lartësuar i sprovoi me gjah edhe shokët e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në Umren e Hudejbijes, duke qenë ata në gjendje ihrami. Kështu, Ai ua bëri të mundshme kapjen e të gjitha kafshëve që gjuhen, qofshin ato egërsira apo zogj, të mëdha apo të vogla. Mirëpo, asnjëri nga ta nuk i tejkaloi kufijtë duke gjuajtur në gjendje ihrami, siç e sqaroi këtë Allahu i Lartësuar: “O besimtarë! Allahu do t’ju provojë me ndalim nga një gjueti që e arrijnë duart dhe shigjetat tuaja, që Allahu ta njohë atë që i frikësohet Atij, pa e parë.” (El-Maide, 94). Kështu, asnjëri nga ta nuk e zgjati dorën drejt gjahut.

Pra, përmes kësaj që u përmend deri më tani, doli në pah se të dy grupet u sprovuan me gjueti, ndërkohë që të parët (bijtë e Izraelit) i shkelën kufijtë në të dhe u shndërruan në majmunë, ndërsa sahabët e patën frikë Allahun. Po ashtu (të dyja grupet) u sprovuan me frikë nga armiku, ndërkohë që sahabët u treguan të durueshëm dhe nuk u luhatën, ndërsa bijtë e Izraelit u treguan frikacak dhe qyqarë. Andaj, e gjithë kjo tregon se sahabët janë më të mirë se bijtë e Izraelit, dhe rreth kësaj s’ka asnjë kundërshti. Pra, e tërë kjo na bënë të qartë se me fjalën e Allahut: “dhe që ju kam ngritur mbi njerëzit e tjerë kihen për qëllim njerëzit e asaj kohe.” (El-adhbun-nemir min mexhalis-Shenkitij fit-tefsir, 1/57-60).

Shejh AbdulMuhsin El-Abbad (Allahu e ruajt)

Min kunuzil-Kuranil-Kerim

Përktheu: Petrit Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit