Thirrja drejt fjalës La ilahe ilAllah

Thirrja drejt fjalës La ilahe ilAllah

 

Thirrja në fjalën La ilahe ilAllah është vazhdimësi e realizimit të teuhidit. Kjo ngase teuhidi është veçimi i Allahut me adhurim, me lutje, ngase Ai është i Vetmi i Cili i meriton këto, Ai që meriton i Vetmi t’i besohet, të mos mohohet, të falënderohet, të mos përbuzet, dhe meriton të mos i bëhet shirk Atij. Kur njeriun e kaplon kjo, kupton se dëshiron të ketë hise në realizimin e kësaj drejtësie në tokë, pra që adhurimi i njerëzve t’i kushtohet vetëm Allahut. Gjithashtu thirrja në fjalën La ilahe ilAllah është një formë falënderimi ndaj Allahut për begatitë e Tij. Teuhidi është e mira më e madhe që na ka dhënë. Atëherë prej kushteve të realizimit të teuhidit është falënderimi me zemër e gjuhë dhe veprimi sipas tij, e veprimi më i mirë është thirrja në teuhid.

Thirrja (daveti) është prej çështjeve më të dashura tek Allahu, prej çështjeve më të mira me të cilat njeriu e adhuron Allahun. Është një lloj obligimi, por jo për tërë umetin, por për një pjesë të umetit (nëse një pjesë e umetit e kryen, atëherë pjesa tjetër nuk e kanë obligim). Nëse askush nga umeti nuk e kryen këtë obligim, atëherë mëkati bie mbi të gjithë ata. Daveti është madhërim ndaj Allahut. Ibn Tejmije rahimehullah ka thënë: “Nuk është madhëruar Allahu me asgjë më shumë sesa me këshillë.” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Feja është këshillë”. E ajka e këshillës dhe e fesë është teuhidi dhe thirrja në teuhid.

Thirrjes në teuhid duhet t’i jepet një rëndësi shumë e madhe për disa arsye:

realiteti aktual lajthitës i muslimanëve, si: therja e kurbanit për dikë tjetër përveç për Allahun, lidhja me njerëz të mirë duke iu kërkuar atë që nuk kërkohet përveçse prej Allahut (u kërkojnë fëmijë, fat, shërim etj.), madhërimi i varreve dhe i të vdekurve saqë nuk e kanë dert të betohen rrejshëm në Allahun e ndërsa në ta nuk betohen ngase i madhërojnë, dija për të fshehtën gjë të cilën e di vetëm Allahu (horoskop, lexim i filxhanit, i dorës etj.), shkuarja te fallxhorët duke u kërkuar ndihmë për realizimin e qëllimeve të tyre, e që realisht veç shkuarja (edhe nëse nuk u beson) bën që të mos u pranohet dyzetë ditë namazi, fyerja e fesë e përqeshja me dispozitat e saj gjë që është shumë e rrezikshme, bërja e bidateve dhe mëkateve etj. Këto e cenojnë teuhidin.

-aktiviteti i feve të tjera, duke u munduar që t’i bëjnë muslimanët pjesëtarë të feve të tyre apo së paku t’i largojnë prej Islamit.

-mosdija e realitetit të teuhidit te fraksionet e ndryshme dhe çalimi në teuhid, por edhe nëse kanë shpëtuar nga kjo, nuk merren me teuhidin dhe thirrjen në të, duke menduar se teuhidi përçan dhe duke mos ditur se muslimanët nuk bashkohen përveçse në atë që i ka bashkuar Muhamedi salAllahu alehi ue selem, që është fjala La ilahe ilAllah Muhamed rasulullah.

Disa çështje me të cilat duhet të pajiset ai që e ka kuptuar teuhidin dhe rëndësinë e thirrjes në të:

-Të ketë njohuri në lidhje me teuhidin. Nuk mund të bëjë dikush davet nëse nuk e di se çfarë është teuhidi. Nuk mund të thërrasë në teuhid pa e njohur vetë atë. Nuk ka mundësi t’i largojë nga shirku të tjerët pa e njohur se çfarë është ai.

-Të jetë i mëshirshëm. Islami është fe e mëshirës. Pejgamberi ynë është Pejgamber i mëshirës. Mëshira jonë na bën që këtë mirësi me të cilën na ka gëzuar Allahu të mos e mbajmë vetëm për vetën tonë, qoftë nëse të tjerët na refuzojnë apo armiqësojnë.

-Të ketë urtësi e butësi në atë që thërret. Të mos bëjë dëm me tepër sesa dobi, edhe pse qëllimi i tij është dobia, por që vrazhdësia, sjellja jo e mirë, mospraktimi i urtësisë bëjnë që të ketë rezultate të kundërta. A ka më mirë se sa të jetë i butë dhe të dijë se si t’i qaset thirrjes dhe atij që do ta thërrasë?! “Nuk ka hyr butësia në një vepër veçse e ka zbukuruar atë dhe nuk është larguar butësia nga një vepër veçse e ka shëmtuar atë.” (Hadith).

-Të jetë bujar, e jo koprrac. Të mos hezitojë në sakrifikimin për davetin në teuhid, qoftë ajo sakrificë nga koha e tij, angazhimi, heqja dorë e kënaqësive të kësaj bote etj. Nuk është bujar ai që ka kohë të lirë e i thirr njerëzit e kur nuk ka kohë nuk i thirr (nuk e ndjen si obligim). Kush e di rëndësinë e kësaj thirrje, gjen kohë, gjen mundësi dhe nuk përton të bëjë sakrificë në këtë thirrje.

-Të ketë zemër të pastër: të mos ketë gjëra të dyshimta të cilat ia cenojnë teuhidin. Por, të jetë i pari i cili e ka pastruar zemrën nga njollat e shirkut, ngase nuk ka mundësi ta kryejë këtë obligim siç duhet nëse në zemër ka gjëra që e atakojnë teuhidin. Të jetë i sinqertë. Të mos bëjë davet drejt emrit të tij, personalitetit të tij, xhematit të tij; të mos nënçmojë e urrejë të tjerët, qëllimi i tij nuk duhet të jetë personal, porse thirrja për tek Allahu.

-Të ketë durim, ngase kjo rrugë nuk është e shtruar me lule e vetëm me të mira, porse ka sakrificat e veta, ka lëndime etj. Këto kalohen me durim.

 

Dr. Gazmend Mehmeti – Kitabu teuhid | Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit