Tri vendet e Qabesë dhe ligjësimet në lidhje me to

  • Tri vendet e Qabesë dhe ligjësimet

-Vendi mes Gurit të Zi dhe derës së Qabesë, siç ka ardhur prej selefit, se ata e kanë mbështetur gjoksin, barkun dhe faqen për Qabe e janë lutur. Është vend ku pranohet lutja më shumë. Andaj, kjo ka qenë arsyeja e këtij veprimi. Është prej sunetit të veprohet kjo gjë, mirëpo jo në pjesët e tjera të Qabesë. Kjo lejohet për t’u lutur, e jo për të kërkuar bereqet. Shumë njerëz këtë gjë e veprojnë në të gjithë Qabenë, madje disa jo për t’u lutur, por për bereqet. Mendojnë se Qabja është e bereqetshme dhe nëse fërkohen marrin (u ngjitet) bereqetin e saj. Nuk ka argument se Qabja është e bereqetshme, në këtë formë: kalimi i bereqetit në mënyrën fizike, prej Qabesë në person. Meka është e bereqetshme në kuptimin se në të shtohen veprat e mira, e nuk ka të bëjë me atë se nëse fërkohesh në Meke apo Qabe, do të jesh më i shëndetshëm apo do të kesh punë të mirë etj. Kjo nuk lejohet dhe është ose shirk i madh ose shirk i vogël, varësisht se si e beson njeriu. Asnjë vend dhe asnjë person nuk është i bereqetshëm përveç nëse Allahu e ka bërë të tillë, siç ka qenë Pejhamberi salAllahu alejhi ue selem. Dhe ai ka qenë i bereqetshëm sepse Allahu e ka bërë të tillë, e jo se në vetën e tij ka qenë i tillë. Nuk lejohet të besojmë se një vend është i bereqetshëm fizikisht. Kjo është prej besimeve të idhujtarëve. Besimi se një vend është i bereqetshëm dhe të shkohet aty e të fërkohet (me besimin të marrë bereqet), ky është veprim i shirkut. Është shirk i madh kur personi beson se ai vend ta jep bereqetin prej vetes, pavarësisht Allahut (d.m.th. se Ai nuk e ka bërë të bereqetshëm), sepse kështu e bën të barabartë me Allahun, ngase siç thamë: bereqeti vjen vetëm prej Allahut. Gjithashtu, është shirk i vogël nëse personi beson se ai vend është vetëm shkak për bereqet, sepse Allahu nuk ka bërë vende të tilla (të bereqetshme fizikisht). Disa muslimanë kur shkojnë të bëjnë umre apo haxh fërkohen për Qabe, apo i fërkojnë rrobat për Qabe, madje disa që nuk kanë fëmijë fërkojnë rrobat e brendshme me besimin se kur të fërkohen dhe pastaj i veshin, atëherë u jep Allahu fëmijë. Këto mendime kanë mbetur prej kohës së idhujtarisë.

-Guri i Zi. Nëse ke mundësi, ligjësohet puthja e gurit të zi, nëse nuk ke mundësi atëherë vetëm e prek me dorë dhe e puthë dorën, apo e prek me shkop dhe e puthë shkopin, e nëse nuk ke mundësi as këtë atëherë vetëm bën me shenjë me dorë.

-Këndi i Jemenit (para këndit ku është Guri i Zi). Nuk ligjësohet puthja, por vetëm fërkimi me dorë nëse ke mundësi. Nëse nuk ke mundësi ta fërkosh me dorë këtë pjesë, atëherë nuk bën as me shenjë.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit