Vëllai është mirësi e mëshirë prej Allahut

Vëllai është mirësi e mëshirë prej Allahut

Vëllai është dhuratë e begati. Vëllai është mbrojte dhe krahë për vëllain, ai është shtyllë tek e cila shtrëngohet e forcohet në përballjen e tij me sprovat e kësaj jete. Por, sot gjejmë të ketë njeriu raporte të mira me çdokënd, ndërsa me vëllain e tij jo. Aq më keq ka prej njerëzve që shprehen me fjalë të këqija duke thënë “vëllai është si shkau”. Kjo është fatkeqësi dhe dalje nga natyrshmëria e pastër në të cilën Allahu e ka krijuar, se vëllai është mëshirë e dhuratë nga Allahu.

Obligimet e përgjegjësit ndërmjet vëllezërve:

Mirësia (bamirësia). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Të jesh bamirës më nënën, babanë, motrën dhe vëllain, pastaj me ata që janë më larg e me ata që janë më larg!” Nuk guxon që bamirësia jonë të dalë diku tjetër duke i tejkaluar këta që janë përmendur në hadith. Kur të kryesh bamirësinë ndaj këtij rrethi, pastaj i bën mirë të tjerëve që janë më larg. Pjesë e kësaj bamirësie është ndihma ndaj vëllait, shpirtërisht e financiarisht, gëzimi me gëzimin e tij, pikëllimi me pikëllimin e tij, interesimi për gjendjen e tij, marrja pjesë në gëzimet e hidhërimet e tij, mos ta braktisë e bojkotojë, të mbajë lidhje me të, të ketë vizita të shpeshta e të pandërprera.

Të duash për të atë që do për veten. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka pyetur njërin sahabi: “A e do xhenetin?” -“Po.” -“Atëherë duaj për vëllain atë që do për veten!” Po ashtu ka thënë: “Nuk ka besuar plotësisht ai që nuk e dëshiron për vëllain e vet atë që do për veten.” Kjo është peshojë matëse e besimit të njeriut. Kush do të shohë se a e ka plotësuar besimin e tij le të shohë këtë peshojë, se a është duke ia dëshiruar vëllait atë që ia dëshiron vetes, në çdo situatë, qoftë në çështje të fesë së pari, e pastaj edhe në çështjet dunjasë.

Dashamirësia dhe këshilla. Këshillimi është sinqeritet dhe dashamirësi. Që ta këshillosh dikë për përmirësim kjo tregon dashamirësinë tënde ndaj tij, se ti je i sinqertë ndaj tij. Aty ku ke vërejtje për vëllain, e këshillon me këshillë të mirë, me urtësi, duke mos e lënë të gabojë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Prej detyrave të vëllait ndaj vëllait është që kur kërkon këshillë, ta këshillojë dhe të jetë bamirës e dashamirës ndaj tij.”

Falja e harrimi i gabimeve të tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mëshironi ata që janë në tokë, do t’iu mëshirojë Ai (Allahu) që është mbi qiell.” Është një gabim i madh kur nuk i falin të tjerët që gabojnë, duke mos qenë në gjendje ta bëjnë këtë (faljen ndaj vëllait). Pavarësisht të këqijave, ai është vëllai yt, është një dhuratë e begati (prej Allahut). E ndoshta falja që ia bën, do të jetë shkak që ai të bëhet më i mirë e të përmirësohet.

-Lutja tek Allahu për vëllain kur nuk është i pranishëm, kur nuk është duke e dëgjuar. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se lutja e vëllait për vëllain është e pranuar. Ndihmesën më të madhe që e kërkojmë për vëllain prej Allahut, është përmes lutjes, duke kërkuar udhëzimin, faljen, përmirësimin e tij dhe për t’i dhënë nga të mirat e dunjasë dhe ahiretit.

Kur kjo qelizë brenda familjes, është e përmirësuar, pa dyshim se kjo do të reflektojë edhe jashtë familjes duke qenë të përmirësuara edhe raportet me të tjerët. Në të kundërt, raportet jo të mira brenda familjes, nuk do të rezultojnë me rezultate të mira edhe jashtë familjes.

 

Hoxhë Jeton Bozhlani – Hytbe – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit