Vlera e llojit të leximit të Kuranit (tilewetun lefdhij-jeh – leximi i Fjalëve të Kuranit (leximi shkronjë për shkronjë, fjalë për fjalë)

Vlera dhe llojet e leximit të Kuranit

Allahu thotë: “Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë. Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Falënderues.” Fatir 29-30.

Leximi i Kuranit është dy lloje:

  1. تلاوةٌ حكميَّةٌ – tilewetun hukmij-jeh – leximi i vendimeve, i dispozitave.

Me këtë është për qëllim: besimi i lajmeve të cilat i ka zbritur Allahu në Kuran dhe zbatimi i vendimeve, duke i kryer urdhrat dhe duke u larguar prej ndalesave.

  1. تلاوة لفظيَّةٌ – tilewetun lefdhij-jeh – leximi i Fjalëve të Kuranit (leximi shkronjë për shkronjë, fjalë për fjalë).

Në këtë pjesë do të flasim për leximin e dytë (tilewetun lefdhij-jeh)[1]. Për këtë lexim kanë ardhur tekste të shumta nga Kurani dhe suneti, të cilat tregojnë për vlerën e madhe të tij. Ato ose flasin për atë se ka shpërblim të madh ai i cili e lexon të gjithë Kuranin, ose për atë që e lexon një sure apo ajet të caktuar të tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.” Buhariu dhe të tjerë. Dhe ka thënë: “Ai që është i shkathtë në leximin e Kuranit, është së bashku me shkruesit (engjëjt) që janë të ndershëm (fisnikë) e të bindur (ndaj Allahut). Kurse ai i cili e lexon atë duke çaluar (belbëzuar, ngecur) në lexim dhe e  ka vështirë ta lexojë, ka dy shpërblime tek Allahu.” Muslimi dhe të tjerë. Ky i fundit, një herë shpërblehet për leximin e Kuranit dhe një herë për vështirësitë që ka gjatë leximit të tij. Dhe ka thënë: “Shembulli i besimtarit i cili e lexon Kuranin është sikur shembulli i qitros (أتْرُجَّة)[2], i cili ka aromë të mirë, por edhe shije të mirë. Shembulli i besimtarit i cili nuk e lexon atë është sikur shembulli i hurmës, ajo nuk ka aromë të mirë, porse shijen e ka të mirë.” Buhariu dhe Muslimi. Dhe ka thënë: “Lexoni Kuranin sa më shumë ngase ai do të vijë si ndërmjetës në Ditën e Gjykimit për atë që e ka lexuar.” Muslimi. Dhe ka thënë: “Pse nuk ngritët dikush prej jush të shkojë në xhami e të lexojë (mësojë) dy ajete prej Kuranit? Kjo është më mirë për të sesa posedimi i dy deveve. Nëse lexon tri ajete, kjo është më mirë sesa posedimi i tri deveve. Nëse lexon katër, kjo është më mirë sesa posedimi i katër deveve. Sa më shumë që shton, shtohet dhe shpërblimi.” Muslimi. Devetë kanë qenë në atë kohë pasuria më e shtrenjtë. Po ashtu ka thënë: “Nuk ndodh që disa njerëz të mblidhen në një prej shtëpive të Allahut (në xhami) që ta mësojnë (lexojnë) Kuranin e ta përsërisin (mësojnë)[3] mes vete, veçse mbi ta do të zbresë qetësia, do t’i mbulojë Mëshira e Allahut, engjëjt do t’i mbulojnë me krahët e tyre dhe Allahu do t’i përmendë tek ata (engjëjt) që janë tek Ai (në qiell). Muslimi. Dhe thotë: “Vazhdimisht merruni me Kuranin (lexojeni, mësojeni), ngase pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, ai ikë prej  jush më shpejt sesa deveja nga litari i saj.” Buhariu dhe Muslimi. Po ashtu ka thënë: “Askush nga ju mos të thotë “e kam harruar këtë e atë ajet”, por të thotë: “më është harruar”. Buhariu dhe Muslimi. Kështu ngase kur njeriu thotë “e kam harruar filan ajetin” kjo tregon se nuk i ka kushtuar rëndësi dhe nuk ka qenë i kujdesshëm ndaj Kuranit apo ndaj asaj pjese që e ka mësuar përmendësh. Po ashtu ka thënë: “Ai që lexon një shkronjë prej Librit të Allahut, arrin një shpërblim (vepër të mirë), mirëpo tek Allahu shpërblimi shumohet (dhe vepra e mirë te Ai shpërblehet) dhjetëfish. Nuk po them se Elif, Lamë dhe Mimë është një shkronjë e vetme. Por, shkronja Elif është një shkronjë, Lamë një shkronjë dhe Mimë një shkronjë.”  Tirmidhiu. Për të gjitha ato arrin nga një shpërblim dhe tek Allahu shpërblehet tridhjetëfish. Po ashtu ka thënë: “Vërtetë ky Kuran është gostia në të cilën Allahu i fton robërit e Tij. Andaj prezantoni sa më shumë aty, sepse ai është litari i fortë i Allahut, drita e qartë, shërimi i dobishëm, është mburojë për atë që kapet pas tij e shpëtim për atë që e ndjek atë. Nuk ka mundësi që ai i cili e ndjek atë të devijojë e pastaj të kërkojë arsyetime (kurrë nuk do të shtrembërohet që të ketë nevojë për t’u drejtuar). Çuditë (mrekullitë) e Kuranit nuk përfundojnë kurrë (çdoherë do të gjenden të mira e udhëzime sa të ekzistojë njeriu). Ai nuk vjetërsohet edhe pse lexohet shumë (gjithmonë do të ketë lexues të tij). Lexojeni sepse Allahu ju shpërblen për leximin e tij, për çdo shkronjë dhjetëfish. Nuk po them se Elim, Lamë dhe Mimë është një shkronjë e vetme, por Elim është një shkronjë, Lamë një shkronjë dhe Mimë një shkronjë.”[4] Dariumiu dhe Hakimi.

Këto ishin disa hadithe që tregojnë për vlerën e Kuranit apo leximin e tij, në përgjithësi. Ai që llogarit dhe shpreson këto shpërblime tek Allahu me leximin e Kuranit, atëherë do t’i arrijë ato dhe do të arrijë kënaqësinë e Allahut. Allahu na premton, përmes këtyre haditheve, shpërblime të shumta për një vepër të lehtë e të paktë. I falimentuar është ai që tregohet neglizhent në leximin e Kuranit. Ka humbur ai që e humbet këtë fitim.

[1] Në ndejën e dymbëdhjetë do të flasim për llojin tjetër të leximit të Kuranit.

[2] Frut me ngjyrë të verdhë e me lëkurë të trashë, me pak lëng me shije si të athët (thartë). Dijetarët kanë sqaruar arsyen se pse është veçuar në këtë shembull fruti i qitros e jo frutat tjerë të cilët kanë shije dhe aromë të mirë, siç është molla. Disa thanë se urtësia që fshehët në këtë shembull është se lëkura e qitros përdoret për shërim dhe sjellë gëzim të veçantë. Gjithashtu, prej frutit të qitros nxirret një lloj yndyre prej të cilës përfitojmë dobi të shumta. Disa të tjerë thanë se mbështjellësi i kokrrës së qitros është i bardhë dhe si i tillë i ngjan zemrës së besimtarit. Prej veçorive të tjera është se fruti i qitros është i madh dhe ka pamje të bukur. Ngjyra e qitros të bën të ndihesh i lumtur dhe është e butë në prekje. Kur ta hash me gjithë kënaqësinë që ta ofron, të jep edhe aromë të mirë. Qitro e pastron (zbut) stomakun dhe ndihmon tretjen. Dhe dobi tjera që janë cekur në librat e dijetarëve. Shih “Fet’hul-barij” të Ibën Haxherit, Allahu e mëshiroftë.

[3] Qëllimi me mësimin e përbashkët është që njëri të lexojë një pjesë të Kuranit e pastaj tjetri e përsërit atë (në formë të leximit apo përmendësh), apo njëri e lexon një pjesë e pastaj tjetri e vazhdon leximin aty ku ka mbetur i pari. Gjithashtu, këtu hyn edhe mësimi i kuptimeve dhe dispozitave të Kuranit.

[4] Këtë thënie shejkh Uthemin rahimehullah e sjellë sikur hadith, porse e sakta është se këto fjalë janë të Abdullah ibn Mesudit radijAllahu anhu, është hadith meukuf të cilin e ka thënë ai.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Ndejat e Ramazanit – Transkriptim.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit