Vlera e natës së Kadrit

Vlera e natës së Kadrit

Në ndejën paraprake shpjeguam vlerën dhe pozitën e lartë të dhjetë netëve të fundit të Ramazanit. Ajo që ia shton edhe më shumë vlerën dhe madhështinë atyre, është nata e Kadrit, të cilën Allahu e ka vendosur në këto dhjetë netë dhe e ka dalluar prej netëve të tjera të vitit. E ka dalluar si natë (e ka ngritur shumë lartë çështjen e saj) e gjithashtu e ka dalluar me atë se në të Ai u jep muslimanëve shpërblime të shumta. Allahu në Kuran tregon se çfarë vlere të madhe ka kjo natë: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë, me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi nisur të dërguar, si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha. Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje. S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij. Ai e jep jetën dhe e shkakton vdekjen. Ai është Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj të lashtë!” Duhan 3-8. Allahu në këto ajete, natën e Kadrit e përshkruan “muberakeh – مُبَارَكَة  – e bekuar”. Kjo ngase mirësia, bereqeti e vlera e saj është shumë e madhe. Ai ka vendosur mirësi, bereqet, bekime e shpërblime të shumta në këtë natë.

Prej bereqetit të natës së Kadrit është se në të Allahu e ka zbritur Kuranin fisnik. Po ashtu, në këtë natë Allahu vendos e gjykon për çdo çështje të urtë (në të cilën ka urtësi). Qëllimi është se Allahu, në këtë natë, çdo çështje që është në Lewhu Mahfudh, e që do të ndodhë deri në Ramazanin e ardhshëm (deri në ditën e natës së Kadrit), e vendos në shkrimet të cilat janë në duart e engjëjve. Allahu e gjykon dhe vendos se çfarë do të ndodhë brenda vitit, qoftë nëse ka të bëjë me furnizimin, me afatin e vdekjes, me të mirën e të keqën etj., çdo gjë. Këto Allahu thotë se janë çështje të urta, janë prej çështjeve e urdhrave të Përsosur të Tij, që i vendos Ai, ngase Allahu është i Urti. Nuk ka mangësi, mendjelehtësi, kotësi e të metë në këto gjëra, të cilat i vendos dhe i gjykon Allahu. Çdo gjë që e vendos Allahu në këtë natë, deri në vitin e ardhëm, është çështje e urtë, qoftë nëse na konvenon a na përshtatet neve apo jo, ngase kjo është Caktim i Allahut i Cili është el Azizul Alim – i Plotëfuqishmi dhe i Gjithdijshmi.

Allahu ka zbritur një sure të plotë e cila flet rreth natës së Kadrit. Ai thotë: إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِى لَيْلَةِ الْقَدْرِ * وَمَآ أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ * لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ * تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍ * سَلَمٌ هِىَ حَتَّى مَطْلَعِ الْفَجْرِ – Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” Surja Kadr 1-5.

Është quajtur “لَيْلَةِ الْقَدْرِ – Nata e Kadrit” për dy arsye:

  1. Fjala “قَدْرِ – kadr” në arabisht tregon madhështi, ndershmëri, pozitë të lartë, që do të thotë se kjo natë është madhështore, ka pozitë të lartë tek Allahu.
  2. Fjala “قَدْر – kadr” është marrë prej Caktimit (تقدير), nga ajo se Allahu në këtë natë Cakton dhe gjykon se çfarë do të ndodhë prej çështjeve të urta, deri në vitin e ardhshëm.

 

“ليْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ – Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.” Sa i përket vlerës e madhështisë së saj, e po ashtu shpërblimeve të shumta të cilat Allahu ua jep besimtarëve në të, ajo është më e vlefshme sesa 1000 muaj. Ai që e ngjallë këtë natë me adhurime, me besim dhe shpresë në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e kaluara.

“تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا – Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), zbresin në këtë natë”. Engjëjt janë robër të Allahut, të cilët e adhurojnë Atë natë e ditë, pa ndërprerë. Allahu kur i përshkruan engjëjt thotë: “Atij i përket gjithkush që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ata që janë tek Ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë e nuk ndiejnë lodhje, por e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, paprerë.” Enbija 19-20. Kur engjëjt zbresin në tokë në këtë natë (siç gjejmë në ajetin më lartë), atëherë sjellin me vete mirësinë, bereqetin e Mëshirën e Allahut. Në mesin e engjëjve, Allahu e veçon njërin prej tyre, me Fjalët “وَالرُّوحُShpirti”, ku për qëllim është Xhibrili, duke na treguar me këtë se është prej engjëjve madhështor, me pozitë të lartë tek Allahu.

سَلَمٌ هِىَ  – (Ajo) Është Paqe…”, është paqe, selamet, siguri për besimtarët, janë së sigurt prej çdo gjëje nga e cila frikësohen; besimtari i frikësohet dënimit të Allahut, zjarrit të xhehenemit. Në këtë natë Allahu liron shumë besimtarë prej zjarrit të xhehenemit dhe i shpëton prej këtij ndëshkimi.

“حَتَّى مَطْلَعِ الْفَجْرِ” – deri në lindjen e agimit”. Nata e Kadrit zgjatë derisa të lindë agimi, me lindjen e tij përfundon kjo natë dhe veprat e mira që duhet të kryhen brenda saj.

Në këtë sure të ndershme Allahu përmend vlerat e Natës së Kadrit, që janë të shumëllojshme:

  1. Zbritja e Kuranit. Ai është udhëzim për njerëzimin. Në të ka zbritur Kurani, në të cilin është udhëzimi dhe lumturia në këtë botë dhe botën tjetër.
  2. Në këtë sure Allahu përmend në formë pyetëse وَمَآ أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ – E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?” duke treguar për madhështinë e kësaj nate; Ai e madhëron këtë natë, i thotë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem se askush nuk ka mundësi të ta tregojë vlerën e madhe të saj përveç Allahut.
  3. Ajo është më e vlefshme sesa 1000 muaj.[1]
  4. Zbritja e engjëjve, duke sjellë me vete mirësinë, bereqetin dhe mëshirën (e Allahut).
  5. Kjo natë është selam – paqe, qëllimi është se në të ka selamet (shpëtim), për besimtarët prej dënimit e ndëshkimit të Allahut (për shkak të adhurimeve të shumta që i kryejnë në këtë natë).
  6. Për këtë natë Allahu ka zbritur një sure të veçantë e cila lexohet deri në Ditën e Kiametit.

Prej vlerave të tjera të Natës së Kadrit është ajo që është vërtetuar në hadith: من قَامَ ليلةَ القدرِ إيماناً واحتساباً غُفِر له ما تقدَّم من ذنبِه – Kush e gjallëron natën e Kadrit me namaz (dhe lloje tjera të adhurimeve), duke pasur besim dhe shpresë, i falen mëkatet e kaluara.” Buhariu dhe Muslimi. Pra, ngrihesh e adhuron Allahun dhe shton adhurimet duke kërkuar këtë natë në dhjetë netëshin e fundit të Ramazanit. Qëllimi me “إيماناًduke pasur besim” është: me besim e bindje të plotë në Allahun dhe në shpërblimin të cilin e ka përgatitur për ata të cilët ngritën dhe e adhurojnë Atë në këtë natë. Nuk duhet pasur mëdyshje e dyshim në këtë. Nëse e adhuron Allahun dhe e ngjallë këtë natë duke pasur këtë bindje dhe “واحتساباً – dhe shpresë” në shpërblimin e Allahut, do të të falen mëkatet e kaluara. Këtë shpërblim e arrin çdokush i cili e adhuron Allahun në këtë natë, qoftë nëse e di se është nata e Kadrit apo jo. Kjo sepse në këtë hadith Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem nuk po kushtëzon me dijen se kur është ajo, nuk thotë se vetëm ai që e di se është nata e Kadrit dhe e adhuron Allahun në të atëherë do ta arrijë këtë shpërblim.

Nata e Kadrit është në muajin Ramazan, ngase Allahu na ka treguar se Kuranin e ka zbritur në këtë natë: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit”, dhe në ajete të tjera ka treguar se Kuranin e ka zbritur në muajin Ramazan: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani” Bekare 185. Në këtë mënyrë përcaktojmë bindshëm dhe e dimë se nata e kadrit është në muajin Ramazan. Ky sqarim vjen për shkak se ka njerëz të cilët mendojnë se kjo natë është në muaj të tjerë. E vërteta është siç e ka shpjeguar Allahu në Librin e Tij.

Nata e Kadrit ka qenë (ka ekzistuar) edhe në umetet e tjera. E në këtë umet nuk ka përfunduar me vdekjen e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem, (kjo natë) vazhdon deri në Ditën e Kiametit. Transmetohet se Ebu Dherri radijAllahu anhu e ka pyetur Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem: “O i Dërguar i Allahut, më trego për natën e Kadrit se a është në muajin Ramazan apo në muajt e tjerë!” Ka thënë: “Gjithsesi se ajo është në Ramazan.” –“Kjo natë a ka qenë vetëm sa kanë qenë gjallë Pejgamberët dhe me vdekjen e tyre ka përfunduar, apo vazhdon deri në Ditën e Kiametit?” –“Ajo vazhdon së qeni (për çdo vit) deri në Ditën e Kiametit.” Imam Ahmedi dhe të tjerë. Hadith sahih. Mirëpo, Allahu, me vlerën e shpërblimin e kësaj nate, e ka dalluar këtë umet prej umeteve të tjera, ashtu siç e ka veçuar me vlerën e ditës së xhuma dhe me virtyte e vlera të tjera të shumta. Lavdi i qoftë Allahut!

Nata e Kadrit është në dhjetë netshin e fundit të Ramazanit. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “تَحَرَّوا ليلةَ القدرِ في العشرِ الأواخر من رمضانَ – Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë netshin e fundit të Ramazanit.” Buhariu dhe Muslimi. Më së afërmi është që kjo natë të jetë në netët teke, e jo në çift. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në netët teke në dhjetë netët e fundit të Ramazanit!” Buhariu dhe Muslimi. Më së afërmi (nga kjo) është të jetë në shtatë netshin e fundit. Ibn Umer radijAllahu anhu tregon: “Disa prej shokëve të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem kanë parë në ëndërr se Nata e Kadrit është në shtatë netshin e fundit të Ramazanit. Dhe Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem u ka thënë: Po shoh se ëndrrat tuaja po përputhen me njëra-tjetrën, se ajo (nata e Kadrit) është në shtatë netshin e fundit. Ai që e kërkon atë, le ta kërkojë në shtatë netshin e fundit.” Buhariu dhe Muslimi. Po ashtu transmetohet nga Muslimi se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë netshin e fundit. E nëse dikush tregohet i dobët në shtimin e adhurimeve, mos të lejojë që kjo dobësi ta mundë në shtatë netshin e fundit!” E më tej, disa prej dijetarëve thonë se më së afërmi brenda këtyre shtatë netëve të fundit, është që Nata Kadrit të jetë në natën e njëzetë e shtatë, ngase Ubej ibn Kabi radijAllahu anhu ka thënë: “Pasha Allahun, unë e di cila është kjo natë. Ajo është nata të cilën Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka urdhëruar ta gjallërojmë me namaz nate (dhe lloje tjera të adhurimeve). E kjo është nata e njëzetë e shtatë.” Këtë ether e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

Ajo që duhet ditur është se Nata e Kadrit, nga kjo që thamë se më së afërmi është në shtatë netshin e fundit dhe pastaj më së afërmi në natën e njëzetë e shtatë, nuk do të thotë se gjithsesi për çdo vit është në natën e njëzetë e shtatë, siç mendojnë disa prej muslimanëve të cilët adhurimet i shtojnë vetëm në natën e njëzetë e shtatë, kurse në netët e tjera tregohen neglizhentë e mospërfillës, mirëpo është më së afërmi që të jetë në këtë natë. Nata e Kadrit nuk është e veçantë për një natë të caktuar, në të gjitha vitet. Kjo natë zhvendoset nga një natë në një natë tjetër, nëpër vite. Në një vit mund të jetë në natën e njëzetë e një, në vitin tjetër në natën e njëzetë e tretë, në vitin tjetër në natën e njëzetë e pestë, në vitin tjetër në natën e njëzetë e shtatë. Kjo sipas vullnetit, dëshirës dhe Urtësisë së Allahut. Për këtë është argument hadithi në të cilin thuhet: “Kërkojeni Natën e Kadrit në nëntë netët e mbetura, ose në shtatë netët e mbetura, ose në pesë netët e mbetura!” Buhariu dhe të tjerë. Ibn Haxheri rahimehullah në Fethul bari thotë: “Mendimi më i saktë (me argumente) i dijetarëve është se nata e Kadrit është në netët teke të dhjetë netshit të fundit, dhe se ajo zhvendoset (nuk është veç në një natë të caktuar çdoherë).”

Prej urtësisë së Allahut dhe si mëshirë për robërit e Tij është se Ai e ka lënë të fshehur natën e Kadrit, në mënyrë që ata të shtojnë adhurimet e tyre në kërkim të saj, që ata ta adhurojnë Allahun sa më shumë në dhjetë netshin e fundit të Ramazanit, apo në netët teke të dhjetë netshit të fundit, duke shtuar adhurimin, si: namazin, dhikrin, leximin e Kuranit, lutjen etj. Kështu dhe afrohen sa më shumë tek Allahu, e po ashtu shtojnë dhe shpërblimet. Po ashtu Allahu e ka lënë të fshehur këtë natë për një arsye tjetër, që është: t’i sprovojë njerëzit, të dallojë se kush prej tyre e kërkon këtë natë me seriozitet, me këmbëngulje dhe me dëshirën për shpërblimin e saj dhe se kush është dembel e neglizhent i cili mundohet që veç me një natë ta arrijë atë shpërblim të madh të Allahut. Ai që ka seriozitet dhe është këmbëngulës në një çështje të cilën e dëshiron dhe e kërkon (ta fitojë), atëherë edhe nëse lodhet në këtë, për shkak të synimit të lartë që ka, kjo lodhje në sytë e tij është diçka e vogël, nuk ka peshë të madhe.

Ka mundësi që Allahu disa prej robërve të Tij t’u dërgojë shenja përmes të cilave u tregon se kur është nata e Kadrit; shenja që i di Allahu. Siç i ka ndodhur Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në një vit të caktuar të cilit Allahu ia ka treguar në ëndërr shenjat e kësaj nate. Ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nata e Kadrit është ajo natë sabahun e së cilës e fali duke bërë sexhde në ujë e baltë.” Dhe sahabët kanë parë se kjo ka qenë nata e njëzetë e një (e atij Ramazani) kur ai salAllahu alejhi ue selem e ka falur namazin e sabahut në ujë e baltë. Xhamia e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem ka qenë e mbuluar vetëm me gjethe të palmës së hurmës dhe kur ka rënë shi ajo nuk e ka pritur shiun, është bërë baltë, dhe ai salAllahu alejhi ue selem e ka falur namazin në baltë dhe ujë. Me këtë e kanë kuptuar se në atë natë ka qenë nata e Kadrit. Këtu vërejtëm se nata e Kadrit në një vit të caktuar ka qenë në natën e njëzetë e një të Ramazanit (e jo në natën e njëzetë e shtatë, do të thotë se është zhvendosur në natën e njëzetë e një).

Përfundimisht themi se në këtë natë Allahu i hap dyert e Mëshirës së Tij. Allahu bën që në këtë natë disa prej robërve (të dashurve) të Tij të afrohen edhe më shumë tek Ai, Ai i dëgjon lutjet e tyre dhe u përgjigjet atyre. Në këtë natë cakton shpërblim të madh për ata të cilët ngritën dhe e adhurojnë Allahun gjatë saj, ngase ajo është më e vlefshme sesa 1000 muaj. Andaj duhet dhënë maksimumin tonë dhe duhet të kemi kujdes të mos tregohemi mospërfillës e neglizhentë në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, në mënyrë që të arrijmë vlerën dhe shpërblimin e natës së Kadrit.

[1] Disa kur kanë llogaritur 1000 muaj me 84 vjet kanë thënë se Nata e Kadrit është e vlefshme sa 84 vjet adhurim. Mirëpo, e vërteta është se ajo është më e vlefshme sesa kaq, ngase Allahu thotë: “Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj” duke sjellë foljen në mënyrën sipërore “më e mirë (më e vlefshme)”, e sa është më e mirë (më e vlefshme) Allahu e di më mirë, porse gjithsesi është më e vlefshme sesa 1000 muaj, më e vlefshme sesa 84 vjet adhurim.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Libri “Ndejat e Ramazanit” – Transkriptim.