Xheneti i kësaj bote

Xheneti i kësaj bote

Do të sjellim disa shembuj të besimtarëve të mirë se si ata e kanë arritur ëmbëlsinë e besimit.

─ Habab ibn Arati radijAllahu anhu ka shkuar te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe është ankuar për padrejtësinë e torturat e idhujtarëve të Mekës ndaj muslimanëve dhe ai i ka thënë: “Para jush, në popujt e mëhershëm, ka pasur musliman të cilin armiqtë e besimit e kanë futur në një gropë dhe ia kanë vendosur sharrën në mes të kokës, pastaj e kanë prerë në dy pjesë, dhe kjo nuk e ka kthyer prej fesë. Ka pasur të cilin e kanë vendosur në gropë dhe me krehër të hekurit ia kanë ndarë mishin nga ashti, dhe kjo nuk e ka larguar prej fesë. Pasha Allahun, Allahu do ta plotësojë këtë çështje (do ta triumfojë këtë fe- Islamin) saqë kalorësi do të udhëtojë prej Sanaas në Hadramaut (dy qytete të Jemenit) dhe nuk do t’i frikësohet askujt tjetër përveçse Allahut apo ujkut për kopenë e tij, mirëpo ju jeni popull që nguteni (kërkoni të përshpejtoni ndihmën e Allahut, e ajo ka kushte që duhet të plotësohen për t’u arritur).”

─ Bilal ibn Rabahin radijAllahu anhu (më vonë muezin i Pejgamberit) e kanë torturuar idhujtarët duke e shtrirë në rërë të nxehtë dhe duke vendosur mbi gjoksin e tij një gur të madh, pasi kishte shpallur publikisht fjalën e teuhidit La ilahe ilAllah. Kur e kanë pyetur se si ka arritur të durojë në atë nxehtësi, ka thënë: “Kam përzier ëmbëlsinë e besimit me hidhësinë e torturës (që ma kanë bërë), dhe ëmbëlsia e besimit ka triumfuar mbi hidhësinë e saj.”

Prandaj, ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Ai që është i sinqertë në adhurimet ndaj Allahut (i bën vetëm për Atë), e shijon ëmbëlsinë e të qenit rob adhurues i Tij. Kjo ëmbëlsi e pengon atë të jetë rob i dikujt tjetër, ngase për zemrën e shëndoshë nuk ka diçka më të ëmbël (të shijshme, të kënaqshme, që e lumturon) sesa ëmbëlsia e besimit, e cila përmban në vete të qenit rob adhurues i Allahut. Kjo pastaj sjell si rezultat të pashmangshëm drejtimin (udhëtimin) e zemrës së tij (adhuruesit) kah Allahu, i përulur, me frikë dhe shpresë tek Ai.” Ubade ibn Saamit radijAllahu anhu e ka porositur djalin e tij: “O biri im, kurrë nuk do ta gjesh shijen e vërtetë të besimit derisa të jesh i bindur se ajo që të ka goditur, nuk ka pasur mundësi të të mos godiste dhe ajo që nuk të ka ardhur, nuk ka pasur mundësi të të vinte. Këtë e kam dëgjuar nga Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i cili ka thënë: “Gjëja e parë të cilën e ka krijuar Allahu është lapsi, të cilit i ka thënë: “Shkruaj!” Lapsi e ka pyetur: “O Zoti im, çfarë të shkruaj?” Allahu ka thënë: “Shkruaj paracaktimet e gjërave që do të ndodhin deri në Ditën e Kiametit.”  

─ Prej skenave që ka parë Pejgamberi salAllahu alejhi në natën e Miraxhit është dhe ngjarja e shërbëtores (besimtare) së vajzës së Faraonit e cila ka krehur flokët e saj. Transmetohet se kur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është ngritur në Miraxh ka kaluar pranë një arome të këndshme, dhe ka pyetur: “Çfarë është?” Xhibrili i ka thënë: “Ajo është aroma e gruas e cila ka krehur flokët e vajzës së Faraonit dhe është aroma e fëmijëve të saj.” Pastaj e ka pyetur: “Si është puna me të?” Ka thënë: “Në një natë, duke krehur flokët e vajzës së Faraonit, i ka rënë krehri në tokë dhe ka thënë “Bismilah – me emrin e Allahut”. Vajza e Faraonit e ka pyetur: “A e ke për qëllim babanë tim?” (Siç e dimë atë e kanë besuar Faraonin si zot). Dhe ajo është përgjigjur: “Jo. Zoti im dhe Zoti i babait tënd është Allahu.” Atëherë i ka thënë: “Do t’i tregoj Faraonit.” I ka thënë: “Tregoji!” Pasi i kanë treguar e kanë ftuar pranë Faraonit i cili i ka thënë: “O filane, a ke ti tjetër zot përveç meje?” Ajo është përgjigjur: “Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.” Atëherë Faraoni ka urdhëruar të merret një lopë e gdhendur prej bakri që të shkrihet në zjarr të nxehtë dhe të hedhin në të atë me fëmijët e saj. Mirëpo, ajo ka paraqitur një kërkesë: “Kur të përfundoni me këtë, të mblidhni eshtrat tonë për t’i varrosur në një vend.” Pasi i kanë premtuar për këtë, kanë hedhur para syve të saj së pari fëmijët, një nga një, derisa kanë ardhur te fëmija më i vogël i cili ka qenë në gji (duke pirë). Këtu është tërhequr paksa (nga dhembshuria), mirëpo fëmija ka folur (edhe pse ka qenë foshnje): “O nëna ime, hyr në zjarr (mos u tërhiq mbrapa), ngase dënimi i kësaj bote është shumë më i lehtë sesa dënimi i botës tjetër!” Dhe kështu ajo bashkë me foshnjën ka hyr në zjarr.”

─ Transmetohet se Imran ibn Husejni ka qenë i sprovuar me një sëmundje shumë të rëndë, e cila ka qenë e pashërueshme, për shkak të saj ka mbetur në shtrat 30 vite (pa u ulur e pa u ngritur). Kur e ka vizituar Muterrifi me vëllain e tij ka qarë për gjendjen e rëndë të tij. Ai i ka thënë: “Mos qaj, sepse përderisa Allahu e ka dashur këtë gjë për mua atëherë edhe unë e dua për veten time. Po të tregoj për një gjë, por mbaje të fshehtë derisa të vdes, e pas vdekjes tregoje se ndoshta Allahu u bën dobi njerëzve përmes saj. Mua më vizitojnë engjëjt e Allahut dhe kurrë nuk ndihem i vetmuar (më vijnë vazhdimisht dhe ma largojnë mërzinë e vetminë), madje më japin selam e unë e dëgjoj atë. Me këtë (mirësi kaq të madhe) e di se kjo sprovë nuk është dënim prej Allahut.” Kush e sheh fatkeqësinë e sprovën me këtë sy atëherë nuk ka mundësi të jetë i pakënaqur me Caktimin e Allahut.

─ Kur ibn Tejimjen (Allahu e mëshiroftë!) e kanë burgosur në burgun famëkeq në kështjellën e Damaskut dhe ia kanë mbyllur derën, atëherë është shfaqur ëmbëlsia e kënaqësia e besimit- e cila është balsam për sprovat dhe vështirësitë e jetës- dhe ka lexuar ajetin: “Dhe, ndërmjet tyre, do të vendoset një mur me portë: brenda saj ka mëshirë, kurse jashtë saj ka dënim”. Hadid 13. E ka llogaritur këtë sprovë mëshirë prej Allahut. Pastaj ka thënë: “Çfarë mund të bëjnë armiqtë e mi kundër meje?! Unë xhenetin e kam në zemër. Kudo që shkoj e marr me vete. (Kështu) Nëse më burgosin, atëherë vetmohem me Allahun dhe e përmendi Atë. Nëse më vrasin, atëherë jam dëshmor inshAllah. Nëse më dëbojnë, atëherë shëtitëm e meditoj për argumentet e Allahut të vendosura në univers. Në dunja është një xhenet. Kush nuk hyn në të, nuk do të hyjë as në xhenetin e botës tjetër, ai është xheneti i besimit. I burgosur është ai zemra e të cilit burgoset në raport me Allahun (nuk e përmend, nuk e kujton, nuk e do etj.). I robëruar është ai të cilin e robërojnë epshet e tij.”

Ëmbëlsia e besimit është një gjë që nuk mund të përjetohet nga çdokush, ajo është një dhuratë prej Allahut që nuk shitet e as nuk mund të merret me forcë prej të tjerëve. Kishte prej muslimanëve të parë që kanë thënë: “Sikur të dinin mbretërit dhe bijtë e tyre se çfarë kënaqësie përjetojmë ne, do na merrnin me shpatat e tyre (me dhunë)!” Ata (mbretërit) kanë të gjitha të mirat e kësaj bote, mirëpo nuk e kanë ëmbëlsinë e kënaqësinë më të madhe të zemrës, që është ëmbëlsia e besimit.

Shejh islam ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Zemrat kurrë nuk mund të arrijnë kënaqësi e lumturi të plotë përveçse në dashurinë ndaj Allahut dhe në afrimin tek Ai me vepra të cilat i do Ai. Zemra nuk ka mundësi ta dojë Allahun përveçse atëherë kur largohet prej çdokujt tjetër të dashur për të dhe e do vetëm Atë.”

Një prej selefit ka thënë: “Nuk ka pasuri më të madhe sesa qetësia e zemrës dhe nuk ka varfëri më të madhe sesa trazimi i zemrës. Nuk ka krenari më të madhe sesa mos lakmia në jetën e kësaj bote dhe nuk ka poshtërim më të madh sesa lakmia dhe dëshira për jetën e kësaj bote. Nuk ka nderë më të madh sesa bindja ndaj Allahut. Nuk ka gradë më të lartë sesa durimi. Nuk ka ëmbëlsi më të madhe sesa dashuria ndaj Allahut dhe nuk ka hidhësi më të madhe sesa zemërimi i Tij. Nuk ka stolisje më të mirë sesa modestia dhe nuk ka injorancë më të madhe sesa mendjemadhësia. Nuk ka forcë më të madhe sesa uria (mos mbushja e barkut). Nuk ka sëmundje më të madhe sesa ekspozimi i vetes ndaj zemërimit të Allahut. Nuk ka fjalë më të mirë sesa fjala La ilahe ilAllah.”

Ebu Derda radijAllahu anhu u ka thënë banorëve të Shamit: “Çfarë është puna me ju që nuk po shoh gjurmët e ëmbëlsisë së besimit tek ju?! Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, sikur edhe ariu të shijonte ëmbëlsinë e besimit do të vëreheshin tek ai gjurmët e kësaj ëmbëlsie! Çdokush që frikësohet për humbjen e besimit të tij, Allahu do t’ia shtojë atë e nëse ndihet i sigurt në këtë, është rrezik t’i merret ai.”

Ëmbëlsia e besimit qenka xheneti i kësaj jete të cilin e përjeton muslimani dhe nën hijen e tij strehohet. Ai është edhe xheneti i botës tjetër, mirëpo para se besimtari të hyjë në xhenetin e botës tjetër ai hyn në një xhenet në këtë botë, që është ëmbëlsia e besimit. Çdo gjë që mbjell në të do ta korrë në botën tjetër.

Për t’u arritur kjo ëmbëlsi ka shkaqe dhe kushte nga të cilat buron dhe rrjedh ajo. Me largimin e tyre, largohet edhe ajo. Andaj, muslimani duhet të përpiqet shumë në veprimin e këtyre shkaqeve, në mënyrë që të bëjë jetë të mirë e të kënaqshme në të dy botët.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim – Seria “Ëmbëlsia e besimit”.

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit