Zekati i Fitrit në detaje

● Zekatin e fitrit Allahu e ka bërë obligim
-si pastrim për agjëruesin prej gabimeve, lëshimeve, fjalëve të ulëta, ndonjë mëkati,
-dhe ushqim për të varfrit.

● Ne duhet ta japim atë me zemër të gjerë, e jo me koprraci dhe ngushtim.

● Dhënia e zekatit të fitrit është obligim për çdo musliman, rob apo i lirë, mashkull apo femër, i vogël apo i madh. Pra, muslimani e ka obligim ta japë atë për veten dhe për ata (antarë të familjes) që i ka nën kujdesin e tij. Nuk është obligim të jepet për fetusin që është në barkun e gruas, por është vepër e pëlqyer.

● Sasia e dhënies së zekatit të fitrit për një person është një sa’a. Një sa’a është 3 kg.

● Zekati i fitrit jepet prej ushqimeve të vendit, të cilat përdoren më shumë, pra që janë prej uzhqimeve bazë apo kryesore të vendit, shembull: nëse në një vend përdoret orizi më së shumti, atëherë jepet ai, edhe pse nuk është përmendur në hadith. Është më së miri të jepet ushqimi më kualitativ, më i dashuri dhe më i preferuari te nevojtarët e vendit.

● Nuk lejohet dhënia e zekatul fitrit në para. Ai jepet vetëm si ushqim.

● Njeriu e jep zekatul fitr në vendin ku e zënë përfundimi i Ramazanit e jo në vendin ku e ka nisur atë. Mirëpo, nëse ai është në një vend tjetër, ndërsa ata të cilët i ka nën përgjegjësi janë në vend tjetër, për dhënien e zekatul fitr i ka dy mundësi:
-Ta japë për veten e për ta në vendin ku e ka zënë fundi i Ramazanit,
-t’i autorizojë ata që i ka nën përgjegjësi (të cilët janë në vend e vet) që ta nxjerrin zekatul fitrin për të dhe për ta.

● Koha e dhënies së zekatul fitr:
-jepet në natën e Bajramit deri para faljes së namazit të Bajramit,
-lejohet dhënia 1 apo 2 ditë para ditës së Bajramit (jo më herët).

● Nëse jepet pas faljes së Bajramit nuk është zekatul fitr, por sadaka e zakonshme.

● Është mirë të vonohet dhënia deri pak para faljes së namazit të Bajramit apo pak para faljes së namazit të sabahut (në ditën e Bajramit).

● Nëse njeriu e vonon dhënien e zekatit të Fitrit qëllimisht pa pasur arsye deri pas faljes së Bajramit, ai bën mëkat me këtë dhe sipas një mendimi të dijetarëve ai prapseprapë e ka obligim dhënien e tij.

● Kujt i jepet zekati i Fitrit? Dijetarët janë ndarë në dy mendime:
-u jepet kategorive që e meritojë zekatin e pasurisë,
-u jepet veç të varfërve (nevojtarëve).

Andaj, është mirë që t’u jepet veç të varfërve, siç i ka veçuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në hadith.

Hoxhë Lulzim Perçuku

Shpërndaje artikullin
Madhësia e tekstit