Zilia dhe rreziku i saj

  • Post Category:Këshilla
Zilia dhe rreziku i saj

Zilia dhe rreziku i saj

Islami është vërtetë fe që na mëson përmirësimin e vetes dhe të tjerëve. Është fe e edukatës, e moralit dhe e ngritjes shpirtërore. Ajo ka ardhur që të dëlirë zemrat dhe shpirtrat tanë, që ta përmirësojmë të brendshmen dhe të jashtmen tonë. Ajo na mëson se si të arrijmë ndershmërinë dhe zemërgjerësinë. Kjo fe pastron zemrat tona prej gjërave që e njollosin atë dhe prej të metave.

Zilia është një e keqe e madhe dhe një sëmundje vrastare. Kur depërton në zemër e prishë dhe i shkakton dëme e pasoja të shumta. Allahu na ka urdhëruar që të kërkojmë mbrojtje tek Ai prej sherrit të këtij vese të keq, “…dhe nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë!” Felek 5. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos keni zili ndaj njëri-tjetrit.” Dhe: “Kini kujdes dhe ruanu prej zilisë.”

Ziliqari është armik i dhuntive të Allahut (që ia ka dhënë robërve të Tij). Ai nuk ndihet rehat e nuk gjen qetësi, ka mendime të trazuara e shqetësime dhe nuk i largohen derisa të shohë se i janë larguar dhuntitë e mirësitë atij që e ka zili. Dijetarët kanë thënë: “Ziliqari është sikurse gjarpri i mbushur me helm. Ai nuk ndihet i qetë derisa ta nxjerrë helmin jashtë.” Ai është armik i mirësive të Allahut mbi njerëzit (ky është përshkrimi më i rëndë që i është bërë ziliqarit) sepse ai nuk është i kënaqur dhe nuk e pranon atë që Allahu e ka caktuar dhe ndarë për robërit e Tij, nuk i është i kënaqur me urtësinë e Tij dhe me drejtimin e rregullimin që ia bën universit dhe krijesave në këtë univers. Allahu vepron me urtësi të përkryer dhe rregullim e drejtim të përsosur. Çdo mirësi e dhunti që ua jep njerëzve, këtë e bën duke u bazuar në këtë urtësi të Tij.

Ai që nuk i pranon të mirat e Allahut mbi njerëzit, ai është vërtetë armik i këtyre të mirave, dhe për këtë arsye zemra e tij mbushet me urrejtje, pakënaqësi, keqdashësi e ligësi, ai dëshiron që ato t’iu largohen atyre. Pastaj kjo urrejtje e armiqësi e shtyn atë të jetë i padrejtë duke iu shkaktuar dëme të ndryshme dhe të bëjë mëkate. Kështu ziliqari së pari e dëmton veten e tij. Dijetarët kanë thënë: “Zilia është sikurse zjarri. Nëse zjarri nuk gjen çfarë të djegë, atëherë e djegë vetveten.”

Prej pasojave të zilisë është se ajo ia djeg ziliqarit veprat e mira (apo një pjesë të madhe të tyre), “siç i djeg zjarri drutë e thatë” (hadith); kështu ato mund t’i shkatërrohen e të mos përfitojë prej tyre. Ziliqari duke u preokupuar me zilinë e tij, harron të jetë mirënjohës e falënderues ndaj Allahut për të mirat e shumta që ka dhe angazhohet me të tjerët (me të mirat që ua ka dhënë atyre). Çdo njeri posedon të mira të shumta që nuk mund t’i llogarisë.

Zilia sjellë dëme të shumta e rreziqe të mëdha për vetë ziliqarin dhe për shoqërinë. Kur përhapet zilia diku, përhapet bashkë me të urrejtja, armiqësia, ligësia, dashakeqësia dhe qëllimet e këqija. Kështu vije deri te përçarja (qoftë brenda familjes apo shoqërisë).

Ziliqari duhet të ndalet e të mendojë se në realitet çfarë përfiton prej zilisë. Asgjë. Me zilinë e tij, nuk ka mundësi të ndikojë diçka në kaderin dhe caktimin e Allahut. Gjithashtu të ndalet e të mendojë se për çfarë e ka zili dikë. Për shkak se Allahu e ka dalluar dhe vlerësuar atë duke i dhënë të mira? Atëherë, si ka mundësi që njeriu të ketë zili për të mirat që Allahu ia ka dhënë atij, pra të bëhet armik ndaj caktimit të Tij?! Apo ndoshta ia ka zili tjetrit për shkak se Allahu i ka dhënë të mira atij, e që në realitet ato janë një lloj dënimi për të, ngase Ai ia ka dhënë ato si provë se a do të jetë falënderues e mirënjohës e kështu ai nuk është dhe si pasojë shkon gradualisht drejt një përfundimi me pasoja, atëherë si ka mundësi që njeriu të ketë zili për të mirat që Allahu ia ka dhënë dikujt e që realisht kjo do të jetë shkatërrim për atë person?!

Është obligim për çdo musliman që të jetë i kënaqur me zemrën e tij me atë që Allahu ia ka dhënë, ta falënderojë e të jetë mirënjohës dhe të kërkojë prej Tij shtimin e tyre. Allahu thotë: “Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij.” Nisa 32.

Disa çështje të cilat ndihmojnë të mbrohemi nga sherri dhe dëmi i ziliqarit:

-Realizimi i teuhidit.

-Mbështetja në Allahun.

-Adhurimet e vazhdueshme.

-Kryerja e dhikreve.

-Dhënia lëmoshë (bamirësia).

-Sjellja e mirë me të tjerët.

-Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu prej shejtanit dhe prej ziliqarit

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.