“Prej madhërimit të Allahut është respektimi…”

Këshillë e shkurtë

  • “Prej madhërimit të Allahut është respektimi i muslimanit të cilit i është thinjur koka (floku, mjekra), respektimi i atij të cilit Allahu ia ka dhënë Kuranin, e ka mësuar dhe punon me të duke mos e tepruar apo duke mos lërë mangu dhe respektimi i udhëheqësit që gjykon me drejtësi.” Hadith.

~ Respektimi ndaj këtyre tri kategorive është lidhur ngushtë me madhërimin ndaj Allahut. Këto janë obligative për çdo besimtar.

~ Kategoria e parë: Respektimi ndaj të moshuarve muslimanë, të cilëve u janë thinjur qimet e kokës e të mjekrës. Kjo për disa arsye: se Allahu u ka dhënë atyre jetë më të gjatë sesa të tjerëve, se kanë qenë të udhëzuar para të tjerëve, se kanë bërë adhurime më shumë sesa të tjerët, se ata kanë një përvojë që i ka bërë më të qëndrueshëm në fe. Respekti është më i madh kur i moshuari është i afërm, e kjo më tepër kur është vetë prindi. Njeriu duhet të ketë edukatë, sidomos ndaj të moshuarve, dhe duhet të rezistojë ndaj disa kulturave të huaja imponuese. Në Islam secilit i jepet pozita që meriton.

~ Kategoria e dytë: Respektim ndaj atij të cilit i është dhënë Kurani, që e mëson leximin e kuptimin apo që e mëson përmendësh, mirëpo me kusht që këta persona të jenë mesatarë: që nuk e teprojnë e as nuk lënë mangët. Që nuk e teprojnë d.m.th.: nuk veprojnë të ndaluara me fe, nuk komentojnë gabimisht mësimet e Kuranit etj.

~ Kategori e tretë: Respektimi ndaj udhëheqësit, sidomos kur është besimtar dhe i drejtë. Në hadith është për qëllim udhëheqësi i cili gjykon me Fjalën e Allahut, me ligjet e Tij. E i tilli, plus është edhe i drejtë, në gjërat të cilat duhet të jetë i drejtë, duhet të respektohet ngase kjo është madhërim ndaj Allahut.

 

Dr. Gazmend Mehmeti | Transkriptim nga derset e tij.

Madhësia e tekstit