Të drejtat e gruas
Kultura para Islamit
Te fiset dhe shoqëritë e vjetra, të cilat devijuan nga shpallja e pastër, gruaja është konsideruar një produkt tregtie. Në disa kultura madje kanë pasur besimin se ajo është një qenie e fëlliqur, që rrjedh nga puna e shejtanit. Ky nocion rreth grave ka qenë i pranishëm madje edhe në tekstet e çifutëve dhe të krishterëve.
Ngjashëm, pozita e gruas ka qenë jashtëzakonisht e degraduar gjatë xhahiljjetit, pra periudhës para Islamit. Ajo është konsideruar pjesë e pronës së babait apo burrit të saj, është transferuar përmes trashëgimisë sikur pjesë të tjera të pronës. Arabët e konsideronin lindjen e vajzës si shenjë ogurzezë, e shpesh çliroheshin nga ajo duke e varrosur të gjallë.
Statusi dhe të drejtat e gruas vendosen vetëm në udhëzimin e drejtë të Allahut, i cili erdhi përmes të Dërguarve të Tij, nëpër vite. Pas ndryshimit apo zhdukjes së të gjitha shpalljeve të mëhershme, erdhi Islami për t’i vënë majën të gjitha atyre shpalljeve, me udhëzimin më të përkryer nga Allahu, duke mos lënë detaj pa e prekur dhe duke e rivënë pozitën e drejtë ndaj grave. Ajo nuk është qenie e vogël, që burri ta nënçmojë e ta shtypë siç i konvenon. Më saktë, ajo është plotësuese e tij. Aishah, Enesi, dhe Umm Sulejm radijAllahu anhuma, kanë treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Me të vërtetë, gratë janë binjake të burrave.” [1]
Të drejtat e gruas në Islam
Të drejtat e gruas janë të përcaktuara nga Allahu. Askush nuk mund t’i shkelë ato për asnjë arsye. Mikdami radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Me të vërtetë, Allahu subhanehu ue teala ju urdhëron që të jeni të mirë ndaj grave; ato janë nënat, bijat dhe tezet tuaja. Vërtetë, ndonjë nga njerëzit e Librit do martohej me një grua, duart e së cilës nuk lidhnin dot një pe (nga padituria). E prapëseprapë, asnjëri nga ta nuk do donte të ndahej.”[2]
Fuqia më e paktë fizike e gruas, nuk është arsye asnjëherë që burri t’ia shkelë të drejtat e saj. Ebu Hurejra radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Unë ju paralajmëroj fuqishëm rreth të drejtave të dy të dobëtëve: jetimit dhe gruas.” [3]
Të drejtat e bashkëshortes në Islam
Të drejtat e gruas mbi burrin e saj, janë qartë të urdhëruara dhe fuqishëm të rrënjosura në Islam. I Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ua dha udhëzimin një grupi prej shokëve të tij, duke përfshirë Uthman bin Maz’unin[4] dhe Abdullah bin Amrin,[5] radijAllahu anhuma.
“Gruaja jote ka të drejta mbi ty.”[6]
Amër bin el-Ahuas radijAllahu anhu ka treguar[7] se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Vini re! Ju keni të drejta mbi gratë e juaja dhe ato mbi ju.” [8]
Përmbushja e të drejtave të gruas është një shenjë që tregon takua: përulje ndaj Allahut dhe frikë nga dënimi i Tij. Është besim në mes njeriut dhe Zotit të Tij subhanehu ue teala, dhe Ai do ta marrë në pyetje për këtë besim. Xhabiri radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Frikësojuni Allahut për gratë e juaja. Vërtetë, ju i keni marrë ato (në martesë) përmes një amaneti nga Allahu dhe i keni bërë të lejuara pjesët e tyre intime me lejen e Allahut. Ato kanë të drejta mbi ju: t’i furnizoni me ushqim dhe veshje në mënyrë të duhur.” [9]
Gruaja ka të drejta dhe obligime. Të drejtat e saj duhet të përmbushen në mënyrë serioze dhe të drejtë. Kjo është një kërkesë e rëndësishme në Islam. Neglizhenca e saj, në mënyrë të qartë përmban një akt mosbindjeje dhe kërcënon mirëqenien e familjes dhe shoqërisë muslimane.
Do vazhdojmë diskutimin e disa prej të drejtave që lidhen në mënyrë të veçantë me gruan në Islam.
Mbrojtja
Një obligim i rëndësishëm mbi burrin
Mbrojtja dhe siguria janë gjërat më të rëndësishme për qenien njerëzore. Njeriu ka nevojë të ndihet mjaft i mbrojtur për të funksionuar në mënyrë normale dhe t’i kryejë detyrat e zakonshme. Gruaja është zakonisht më e dobët dhe shikon drejt burrit të saj për mbrojtje. Një nga obligimet më të rëndësishme të burrit, është të ofrojë mbrojtje për gruan e tij. Kjo është pjesë e përgjegjësisë së tij si udhëheqës i familjes:
“Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” [10]
Ky ajet tregon se Allahu u ka dhënë burrave udhëheqësi (ose kauameh) për shkak të disa cilësive të caktuara, që normalisht do t’ia mundësonin atij ta përmbushë këtë përgjegjësi. Cilësi prej më të rëndësishmeve të udhëheqësit, është aftësia e tij për t’i mbrojtur ata pas tij dhe të furnizuarit e tyre përmes një atmosfere sigurie dhe harmonie.
Mbrojtja është një term i përgjithshëm që mbulon formën fizike, emocionale dhe forma tjera të mirëqenies. Burri duhet të përpiqet ta mbrojë gruan e tij në të gjitha këto anë. Disa detaje nga kjo do të diskutohen në vijim.
Xhelozia
Si manifestim i dashurisë së burrit ndaj gruas së tij, ai duhet të ketë xhelozi për të. Xhelozia është shqetësimi i tij madhor për mirëqenien e saj dhe përkushtimi për ta mbrojtur atë nga çdo gjë që mund ta dëmtojë, si: një prekje, fjalë apo shikim i keq.
Mirëpo, ajo nuk duhet ta arrijë pikën e mosbesimit dhe dyshimit mbi të, pa arsye, e as të jetë për qëllim të gjeturit e gabimeve të mundshme. Xhabir Ibën Atik radijAllahu anhu, ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Vërtetë, ka prej xhelozisë që Allahu e do dhe ka prej saj që Allahu e urren. Sa i përket asaj që Ai e do, është ajo që bazohet në dyshim të vlefshëm. Ndërsa prej asaj që Ai e urren, është ajo që nuk bazohet në dyshim të vlefshëm.”[11]
Personi pa (xhelozi) gajrah quhet dejuth. Dejuthi është personi i cili nuk kujdeset të mbrojë nderin e gruas së tij. Dejuthi nuk do të hyjë në Xhennet.
Evitimi i dyshimit të panevojshëm
Siç u cek në pjesën para kësaj, njeriu nuk duhet të ushqejë dyshime të paarsyeshme rreth gruas së tij, e as nuk duhet të hulumtojë për gabime, për të cilat do të mund ta fajësonte atë.
Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ndaloi burrin nga ardhja papandehur në shtëpi, në mënyrë të atillë sikur do ta zë gruan e tij duke vepruar një të keqe që ai nuk e do. Xhabiri radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Kur ndonjëri prej jush mungon për një kohë të gjatë (nga ndonjë udhëtim), nuk duhet t’i trokasë papritmas familjes së tij natën.”[12]
Enesi radijAllahu anhu ka treguar:
“I Dërguari i Allahut sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kurrë nuk kthehej te familjet e tij (pas udhëtimeve) natën. Ai kthehej në mëngjes ose pasdite.”[13]
Ruajtja e fshehtësive të saj
Është rreptësisht e ndalur për burrin t’i shfaqë fshehtësitë e gruas, veçanërisht në çështje intime, gjëra këto që askush nuk duhet t’i dijë, përveç burrit të saj, si: dobësitë e saj fizike dhe emocionale, reagimi i saj ndaj disa gjërave intime, e kështu me radhë. Ebu Se’id el Hudri radijAllahu anhu ka treguar se i Dërguari i Allahut sal-All-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Vërtetë, prej njerëzve që do kenë pozitën më të rëndë para Allahut në Ditën e Gjykimit, është ai i cili pasi i qaset gruas së tij në intimitet dhe ajo atij, ai i shfaq sekretet e saj.” [14]
Shfaqja e fshehtësive të gruas, sjell mosbesim dhe frikë në zemrën e saj dhe mund të jetë shenjë e tendencës që ai burrë të jetë dejuth.
[1] Ahmedi, Ebu Davudi, dhe të tjerë. “Sahihul Xhami” nr. 1983, 2333.
[2] Ahmedi, Ibën Maxhe, dhe të tjerë. “Sahihah” nr. 1015 dhe “Sahihul Xhami” nr. 2447.
[3] Taberani në “El-Kebir”. Fillimisht i verifikuar si i dobët nga shejh Albani, por ai eventualisht e deklaroi hasen, siç ceket nga Zuhejr Shauish në “Daiful Xhami” nr. 1763.
[4] Ahmedi dhe Ebu Davudi. “Iruaul Galil” nr. 2015.
[5] Hadithi i plotë ceket më vonë në këtë kapitull.
[6] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.
[7] Hadithi i plotë ceket në fillim të librit, nën titullin ‘Dallimet natyrale’.
[8] Tirmidhiu, Nesaiu, dhe Ibën Maxhe. “Sahihul Xhami” nr. 7880 dhe “Iruaul Galil” nr. 2030.
[9] Muslimi dhe Ebu Davudi, si pjesë e hadithit të gjatë të Xhabirit, që e përshkruan haxhin e të Dërguarit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.
[10] Surja En-Nisa, ajeti 34.
[11] Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerë. “Iruaul Galil” nr. 1999.
[12] Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.
[13] Buhariu dhe Muslimi.
[14] Muslimi, Ebu Davudi dhe të tjerë.
Libri: “TË DREJTAT DHE OBLIGIMET MES BASHKËSHORTËVE NË ISLAM”