Si i këshilloni ata burra që qëndrojnë në shtëpi me fytyrë të ngrysur?

❓Pyetje: Si i këshilloni ata burra që qëndrojnë në shtëpi me fytyrë të ngrysur?

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë se prej sakadasë është takimi i tjetrit me fytyrë të çelur, të mirë. Njeriu që ka më së shumti të drejtë në këtë është bashkëshortja, dhe anasjelltas. Po ashtu ka thënë: “Më i miri në mesin tuaj është ai që sillet më së miri me gruan e tij. Unë jam ai që më së miri sillem me gratë e mia.” Ai salAllahu alejhi ue selem këtu ka treguar se cili është muslimani më i mirë, këtë gjë e ka ndërlidhur me raportin e mirë me gruan. Burri sa më shumë që e përmirëson raportin e tij me bashkëshorten (dhe anasjelltas) është më i mirë tek Allahu. E pa dyshim se më i miri në këtë aspekt ka qenë Muhamedi salAllahu alejhi ue selem. Shumë njerëz mundohen t’i gëzojnë të tjerët e të kenë raport të mirë me ta, të jenë fytyrëçelur e të buzëqeshur, e ndërsa në shtëpi e veprojnë të kundërtën. Ky është në kundërshtim me rrugën dhe sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Ata që më së shumti duhet të mundohesh t’i gëzosh janë anëtarët e familjes. E pastaj të tjerët aq sa ka mundësi. Potencialin dhe fuqinë kryesore duhet ta përqendrosh brenda shtëpisë, duke i bërë të lumtur e të gëzuar anëtarët e familjes. Në një hadith tjetër Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vepra më e mirë është futja e gëzimit në zemrën e besimtarit.” Edhe në këtë pikë, njeriu që më së shumti ka të drejtë është bashkëshortja (dhe bashkëshorti). Kjo është rruga dhe suneti në të cilin ka qenë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe shokët e tij.

Hoxhë Lulzim Perçuku – Derset live.

Madhësia e tekstit