Dëgjimi dhe Shikimi i Allahut – Cilësi të Tij

Dëgjimi dhe Shikimi i Allahut – Cilësi të Tij

Allahu thotë: “Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj, që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka.” Muxhadile 1.

Një grua ka ardhur te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe i është ankuar për burrin i saj (sahabi), i cili i kishte thënë asaj: “Ti je si shpina e nënës sime!” – që do të thotë: divorcim. Dhe Allahu thotë në këtë ajet: “Allahu e dëgjoi bisedën tuaj…” Pastaj Allahu ka zbritur ajetet (sa kanë qenë duke diskutuar) të cilat sqarojnë se si duhet të veprojë burri në këtë rast (kur i thotë fjalë të tilla gruas). Aisha radijallahu anha ka qenë prezentë (në një skaj të dhomës), porse nuk ka mundur të dëgjonte disa fjalë të kësaj gruaje, ndërsa Allahu i ka dëgjuar të gjitha (duke qenë mbi shtatë Qiej, mbi Arshin e Tij).

Në këtë ajet pohohet Dëgjimi si Cilësi e Allahut dhe se Ai i dëgjon të gjitha zërat, sado që janë të fshehtë, apo të largët, apo të afërt, “sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka”. Ai me Dëgjimin e Tij ka përfshirë të gjitha zërat, ndërsa me Shikimin e Tij ka përfshirë të gjitha gjërat.

Allahu shpeshherë në Kuran i bën bashkë këta dy Emra: Es Semi dhe el Besir. Kur përmenden së bashku, tregojnë më shumë për përsosmërinë e Allahut (sesa kur përmenden veçmas). Përmes kësaj dëshiron të tregojë se i ka përfshirë të gjitha gjërat që ndërlidhen me këta dy Emra apo me kuptimet e tyre, qofshin të dukshme (të jashtme) apo të fshehura (të brendshme). Asgjë s’mund të fshihet dhe t’i ikë Allahut.

Dëgjimi dhe shikimi janë Cilësi reale, të cilat i pohohen Allahut, ashtu siç i takon madhështisë së Tij. Dëgjimi e shikimi i Tij janë të përsosur. Këto dy Cilësi qëndrojnë në Qenien e Allahut. Qëllimi me këto Cilësi nuk është dija e Tij (duke i mohuar ato).

Transmetohet nga ebu Hurejra të ketë thënë se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur ka lexuar Fjalët e Allahut: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni drejt. Vërtet, Allahu ju këshillon mrekullueshëm dhe vërtet, Allahu dëgjon çdo gjë dhe vështron të gjitha punët!” Nisa 58, ka treguar se i ka vendosur dy gishtat tregues te sytë e tij, kurse gishtat e mëdhenj te veshët e tij. Transmeton Ebu Daudi me zinxhirë të fortë. Pse ka vepruar kështu? Ka vepruar që të tregojë dhe të vërtetojë se Allahu me të vërtetë si Cilësi të Tij e ka dëgjimin dhe shikimin, ashtu siç njerëzit shohin e dëgjojnë, edhe Allahu i ka këto dy Cilësi, por pa përngjasim dhe shëmbëllim mes Krijuesit e krijesës.

Dobi: Njeriut i lejohet të ankohet tek Allahu, për fatkeqësinë që e ka goditur, qoftë varfëri, apo sëmundje apo tjetër, kjo nuk e kundërshton durimin e tij. Mirëpo, nëse i ankohet krijesës, atëherë kjo bie ndesh me durimin. Dhe ankesa e tillë është dy lloje: 1. Me gjuhë. 2. Me gjuhën e trupit (me veprime, me shenja që shfaq me trupin e tij, si; fytyra e ngrysur etj.). Kjo është më e keqe se e para. Por, nëse i ankohet krijesës duke ia treguar gjendjen në të cilën është me qëllim që ta ndihmojë (duke e udhëzuar çfarë të veprojë, apo duke e ofruar vetë ndihmë), kjo nuk e cenën durimin (p.sh.: i tregon mjekut se nga çfarë ankon etj.).

***

Allahu thotë: “Sigurisht që Allahu i ka dëgjuar fjalët e atyre (çifutëve) që thanë: “Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur”. Ali Imran 181.

Arsyeja pse çifutët kanë thënë këto fjalë është ajeti: “Kush do t’i japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin shumëfish?” Bekare 245. Ata kanë thënë: “O Muhamed, Zoti yt është varfëruar sepse po kërkon hua prej neve.” Ata nuk kanë besuar kështu, por kanë pasur qëllim të fusin dyshime rreth Allahut dhe fesë, tek ata që kanë besim të dobët, që të dyshojnë se si Zoti krijuesi i botëve dhe furnizuesi i krijesave të kërkojë hua prej njerëzve. Dhe Allahu i kërcënon në këtë ajet: “Ne do ta shënojmë atë që thanë, si dhe vrasjen e profetëve nga ana e tyre pa kurrfarë të drejte dhe do t’u themi atyre: “Shijoni dënimin në zjarr!” Ali Imran 181. Na njofton se Allahu e ka dëgjuar fjalën e tyre dhe si rezultat do t’i ndëshkojë me drejtësinë e Tij absolute.

Edhe ky ajet e pohon Cilësinë e Dëgjimit për Allahun, ashtu siç i takon madhështisë së Tij.

***

Allahu thotë: “Vallë, a mos kujtojnë ata se Ne nuk i dëgjojmë fjalët e tyre tinëzare dhe bisedat e tyre të fshehta? Pa dyshim, Ne dëgjojmë, ndërsa të dërguarit Tanë (engjëj) që janë pranë tyre, shënojnë.” Zuhruf 80.

Allahu e sjell këtë në formë të pyetjes, por për qëllim është qortimi e kërcënimi. Pra, mos mendoni kurrsesi se Allahu nuk i dëgjon ato, “Pa dyshim, Ne dëgjojmë”.

“fjalët e tyre tinëzare” – fjalët që njeriu ia thotë tjetrit afër (veshë më veshë), ose që ia thotë vetës (e nuk e dëgjon askush prej njerëzve). Këto fjalë të gjitha i dëgjon Allahu.

bisedat e tyre të fshehta” – që bëhen në një grup të njerëzve. Edhe këto i dëgjon.

***

Allahu thotë:

“Mos u frikësoni! Në të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.” Ta he 47.

Allahu i drejtohet me këto fjalë Musait dhe Harunit, të cilët i ankohen Atij për Faraonin dhe parinë e tij. Kur Allahu i dërgon te Faraoni për ta thirrur atë te feja, te besimi, atëherë frikësohen se ai do t’iu bëjë keq. Andaj Allahu u thotë: “Mos u frikësoni!” Dhe pas kësaj e sqaron se pse nuk duhet të frikësohen: “Në të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.” Do të thotë: Unë ju ruaj juve, ju mbroj, ju përkrahi dhe ju ndihmoj (kjo është meija e Allahut ndaj besimtarëve), Unë e dëgjoj çdo gjë që e thoni dhe që ua thonë, shoh çdo gjë që veproni dhe ato që veprohen ndaj jush prej atyre tek të cilët iu kam dërguar.

Allahut nuk i fshehët asgjë. Të gjitha çështjet e njerëzve, lëvizjet, veprat, fjalët, Allahu i dëgjon dhe i sheh.

***

Allahu thotë: “…a nuk e di ai se Allahu i sheh të gjitha?!” Alak 14.

Këto fjalë i drejtohen Ebu Xhehlit, i cili i ka bërë keq Muhamedit salAllahu alejhi ue selem. Allahu thotë para këtij ajeti: “A e ke parë ti (Muhamed) atë që pengon robin (Tonë) kur falet? A nuk është ai (robi Ynë) në rrugë të drejtë dhe që urdhëron për devotshmëri?! Mendo, nëse ai (penguesi) mohon dhe kthen kurrizin, a nuk e di ai se Allahu i sheh të gjitha?!” Me këtë ajet Allahu e qorton dhe e kërcënon Ebu Xhehlin (i cili pengon njerëzit drejt udhëzimit të Allahut). Ai do ta ndëshkojë për veprat e tij.

Në këtë ajet pohohet Shikimi i Allahut. Shikimi këtu vjen në kuptimin e dijes (e di se çfarë është duke vepruar) dhe shikimit (është duke e parë).

***

Allahu thotë: “…i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit) dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde. Vërtet, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.” Shuara 218-220.

Allahu i tregon Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem se Atij nuk mund t’i fshehët asgjë, as lëvizja më e vogël, prandaj vetëm Atij mbështetju ngase Ai do të ndihmojë dhe do të lartësojë mbi të tjerët. Ky ajet përfshin premtim prej Allahut për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, se do ta shpërblejë për namazin që ua fal të tjerëve, me shpërblim të plotë. Kuptimi i ajetit është se ashtu siç Allahu të sheh kur falesh vetëm, namaz vullnetar, ashtu të sheh kur falesh me xhemat me të tjerët.

Në ajet pohohen dy Cilësi të Allahut: Dëgjimi dhe Shikimi.

***

Allahu thotë: “Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.” Teube 105.

Para këtij ajet, janë ajetet: “Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe di gjithçka. A nuk e dinë ata se Allahu është Ai që pranon pendimin dhe bamirësinë nga robërit e Vet dhe se Ai është Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti?” Teube 103-104.

Dijetarët e tefsirit thonë se në këtë ajet Allahu i drejtohet Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem që këto fjalë t’ua thotë hipokritëve, atyre që nuk kanë shpenzuar nga pasuria e tyre për të ndihmuar njerëzit. Kjo ka qenë cilësi e njohur e hipokritëve. Andaj, le të punojnë çfarë të duan dhe le të vazhdojnë në të kotën që janë, por të mos mendojnë se Allahut i fshehët diçka, ngase Ai sheh dhe dëgjon gjithçka. Ky është një kërcënim i ashpër. Allahu i kërcënon se veprat e juaja (intrigat, dredhitë) do t’i shfaqen Atij dhe të dërguarit dhe besimtarëve, në Ditën e Gjykimit, dhe kjo do të ndodhë patjetër, mirëpo nganjëherë Allahu ua mundëson besimtarëve të shohin veprat e hipokritëve edhe në këtë botë.

do të shohin punën tuaj” – këtu përfshihet edhe shikimi i dijes edhe shikimi në kuptimin se Allahu sheh çdo gjë.

***

Dobi që përfitohen prej ajeteve:

-Kur ne besojmë se Allahu na dëgjon dhe na sheh, kjo na sjell dobi në jetën e përditshme. Kur e dimë se Allahu na sheh, kjo mbjell tek ne frikën dhe shpresën tek Ai, njëkohësisht. Nëse duam të veprojmë një mëkat, por kemi besim e bindje se Allahu është duke na parë, atëherë nga frika do të ndalemi prej atij mëkati. Nëse bëjmë adhurime me besim e bindje se Allahu është duke na parë, atëherë do të kemi shpresën se do të na shpërblejë. Kur e dimë me bindje se Allahu na dëgjon, atëherë kjo na detyron të besojmë se ne jemi nën mbikëqyrjen e Tij dhe se për çdo gjë që flasim, do ta flasim duke qenë mes frikës dhe shpresës. Nëse janë fjalë me të cilat zemërohet Allahu me neve, atëherë kemi frikë dhe nuk i flasim e nëse janë fjalë me të cilat kënaqet me neve, atëherë do të shpejtojmë t’i themi.

-Në ajete pohohet të Folurit e Allahut.

-Na japin shenja se si duhet të jetë njeriu në adhurimin ndaj Allahut. Ai gjithmonë duhet të dijë se Allahu është afër Tij, p.sh.: kur e fal namazin Allahu është para teje, të sheh. Kur e fal namazin me këtë besim e bindje atëherë do të kesh frikë, madhërim dhe sinqeritet në të, duke ia kushtuar të pastër Allahut, pa njolla të syefaqësisë, e kjo është pozita e ihsanit (përsosja e adhurimeve) të cilën e arrin besimtari pas Islamit dhe Imanit.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit