Mendimi i mirë ndaj Allahut është prej adhurimeve më madhore dhe më të rëndësishme, sepse buron prej dijes që personi ka për Allahun, për Emrat, Cilësitë dhe Veprave të Tij. Sa më e shumtë që është kjo dije te personi, aq më shumë do të ketë mendim të mirë ndaj Allahut.
Kur ibën Kajimi flet për ajetin: “Gjithashtu, (Ai e bëri këtë) për t’i ndëshkuar hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët e idhujtaret, që mendojnë keq për Allahun”, Feth 6, thotë: “Mendojnë për Allahun diçka që nuk i shkon Madhërisë së Allahut dhe Emrave të përsosur të Tij.”
Ibën Mesudi radijAllahu anhu ka thënë: “Mëkatet më të mëdha janë: Shirku, ndjenja se je i sigurt prej dënimit të Allahut (edhe pse bën gjynahe), humbja e shpresës në Mëshirën e Allahut dhe humbja e shpresës/dëshpërimi në ndihmën e Tij.”
Dijetari Iz ibën AbdiSelam ka thënë: “Humbja e shpresës në Mëshirën e Allahut është kur e nënvlerëson dhe e sheh të paktë gjerësinë e madhe të mëshirës dhe faljes së Tij.” Ky është një mëkat i madh. Allahu, këtë gjë e ka llogaritur prej tipareve të njerëzve të humbur, “E kush mund ta humbë shpresën nga mëshira e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur?!” Hixhr 56. Dhe prej tipareve të jobesimtarëve, “…mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve”. Jusuf 87.
Besimtari duhet të largohet nga kjo dhe të mos ketë mendim të keq ndaj Allahut. Sado që situatat janë të vështira, apo brengat e tij, apo sado që zgjatet sprova, ai prapëseprapë duhet të ketë mendim të mirë ndaj Allahut, gjithnjë.
Si ka mundësi që besimtari të mos ketë mendim të mirë ndaj Tij kur në çdo namaz që fal këndon ajetin e sures Fatiha: “të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”. Sa herë që dëshpërimi apo humbja e shpresës dëshiron ta mposhtë zemrën e besimtarit, kur e lexon këtë ajet, i largohet ky mendim i keq ndaj Allahut.
Si të mos ketë mendim të mirë ndaj Allahut kur e di se Mëshira e Tij ka përfshirë çdo gjë dhe e ka tejkaluar zemërimin e Tij. Allahu thotë: “…mëshira Ime përfshin çdo gjë.” Araf 156.
Si të mos ketë mendim të mirë ndaj Allahut kur e di se edhe dija e Tij ka përfshirë çdo gjë. Allahu tregon për lutjen të cilën ia drejtojnë engjëjt: “Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde…” Gafir 7. Ai e di çdo gjë. Ai e di kur njeriu është i sinqertë në pendimin e tij dhe ia pranon atë. Ai i di brengat, vështirësitë dhe shqetësimet e atyre që janë sprovuar me një sprovë apo fatkeqësi dhe ua largon ato, “A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen…” Neml 62. Ai i dëgjon lutjet e atyre që e lusin Atë për nevojat e tyre, “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” Bekare 186. Ai i dëgjon lutjet e atyre të cilëve u është bërë padrejtësi dhe i ndihmon ata.
Si të mos ketë mendim të mirë ndaj Allahut kur e di hadithin kudsij në të cilin tregohet se Allahu ka thënë: “Unë jam në mendimin robit Tim që e ka për Mua.” Ashtu siç je ti në raport me Allahun me mendimet e tua, ashtu Ai do të jetë në raport me ty. Andaj, nëse ke mendim të mirë ndaj Allahut, edhe Ai do të jetë me ty dhe do të ndihmojë.
Rezultatet e mendimit të mirë ndaj Allahut:
Allahu i përgjigjet lutjeve tona, i largon vështirësitë e brengat tona, i fal mëkatet tona, i pranon pendimet tona dhe na shpërblen për veprat e mira.
Forcimi i mbështetjes tek Allahu.
Stabiliteti, qetësia dhe lumturia e zemrës.
Dëlirja e zemrës prej humbjes së shpresës në Mëshirën e Allahut apo prej dëshpërimit ndaj ardhjes së ndihmës së Tij.
Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.