Frika ndaj Allahut

Frika ndaj Allahut është prej adhurimeve dhe veprave më të dobishme për zemrën. Ajo është njëra prej tri shtyllave të adhurimeve dhe njëri prej dy krahëve të zemrës gjatë shtegtimit për tek Allahu.

Frika ka dy nivele:

  1. Frika ndaj dënimit të Allahut (hauf). Kjo ndodh te shumica e njerëzve. Allahu thotë: “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, sepse dridhja e Orës (së Kiametit), është vërtet një ngjarje e madhe! Ditën, që do të shihni atë, çdo grua me fëmijë në gji do ta harrojë fëmijën e saj dhe çdo grua shtatzënë do ta hedhë barrën e vet. Njerëzit do t’i shihni si të dehur, ndonëse ata nuk do të jenë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër.” Haxh 1-2. Dhe: “Ata do të mbulohen me shtresa zjarri nga sipër dhe nga poshtë. Me këtë, Allahu i tremb robërit e Vet. “O robërit e Mi, më kini frikë Mua!” Zumer 16. Dhe: “Prandaj do t’u themi: “Shijojeni këtë! Ne nuk do t’ju shtojmë gjë tjetër përveçse dënim!”[1] Nebe 30.

 

  1. Frika ndaj Allahut (hashje).[2] Kjo ndodh te dijetarët, tek ata që e njohin Atë. Allahu thotë: “Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre…” Muminun 57. Dhe: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…” Fatir 28.

Sa herë që frika ndaj Allahut largohet prej zemrës, ajo do të shkatërrohet. E nëse ajo zë vend në zemër, atëherë do të djegë epshet e vendosua në të dhe do të largojë prej saj favorizimin e kësaj bote ndaj botës tjetër.

Dobitë që përfitohen nga frika ndaj Allahut:

  • Frika ndaj Allahut është prej gjërave që i kërkon besimi. Aq sa ke besim në zemër, për aq do t’i frikësohesh Allahut.
  • Frika ndaj Allahut ndihmon të jesh i sinqertë në adhurimet dhe veprat e mira.
  • Frika ndaj Allahut të nxit drejt veprimit të veprave të mira.
  • Frika ndaj Allahut të largon prej mëkateve.
  • Frika ndaj Allahut është prej shkaqeve që Allahu të të ruajë nga çdo e keqe.
  • Frika ndaj Allahut është shkak për të ngadhënjyer kundër armikut.
  • Frika ndaj Allahut është shkak për arritjen e sigurisë në botën tjetër.
  • Frika ndaj Allahut është shkak që njeriu të jetë prej atyre që do të strehohen në hijen e Arshit të Allahut në Ditën e Gjykimit ku nuk do të ketë hije tjetër.
  • Frika ndaj Allahut është shkak për arritjen e kënaqësisë së Allahut.
  • Frika ndaj Allahut është shkak për të hyrë në Xhenet.

 

Disa prej shkaqeve që sjellin frikën ndaj Allahut në zemër: Të kujtosh madhështinë dhe madhërinë e Allahut, të lexosh Kuran me meditim, të meditosh në hadithet profetike që flasin për madhështinë e Allahut, të kesh frikë nga përfundimi i keq dhe nga mospranimi i veprave të mira, të kujtosh mëkatet e kaluara, të kujtosh vdekjen dhe jetën e varrit, të kujtosh Ditën e Gjykimit dhe ato që ndodhin atë Ditë dhe të kujtosh dënimin e xhehenemit.

[1] Ky është ajeti më i ashpër që tregon për dënimin e madh të Allahut për banorët e zjarrit.

[2] Kjo frikë shoqërohet me dijen rreth Allahut dhe Emrave e Cilësive të Tij.

 

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit