- Njihemi me sprovat me të cilat ishte përballur Pejgamberi ﷺ, e po ashtu edhe besimtarët, sahabët, shokët e tij (radijAllahu teala anhum).
- Mësojmë se si Pejgamberi ﷺ, dhe muslimanët i trajtuan këto sprova, derisa Allahu (subhanehu ue teala) u dha fuqi, i bëri krenarë dhe ua forcoi fenë e tyre dhe Allahu (subhanehu ue teala) i nënshtroi paganët dhe shirkun e tyre.
- Kuptojmë se si është ligji i Allahut (subhanehu ue teala) në jetën e kësaj bote dhe se besimtarët, sado që mund ta kenë besimin e fortë, do të sprovohen patjetër prej Allahut (subhanehu ue teala). Siç thoshte Pejgamberi ﷺ, se njerëzit me sprovat më të mëdha janë profetët, pastaj njerëzit e mirë që janë të ngjashëm me ta, pastaj njerëzit e mirë që janë të ngjashëm me ta.
- Kemi përfituar se prej metodave që i përdorën paganët për të refuzuar davetin e Pejgamberit ﷺ, ishte edhe nxitja e dyshimeve rreth Kuranit, rreth fjalëve që i sillte Pejgamberi ﷺ.
- Mësuam për vlerën e Ebu Bekrit (radijAllahu anhu) i cili, me pasurinë e tij që e shpenzonte për hir të Allahut (subhanehu ue teala) arriti pozitë të lartë tek Allahu (subhanehu ue teala) dhe pasurinë e tij e shpenzonte për t’i liruar skllevërit muslimanë, të cilët torturoheshin për shkak se ishin besimtarë dhe e kishin besuar Allahun (subhanehu ue teala).
- Mësuam se si besimtarët e hershëm u treguan durimtarë dhe të qëndrueshëm në fenë e Allahut (subhanehu ue teala) edhe pse sprovat ndaj tyre ishin shumë të ashpra dhe lëndimi e persekutimi që ua shkaktonin jobesimtarët ishte shumë i vrazhdë.
- Prej dobive të tjera madhështore që përfitojmë është se çdo besimtar që është në sprovë (bela) të madhe, gjen në këto sprova të Pejgamberit ﷺ dhe të sahabëve ngushëllim për ta tejkaluar sprovën në të cilën është vetë.
- Përmendet vlera e Nexhashiut, rahimehullah, i cili ishte mbret prej mbretërve të drejtë të asaj kohe dhe ishte personi i parë dhe i fundit të cilit Pejgamberi ﷺ, ia kishte falur xhenazen duke mos qenë prezent në xhenazen e tij.
- Mësuam se si muslimanët e ndërmorën hixhretin e parë në Islam, që ishte hixhreti drejt Etiopisë. Po ashtu, mësuam se Pejgamberi ﷺ, i urdhëroi sahabët që të migronin drejt Etiopisë fillimisht, pastaj edhe një herë tjetër për së dyti (pra të migronin prap drejt Etiopisë).
- Po ashtu, prej dobive madhështore të tjera që përfitojmë nga kjo që u përmend deri më tani është se udhëzimi fund e krye është në dorën e Allahut (subhanehu ue teala) pra nuk ka udhëzues drejt Islamit dhe rrugës së drejtë përveç Allahut (subhanehu ue teala).
- Mësuam se Allahu (subhanehu ue teala) e ka ndaluar që të kërkojmë falje për paganët pas vdekjes së tyre, edhe nëse janë të afërm me muslimanët.
Hoxhë Petrit Perçuku – Transkriptim.