T’ia kujtojmë vetes se agjërimi është për Allahun
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka treguar në hadith kudsij se Allahu ka thënë: “Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të, ngase agjëruesi braktis epshin, ushqimin dhe pirjen për hir Timin.”
Dijetarët, pjesën “Agjërimi është për Mua” e kanë komentuar:
- Allahu ka dashur të tregojë se agjërimi është adhurim para të gjitha adhurimeve të tjera, pra është i dashur tek Ai dhe ka pozitë të lartë. Andaj, askush nuk mund ta dijë sasinë dhe madhësinë e shpërblimit për agjërimin.
- Askush nuk e ka adhuruar dikë tjetër përveç Allahut me agjërim siç mund të ketë vepruar me adhurimet e tjera (përmes lutjes, namazit, sexhdes, kurbanit etj.).
- Shpirti i agjëruesit nuk ka hise në adhurimin e agjërimit, për dallim prej adhurimeve të tjera (në kuptimin që do lavdërime), për këtë disa dijetarë thënë se në agjërim nuk ka syefaqësi, sepse është adhurim i brendshëm – nuk e di askush tjetër përveç Allahut që je agjërueshëm.
Ne duhet t’ia kujtojmë vetes sonë se duhet të agjërojmë vetëm për hir të Allahut. Ne po i nënshtrohemi dhe po e adhurojmë Allahun me një gjë që Ai e do, me një adhurim i cili ka pozitë dhe vend të lartë tek Ai. Duke qenë i tillë, duhet të bëhet vetëm për hir të Tij.
Ta kujtojmë gjithashtu hadithin: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe me shpresë, do t’i falen mëkatet e kaluara.” Buhariu dhe Muslimi. Këtu kemi motivin dhe qëllimin. Motivi: Besimi në Allahun. Qëllimi: Arritja e shpërblimit të Tij.
Hoxhë Lulzim Perçuku.
Transkriptim.