Ajetet që i pohojnë Emrat dhe përsosurinë absolute për Allahun (2)

Allahu thotë: “E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre).” Bekare 165.

Ata i konsiderojnë të barabartë me Allahun në dashuri, madhërim dhe adhurim. Ata kanë tejkaluar kufijtë në dashuri ndaj tyre dhe i kanë barazuar me Allahun në dashuri. Kjo është shirk në dashuri. Arsyeja pse i kanë dashur idhujt me këtë dashuri është sepse kanë synuar që ata t’i afrojnë tek Allahu, pra kur i duan, i adhurojnë dhe afrohen tek ta me adhurime, atëherë ata (idhujt) do të ngritin lutjet, shpresat e dëshirat e tyre tek Allahu.

Porse, kjo gjë është thjeshtë një emërtim pa fakte e prova, është trillim, sepse Allahu nuk ka ortak dhe me Atë askush nuk mund të jetë i barabartë.

Dashuria për të cilën flet ky ajet është dashuria e adhurimit. Kjo ka për rezultat frikën ndaj atij që e do me këtë dashuri, e për shkak të frikës e madhëron dhe i jep përparësi para çdo gjëje dhe para vetes.

Dashuria ndaj Allahut është baza e fesë Islame. Sa më shumë që plotësohet kjo dashuri, aq më shumë plotësohet feja e personit. Kjo dashuri është prej obligimeve më të mëdha. Nëse njeriu ia kushton atë dikujt tjetër përveç Allahut, ka bërë shirk. Në këtë (shirk) hyn dhe dashuria ndaj Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem – kur e duam me atë dashuri siç e duam Allahun. Ka prej njerëzve që e veprojnë këtë, dhe me këtë kanë bërë shirk. Muhamedin salAllahu alejhi ue selem duhet ta duam, kjo është obligim, por jo me dashurinë që e duam Allahun, jo me dashurinë që e bën të barabartë me Allahun. Atë salAllahu alejhi ue selem duhet ta duam si rrjedhojë e dashurisë ndaj Allahut. Por si është çështja me ata që e duan Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem më shumë sesa Allahun?! Pra ka dallim mes dashurisë ndaj Allahut dhe për Allahun.

Dashuria e besimtarit ndaj Allahut nuk duhet të barazohet me asnjë dashuri tjetër. Ajo është e pastër, pa asnjë njollë. Ndërsa dashuria e idhujtarëve ndaj Allahut është e përzier, një pjesë ndaj Allahut e një pjesë ndaj idhujve të tyre.

Mirëpo, dashuria ndaj Allahut nuk mjafton që të shpëtosh prej xhehenemit e të hysh në xhenet, ngase edhe idhujtarët e duan Allahun, por duhet ta duam edhe atë gjë që e do Allahu dhe të urrejmë atë gjë që e urren Allahu. Dashuria për Allahun është obligim fetar, e cila plotëson dashurinë ndaj Tij. Dashuria e plotë ndaj Allahut kërkon prej teje të veprosh në përputhje me atë që Ai do.

Dobi të përfituara nga ajetet:

-Kur e dimë se Allahu si Cilësi të Tij e ka Madhërinë, atëherë kjo na obligon ta madhërojmë Atë. Kur e dimë se Ai është i cilësuar me Nderim, kjo na obligon të shpresojmë këtë nderë në të dy botët.

-Njeriu vazhdimisht duhet ta adhurojë Allahun, të jetë këmbëngulës, të durojë, të mos dëshpërohet, të mos lodhet e të mos mërzitet nga kjo.

-Allahu është i Pastër nga çdo e metë dhe mangësi. Nuk ka të barabartë e të krahasueshëm me Atë. Kjo të nxitë ta madhërosh Atë siç e meriton Ai.

-Muslimanit nuk i lejohet ta dojë dikë siç e do Allahun sepse kjo është shirk dhe është dashuri krahas Allahut.

 

Hoxhë Lulzim Perçuku – Transkriptim.

Madhësia e tekstit