Allahu thotë: “Nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë bir dhe përveç Atij s’ka asnjë të adhuruar tjetër, përndryshe çdo i adhuruar do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin. Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre! Ai di të padukshmen dhe atë që shihet. Ai është shumë lart mbi zotat që ia quajnë Atij për shok!” Muminun 91-92.
Ky ajet përfshin disa cilësi negative të cilat Allahu i mohon për Veten e Tij, prej të cilave Ai është i pastër, si: pasja fëmijë, apo idhujtaria në adhurimin ndaj Tij.
“Nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë bir” – As Uzejrin, as Isain, as engjëjt e as të tjerët. Allahu është i vetëmjaftueshëm dhe se Ai është i Përsosur në këtë, Ai nuk ka marrë dikë prej krijesave për fëmijë të Tij. Nuk i takon madhështisë së Allahut të jetë prind apo të ketë bashkëshorte. Allahu është i pastër që dikush t’i përngjasojë apo të jetë i krahasueshëm me Atë. Çdo gjë është rob i nënshtruar ndaj Allahut. Ai është i përsosur në Cilësitë e Tij dhe nuk i takon të ketë fëmijë.
Me këtë ajet Allahu u kundërpërgjigjet grupeve që mendojnë se Allahu ka fëmijë, siç janë të krishterët, hebrenjtë, idhujtarët etj. dhe atyre që pretendojnë se Cilësitë e Allahut u përgjasojnë cilësive të krijesave.
“përveç Atij s’ka asnjë të adhuruar tjetër” – Allahu nuk ka ortak në uluhijen dhe rububijen e Tij, Ai është i Vetmi dhe Unik në Cilësitë e Tij. Allahu është i Vetmi që meriton adhurimin, “përndryshe çdo i adhuruar do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngriheshin njëri mbi tjetrin”. Po të kishte të adhuruar tjetër të barabartë e të krahasueshëm me Allahun, atëherë secili do të kishte një sundim-pjesë të universit nën sundimin e vet, dhe në këtë mënyrë do të merrnin pjesën që u takon.
Po të kishte të tjerë përveç Allahut atëherë secili do të krijonte. Në këtë ajet Allahu na sqaron se Ai i cili meriton të adhurohet, është Ai që krijon, dhe përderisa të gjithë janë krijesa të Allahut atëherë nuk e meritojnë adhurimin assesi. Po të kishte të adhuruar të tjerë nuk do të ishte e mundur të bashkëpunonin sa i përket krijimit, ngase nëse do të bashkëpunonin kjo do të thotë se ata nuk do të ishin të aftë për të krijuar. Nëse do të mundeshin të krijonin, atëherë secili do të ishte i veçuar me krijimin e vet dhe do ta pengonin njëri-tjetrin që ta sundonin krijimin e tyre, dhe pastaj “do të ngriheshin njëri mbi tjetrin”, gjë që është e zakonshme te mbretërit e botës. Pastaj, secili krijues do të ishte i fuqishëm dhe nuk do të kishte mundësi asnjëri ta triumfonte njëri-tjetrin, dhe kjo i bie se asnjëri nuk e meriton të jetë i adhuruar ngaqë janë të paaftë të ngadhënjenin mbi njëri-tjetrin (dhe kjo tregon rrjedhimisht se nuk e meritojnë adhurimin).
Ai që meriton të adhurohet është Ai që ka aftësinë e krijimit dhe është mbizotërues e triumfues. Ky univers patjetër duhet të ketë vetëm një të adhuruar i Cili meriton të adhurohet. Nuk ka mundësi të ketë dy të adhuruar a më shumë, sepse nëse do të ishte kështu atëherë ata ose secili do të veçohej me krijimin e sundimin e vet, ose secili do të mundohej të sundonte tjetrin.
Universi na tregon se ka një drejtues, se nëse nuk do të ishte një drejtues atëherë patjetër do të kishte konfrontim dhe ndarje në mes të universit (secila pjesë e tij do të funksiononte e pavarur prej tjetrës). Kështu secili i adhuruar do të ushtronte vullnetin e vet (njëri do të dëshironte që dielli të lindte prej perëndimit e tjetri prej lindjes etj.). Secili do të kishte vullnetin e ndryshëm prej tjetrit (do të kishin mospajtime, e nëse do të ishte e mundur të pajtoheshin ndërmjet veti kjo tregon se pajtimi arrihet kur kanë frikë njëri-tjetrin, dhe duke qenë kështu kjo do të thotë se nuk meritojnë të jenë të adhuruar). Edhe nëse vullneti do të ishte i njëjtë, kjo nuk do të zgjaste për një kohë të gjatë. Secili do ta impononte vullnetin e dëshirën e vet. Shembull: Po të kishte të adhuruar të tjerë, atëherë dielli (i cili lind në mënyrë precize) një ditë do të vonohej të lindte, apo do të lindte më herët, ngase vullneti i njërit të adhuruar do të kërkonte kështu. Mirëpo, në univers ka sistem dhe harmoni të përkryer e të përpiktë, i gjithë ai funksionin si një trup i vetëm, “Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni. Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje?” Mulk 3. Kjo tregon se Ai i Cili e drejton këtë univers është Një – Allahu. Është e pamundur të ketë të adhuruar të tjerë përveç apo krahas Allahut. Këtë ajet Allahu e ka sjell të pohojë teuhidin uluhije (dhe teuhidi uluhije e kërkon medoemos teuhidin rububije). Ajeti gjithashtu na sjell provën se është e pamundur të ketë zot e krijues tjetër krahas Allahut.
“Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre!” – Prej çdo gjëje të cilën mohuesit dhe idhujtarët ia veshin, prej të metave e mangësive të cilat nuk i takojnë madhërisë së Tij.
“Ai është shumë lart mbi çdo gjë që ia shoqërojnë në adhurim” – si: idhuj, engjëll, Pejgamber etj. Allahu i takon lartësimi i mbizotërimit (çdo gjë është nën pushtetin e Tij, Ai është mbizotëruesi, Ai ka fuqi të veprojë si të dëshirojë mbi krijesat e Tij), Allahut i takon lartësimi i pozitës (asgjë dhe askush nuk i përngjason Atij apo të jetë i krahasueshëm me Atë) dhe Allahu është i lartësuar me Qenien e Tij (është mbi krijesat e Tij, përmbi Arshin e Tij). Të gjitha krijesat janë nën pushtetin e Tij. Ai është i vetmi krijues dhe sundues. Duke qenë kështu, kjo tregon se Allahu është i përsosur absolut dhe rrjedhimisht Ai është i lartësuar nga ajo që dikush të jetë i krahasueshëm me Atë. Prej Emrave të Tij është El Alijj – Më i Larti. Të gjitha Cilësitë e Tij janë të përsosura, Ai është i pastër prej krahasimit, përngjasimit e shëmbëllimit me krijesat e Tij, sepse cilësitë e krijesave janë të mangëta. Nuk ka mundësi të ketë përngjasim e krahasim mes Krijuesit dhe krijesës.
Në këto ajete përmenden disa cilësi negative të cilat Allahu i mohon për veten e Tij. Allahu është i pastër dhe i lartësuar që të marrë dikë prej krijesave të Tij për fëmijë dhe që të ketë ortak në uluhije. Këtë mohim e bën ngase përmes kësaj do të na tregojë se Ai është i përsosur në mjaftueshmëri, në rububije dhe uluhije. Nuk i shkon madhështisë së Tij të ketë fëmijë dhe ortakë.
Ajo që përfitojmë nga këto ajete: Kur ne besojmë një gjë të tillë dhe vetëdijesohemi, atëherë kjo na nxitë të jemi sa më të sinqertë në adhurimin kushtuar Allahut ngase askush nuk meriton të adhurohet përveç Tij.
Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.