رَبِّ أَعِنِّي وَلاَ تُعِنْ عَلَيَّ، وَانْصُرْنِي وَلاَ تَنْصُرْ عَلَيَّ، وَامْكُرْ لِي وَلاَ تَمْكُرْ عَلَيَّ، وَاهْدِنِي وَيَسِّرِ الهُدَى إِلَيَّ ، وَانْصُرْنِي عَلَى مَنْ بَغَى عَلَيَّ. رَبِّ اجْعَلْنِي شَكَّارًا لَكَ، ذَكَّارًا لَكَ، رَاهِبًا لَكَ، مِطْوَاعًا لَكَ، مُخْبِتًا لَكَ، أَوَّاهًا مُنِيبًا، رَبِّ تَقَبَّلْ تَوْبَتِي، وَاغْسِلْ حَوْبَتِي، وَأَجِبْ دَعْوَتِي، وَثَبِّتْ حُجَّتِي، وَاهْدِ قَلْبِي، وَسَدِّدْ لِسَانِي، وَاسْلُلْ سَخِيمَةَ قَلْبِي.
- “ رَبِّ أَعِنِّي وَلاَ تُعِنْ عَلَيَّ – O Zoti im! Më ndihmo mua dhe mos i ndihmo të tjerët kundër meje! – Rabbi ein-ní we la tuin alejje” – Më ndihmo të arrij çdo mirësi, më ndihmo të jem i bindur ndaj Teje, të të përmend, të të falënderoj e të të adhuroj. Dhe mos e ndihmo kundër meje ndonjë armik, apo zullumqar, më mbroj nga e keqja e armiqve dhe ziliqarëve etj. Kjo ka të bëjë edhe me armiqtë e brendshëm, që është nefsi dhe shejtani. Dijetarët kanë thënë: “Nëse Allahu të ruan prej këtyre dy armiqve të brendshëm, atëherë do të triumfosh ndaj të gjithë armiqve të tjerë!”
- ” وَانْصُرْنِي وَلاَ تَنْصُرْ عَلَيَّ – Më jep mua fitore dhe mos u jep fitore të tjerëve kundër meje! – Wénsurní we la tensur alejje” – Më jep fitore kundër jobesimtarëve dhe armiqve të cilët mundohen të pengojnë përhapjen e fesë dhe më jep fitore kundër nefsit tim dhe kundër shejtanit! Mos iu jep fitore të tjerëve kundër meje duke më dëmtuar në veten time, fenë time, pasurinë dhe nderin tim.
- ” وَامْكُرْ لِي وَلاَ تَمْكُرْ عَلَيَّ– Ngreh kurthe në favor timin dhe mos lejo që armiqtë e mi të ngrehin kurthe kundër meje! – wemkur lí we lé temkur alejje” – Ma lehtëso fitoren kundër armiqve përmes ngritjes së kurtheve dhe planeve me të cilat i dëmton ata pa e ndje këtë.
- ” وَاهْدِنِي وَيَسِّرِ الهُدَى إِلَيَّ – Më udhëzo dhe ma lehtëso udhëzimin! – Wehdiní we jes-iril hudé ilejje” – Më lehtëso rrugën e udhëzimit dhe më bëj të qëndrueshëm. Lutja përfshin udhëzimin fetar dhe atë të dunjasë. Udhëzimi është disa lloje: njohja e rrugës së drejtë, suksesi për ta pasuar atë, qëndrueshmëria në të, njohja e detajeve të saj, suksesi drejt punëve që shpërblehen shumë etj.
- ” وَانْصُرْنِي عَلَى مَنْ بَغَى عَلَيَّ – Më jep fitore ndaj atij që më ka bërë padrejtësi! – Wensurní alé men begá alejje” – Është lutur vetëm ndaj atij që i ka bërë padrejtësi. Ndokush prej padrejtësisë që i bëhet mund të bëhet i padrejtë në lutje duke e tepruar, si: “O Allah, mos ia jep Xhenetin! Bëje banor të përhershëm të Zjarrit!” Ndokujt i ka bërë dikush padrejtësi dhe pastaj tejkalon kufijtë duke u lutur kundër gjithë familjes së tij.
- ” رَبِّ اجْعَلْنِي شَكَّارًا لَكَ – O Zoti im, më bëj shumë mirënjohës dhe falënderues ndaj Teje! – Rabbi xhe’alní shek-kéran lek” – Kjo përfshin shumë gjëra, si: të pranosh me zemrën tënde se begatitë që posedon janë prej Allahut, ta falënderosh me gjuhë dhe t’i shfrytëzosh ato mirësi në bindje ndaj Allahut e jo në mëkate.
- ” ذَكَّارًا لَكَ – më bëj të të përmend shumë Ty – dhek-kéran lek” – Përmendja e shumtë e Allahut është në dobinë tonë. Dhikri është me zemër (kur kujton madhërinë e Allahut, mediton në krijimit e qiejve e të tokës, kur mediton rreth argumenteve të vendosura në sunet dhe argumenteve fetare etj.), me gjuhë dhe me gjymtyrë (adhurimi që bën).
- ” رَاهِبًا لَكَ– të kem frikë prej Teje – Rahiben lek” – Në çdo gjendje të të kem frikë: në publik e vetmi, në shëndet e sëmundje, në mirëqenie e varfëri etj. Frika ndaj Allahut duhet të jetë produktive – të nxisë për vepra të mira dhe të largon prej ndalesave (e jo e atillë që të dërgon në dëshpërim). Kur frika të bën të mos mendosh për mëshirën e Allahut, kjo të dëmton dhe të bën të humbasësh shpresat e pastaj të devijosh.
- ” مِطْوَاعًا لَكَ – të jem gjithmonë i bindur ndaj Teje – mitwá an lek” – Të jem vazhdimisht i atillë që zbaton urdhrat dhe largohem prej ndalesave, të jem i bindur ndaj Allahut deri në vdekje.
- ” مُخْبِتًا لَكَ – Të jem i përulur ndaj Teje– mukhbiten lek” – Të jem i përulur, i thyer e i nënshtruar ndaj Teje, e jo arrogant e kryeneç. Allahu i ka lavdëruar të tillët në Kuran: “Dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur…” Haxh 34.
- ” أَوَّاهًا مُنِيبًا – Të kem keqardhje për gjynahet e bëra dhe gjithmonë të kthehem tek Ti – Ewwéhen muníben” – Të ndihem keq për gjynahet e bëra, e jo komod, të qaj dhe ta lus Allahun me frikë e shpresë. Allahu e ka përshkruar Ibrahimin alejhisselam me këto dy cilësi. Gjithashtu, të kthehem tek Ti vazhdimisht, të të mos harroj Ty, të mos kaplohem nga shkujdesja, të jem i atillë që nxitoj drejt kënaqësisë Tënde dhe qëndroj larg gjërave të cilat të zemërojnë.
- ” رَبِّ تَقَبَّلْ تَوْبَتِي – O Zoti im! Pranoje pendimin tim – Rabbi tekab-bel teubetí” – D.m.th.: Sa herë të pendohesh të ta pranojë Allahu pendimin. Qëllimi është që Allahu të të japë sukses të pendohesh me pendim të sinqertë. Pendimi është kthimi tek Allahu. Nuk mjafton të thuash me gjuhë: “Kërkoj falje, o Allah!” ndërkohë që zemra është e vendosur për të vepruar mëkate posa të të jepet mundësia.
- ” وَاغْسِلْ حَوْبَتِي – Pastroji prej meje gjynahet e mia – Wégsil haubetí” – Si uji që pastron njollat e ndotësitë dhe nuk lë asgjë. Kjo ka kuptim edhe më të gjerë: Dhënia e suksesit prej Allahut drejt veprave që mundësojnë pastrimin prej gjynaheve, si: pendimi i sinqertë, sprovat/fatkeqësitë, veprat e mira të shumta etj. Allahu na ka dhënë mundësi të shumta që të fitojmë Xhenetin. Një vepër e mirë shpërblehet dhjetëfish deri në shtatëqindfish e më shumë, ndërsa një e keqe me një të keqe. Kjo na bën të kuptojmë se ai njeri që do të dënohet në ahiret, ka qenë tepër i shkujdesur në jetën e kësaj bote.
- ” وَأَجِبْ دَعْوَتِي – Pranoje lutjen time! – We exhib de’awetí” – Më jep sukses e ma mundëso të lutem me lutje të sakta, të vërteta, me bindje në përgjigje dhe larg pengesave që e bëjnë të mos pranohet. Allahu na ka treguar në Kuran se u përgjigjet lutjeve, “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” Gafir 60. Porse, jo çdo lutje pranohet, si: lutja për të bërë një mëkat, apo lutja për t’u prishur lidhja farefisnore etj.
- ” وَثَبِّتْ حُجَّتِي – Forcoje argumentin tim! – We theb-bit huxh-xhetí” – Lutesh që Allahu të të përforcoje kur të kërkohet të sjellësh argumente në ndihmë ndaj fesë, lutesh të ta forcojë gjuhën dhe që fjalët e tua të jenë bindëse. Kjo përfshin dëshminë/argumentin që jep kur u përgjigjesh dy engjëjve të cilët do të të pyesin në varr: “Kush është Zoti yt, cila është feja jote, kush është Pejgamberi yt?” Lutesh që Allahu të të forcojë në këto momente të vështira.
- ” وَاهْدِ قَلْبِي – Udhëzoje zemrën time! – Wehdi kalbí” – Udhëzoje drejt njohjes së Allahut, sa më shumë, dhe fesë së Tij, udhëzoje të jetë e qëndrueshme në rrugën e Tij, të mësojë për hadithet dhe për fenë e Tij, sepse në këtë mënyrë njeriu do të gjejë përmirësimin, zemra do të mbahet e qëndrueshme dhe do të shtojë veprat e mira. Përmirësimi i njeriut kthehet te përmirësimi i zemrës së tij. Nëse dëshiron të largohesh prej mëkateve, atëherë shtoje dijen për Allahun, për Emrat dhe Cilësitë e Tij. Çdo mëkat që bëhet, është rezultat i mangësisë së njeriut lidhur me dijen për Allahun dhe bindjen ndaj Tij.
- ” وَسَدِّدْ لِسَانِي – Drejtoje gjuhën time! – Wesd-did liséní!” – Drejtoje atë në mënyrë që të flasë vetëm të vërtetën dhe fjalë të mira. D.m.th.: me këtë lutesh fillimisht që Allahu ta pastrojë atë nga gënjeshtra, përgojimi, bartja e fjalëve, tallja dhe mëkate të tjera që bëhen me gjuhë, dhe të të angazhojë me përmendje të Allahut, me lexim të Kuranit, me urdhërim të mirë, me ndalim nga e keqja, me përhapje të dijes, me mësim të atyre që nuk dinë etj.
- “وَاسْلُلْ سَخِيمَةَ قَلْبِي – Çrrënjosi prej zemrës sime sëmundjet e saj! – Weslul sekhímete kalbí” – Defektet dhe sëmundjet e zemrës, si: dyfytyrësia, dëshira për gjynah, dashakeqësia, zilia, mendjemadhësia, urrejtja, vetëpëlqimi etj. Nëse vëren ndonjë gjë në zemrën tënde, duhet ta kurosh sa më parë, pa e lënë të rritet. Nëse vëren se ke zemër të dobët dhe anën kah gjynahu, atëherë trajtoje këtë sepse nëse nuk kujdesesh, atëherë do të rritet dhe me kalimin e kohës mund të bie në mohim, ngaqë nuk është trajtuar me fillim. Ajo që të sjellë dobi është zemra e pastër, “…në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” Shuara 88-89. Zemër të pastër nga shirku, mohimi, bidatet, mëkatet dhe sëmundjet e saj. Zemra e tillë do të shpëtojë në Ditën e Gjykimit.
Hoxhë Petrit Perçuku.
🖊Transkriptim.