Biografia e Uthmanit radijAllahu anhu
Më i miri i njerëzve dhe i këtij umeti, pas Ebu Bekrit dhe Umerit radijAllahu anhuma, është Uthmani radijAllahu anhu, njëri prej katër udhëheqësve të drejtë.
Ai është Uthman ibn Affan bin Ebi el As. Emri i tij ka qenë El Harith. Nofka e tij ka qenë Dhun- Nurejn – Poseduesi i dy dritave – dy vajzave të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem (së pari ka qenë i martuar me Rukajen dhe pas vdekjes së saj është martuar me Umu Kulthumin). Dijetarët përmendin se askush nuk njihet në histori të ketë pasur për bashkëshorte dy vajza të një Pejgamberi, përveç Uthmanit.
Ka lindur në vitin e gjashtë, pas “Vitit të elefantit”. Ka qenë prej të parëve që ka hyrë në Islam. Ebu Bekri ka qenë shkaku që ai të hynte në Islam. Ai është njëri prej të dhjetëve për të cilët Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka dëshmuar se do të hyjnë në Xhenet dhe është njëri prej të gjashtëve të cilët kanë vdekur duke qenë i kënaqur Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem me ta. Kohëzgjatja e udhëheqësisë së tij ka qenë 12 vite.
Uthmani ka qenë njëri prej sahabëve i cili e ka tubuar Kuranin në musaf. Ka qenë i bukur në pamje. Përmendet se ka agjëruar shumë, ka falur shumë namaz nate dhe ka lexuar shumë Kuran.
Ai është vrarë si dëshmor në shtëpinë e tij në vitin 35 Hixhri, sipas disa transmetimeve në moshën 82 vjeçare e në disa transmetime 90 vjeçar. Rrethimi ndaj tij ka zgjatur 49 ditë sipas disa transmetimeve, ndërsa në disa të tjera thuhet se ka zgjatur 2 muaj. Në ditën e vrasjes ka qenë agjërueshëm dhe është vrarë duke lexuar Kuran, ku një pikë e gjakut të tij ka rënë në ajetin kuranor: “Allahu të mjafton ty kundër atyre. Ai i dëgjon dhe i di të gjitha.” Bekare 136. Namazin e xhenazes ia ka falur Zubejr ibn Awwami dhe është varrosur në varrezën Beki.
Argumentet që flasin për vlerën e tij
—Transmetohet se një ditë ka hyrë Uthmani te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem i cili ka pasur gjunjët të zbuluar dhe i ka mbuluar dhe ka thënë: “A të mos turpërohem prej një njeriu prej të cilit turpërohen edhe engjëjt?!” Buhariu dhe Muslimi. Uthmani ka qenë shumë i turpshëm.
—Transmetohet se kur Uthmani është rrethuar në shtëpinë e tij (ku dhe është vrarë dhe ka rënë dëshmor), ka dal para njerëzve dhe ka thënë: “A nuk e dini se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e përgatit “Ushtrinë e vështirësisë” (e cila ka luftuar me romakët), atij i takon Xheneti”? Dhe unë isha ai që e kam përgatitur atë. A nuk e dini se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e hap/blen pusin er rume me pasurinë e tij dhe ua jep muslimanëve do ta ketë Xhenetin si shpërblim”? Dhe unë isha ai që e kam blerë atë.” Buhariu. Me këto fjalë ka dashur t’iu thotë atyre që e kanë rrethuar se jeni duke bërë një krim shumë të madh.
–Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Uthmani është më i turpshmi në umetin tim dhe më fisniku.” Dhe: “Njeriu më i turpshëm i këtij umeti pas Pejgamberit është Uthmani.”
–Abdullah ibn Umeri ka thënë: “Sa ka qenë gjallë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, ne (sahabët) thoshim: “Më i mirë i këtij umeti (pas Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem) është Ebu Bekri, pas tij Umeri, pas tij Uthmani, pas tij Aliu.” Këto fjalë i shkonin atij salAllahu alejhi ue selem dhe nuk i refuzonte.”
—AbduRrahman ibn Aufi ka thënë: “Kam pyetur banorët e Medines dhe kam parë se ata nuk e krahasonin askënd me Uthmanin.”[1]
[1] Kur njeriu beson se Aliu ka qenë më meritor për udhëheqësi (khalifat) sesa Uthmani, ka rënë në bidat, madje disa prej bidatxhinjëve thonë se Aliu ka qenë më meritor për këtë sesa Ebu Bekri.
Hoxhë Lulzim Perçuku.
🖊Transkriptim.