Biografia e Aliut radijAllahu anhu
I katërti i khalifëve të drejtë është Aliu, më i miri i këtij umeti pas tyre, i cili nuk i është ndarë kurrë mirësisë dhe i cili gjithmonë ka qenë i suksesshëm në mirësi. Ai ka qenë babai i dy Hasenave (Hasenit dhe Husejnit – nipat e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem) dhe djali i Ebu Talibit – xhaxhai i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.
Ai ua ka tejkaluar bashkëmoshatarëve të tij, ka qenë njeri bujar dhe me moral të mirë. Ai ka qenë çelësi dhe hapësi i çdo vështirësie.
Prej katër khalifëve, Aliu ka qenë më i afërmi me Pejgmaberin salallahu alejhi ue selem sa i përket prejardhjes. Kjo është një vlerë e veçantë që i takon atij. Khilafeti i tij ka zgjatur katër vjet e nëntë muaj.
Aliu është bërë udhëheqës pasi Uthmani ka rënë dëshmor. Kur ka ndodhur vrasja e tij, njerëzit kanë shpejtuar të shkojnë tek Aliu dhe i kanë thënë: “Zgjate dorën të ta japim zotimin për besnikëri!” Mirëpo ai u ka thënë: “Nuk u takon juve kjo gjë, por u takon sahabëve që kanë marr pjesë në luftën e Bedrit. Nëse ata janë të kënaqur për të qenë unë udhëheqës, atëherë do të jem.” Pastaj ata të gjithë kanë ardhur tek Aliu dhe i kanë thënë: “Nuk shohim dikë tjetër më meritor për udhëheqësi sesa ty. Zgjate dorën të ta japim zotimin për besnikëri!”
Aliu është sulmuar duke u goditur në kokë (nga dy persona prej havarixhve), kur ka dal të falë namazin e sabahut, para derës së shtëpisë së tij, në ditën e xhuma.
Kur ka vdekur ka qenë në moshën 63 vjeçare. Namazin e xhenazes ia ka fal Haseni. Është varrosur në Kufe, në pallatin presidencial.
Argumente që tregojnë për vlerën e tij
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Aliu është prej meje dhe unë jam prej tij. Ai është miku dhe i dashuri i çdo besimtari që vjen pas meje.” Sahih.
Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “Pasha Atë i Cili e bën farën të mugullojë dhe i Cili ka krijuar të gjitha krijesat, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ma ka dhënë besën se mua do të më dojë vetëm besimtari dhe do të më urrejë hipokriti.” Muslimi.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nesër do t’ia japë flamurin një personi të cilit Allahu do t’ia mundësojë të çlirojë Hajberin. Ai e do Allahun dhe të Dërguarin e tij dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan atë.” Pastaj njerëzit e kanë kaluar natën duke biseduar e diskutuar se kush mund të jetë ky person. Në mëngjes, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka pyetur: “Ku është Aliu?” I kanë treguar se është sëmurë në sy. Atëherë ka kërkuar t’ia sillnin, dhe pasi ia kanë sjellë, ka fryrë në sytë e tij dhe është lutur për të dhe Allahu ia ka shëruar sytë sikur mos të kishte asgjë. Pastaj ia ka dhënë flamurin.
Abdullah ibn Abbasi ka thënë për të: “Sado që të ketë folur për fe, nuk e ka tepruar- ka pasur dije të madhe për fe. Ka qenë prej të parëve që ka hyrë në Islam dhe ka qenë dhëndri i Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Ai ka pasur të kuptuar rreth sunetit. Ka qenë trim dhe i është përgjigjur menjëherë ftesës për luftë dhe ka qenë bujar.”
Umeri radijAllahu anhu ka thënë: “Aliu është më i ditur në mesin tonë lidhur me gjykimin.” Abdullah ibën Mesudi ka thënë gjithashtu: “Më i dituri rreth gjykimit, prej banorëve të Medines, është Aliu.”
Imam Ahmedi ka thënë: “Aliu radijAllahu anhu nuk është stolisur me khilafet (udhëheqësi), por khilafeti është stolisur me të.”
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim