Biografitë e gjashtë të përgëzuarve me Xhenet

Biografitë e gjashtë të përgëzuarve me Xhenet

Biografitë e gjashtë të përgëzuarve me Xhenet

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për katër udhëheqësit e drejtë: “(Kur të ndodhin fitnet) Kapuni pas sunetit tim dhe sunetit të udhëheqësve të drejtë e të udhëzuar të cilët do të vijnë pas meje! Kapuni fort pas tij dhe shtrëngojeni (siç e mbani një gjë) me dhëmballë!” Dhe: “Udhëheqësia (hilafeti) e cili është sipas rrugës së Pejgamberisë do të zgjasë 30 vite, pastaj Allahu do t’i japë sundim/mbretëri atij që dëshiron (do të vijnë mbretër).”[1] Ahmedi dhe të tjerë. Dhe hadithe të tjera.

Pas katër udhëheqësve të drejtë, vjen grupi i gjashtë të përgëzuarve me Xhenet. Nuk ka dyshim te pasuesit e sunetit për përgëzimin e tyre me Xhenet, për mirësinë që Allahu ua ka dhënë dhe se ata do të jenë prej banorëve të Xhenetit. Ata janë: Seidi, Sadi, Ibn Aufi, Talha, Amiri dhe Zubejri. Këta, së bashku me katër khalifët e drejtë, janë dhjetë të përgëzuarit me Xhenet.

Seid ibën Zejdi – Ai ka qenë prej të parëve të cilët kanë hyrë në Islam. Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha betejat me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem, përveç betejës së Bedrit (ngaqë ka qenë i ngarkuar të përcjellë lëvizjet e karvanit të kurejshëve i cili ka qenë duke u kthyer prej Shamit, dhe pastaj të lajmërojë Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem). Seidi ka qenë i gjatë, ezmer dhe leshatak. Ai ka vdekur në luginën Akik, dhe pastaj është varrosur në Medine, në vitin 51 hixhri, në moshën mbi 70 vjeçare. Seidi ka transmetuar 48 hadithe. Ai ka thënë: “Unë dëshmoj për nëntë persona që janë në Xhenet (dhe përmend ata) dhe nuk do të mëkatoja sikur të dëshmoja për të dhjetin.” E kanë pyetur se kush janë ata dhe i ka përmendur, pastaj e kanë pyetur se kush është i dhjeti, atëherë ka heshtur dhe ka thënë: “Unë.”

Sad ibën ebi Uekasi – Ai ka qenë prej atyre që kanë pranuar Islamin në fillimet e tij, kur ka qenë në moshën 17 vjeçare. Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha betejat me Pejgamberin salallahu alejhi ue selem. Tregohet se ka qenë i shkurtër dhe i shëndosh, ka pasur kokë të madhe dhe gishtërinj të mëdhenj. Ka qenë ezmer dhe me qime shumë. Gjatë khilafetit të Umerit dhe Uthmanit, ka qenë i caktuar si prijës i Kufes. Ai ka vdekur në vitin 55 (apo 57) hixhri, në shtëpinë e tij në Akik, në moshën mbi 70 vjeçare dhe është varrosur në Medine në varrezat Beki. Sadi ka transmetuar 270 hadithe. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Gjuaji me shigjeta (idhujtarët)! I bëfsha kurban për ty nënën e babanë tim!” Aliu ka thënë: “Nuk e kam dëgjuar për dikë t’i ketë bërë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem kurban të dy prindërit e tij (me fjalë) përveçse për Sad ibën Uekasin.”

AbduRrahman ibn Aufi – Ka qenë prej atyre që e kanë pranuar Islamin në fillimet e tij. Ai ka emigruar në Etiopi dy herë. Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha betejat me Pejgamberin salallahu alejhi ue selem. Ai ka qenë i gjatë, i bardhë (i përzier me ngjyrë kafe), ka pasur supe të gjera dhe hundë të lakuar. Tregohet se dy dhëmbët e parë i ka pasur të rënë dhe ka qenë i çalë (ngaqë është plagosur në betejën e Uhudit). Ka vdekur në vitin 32 hixhri dhe është varrosur në varrezën Beki, në moshën mbi 70 vjeçare. Ka transmetuar 65 hadithe. Abdurrahman ibën Aufi ka qenë ai i cili ka shpenzuar për gratë e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem pas vdekjes së tij. Përmendet se e ka dhënë lëmoshë një kopsht i cili është shitur 40.000 dënar (apo 400.000 dënar) dhe këto para i ka lënë lëmoshë për t’u shpenzuar për gratë e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem.

– Talha ibën Ubejdilah – Ka qenë prej të parëve që ka hyrë në Islam. Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha betejat me Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem përveç betejës së Bedrit (ngaqë edhe ai sikur Seidi, ka qenë i ngarkuar të përcjellë lëvizjet e karvanit të kurejshëve i cili ka qenë duke u kthyer prej Shamit). Ai është dalluar në betejën e Uhudit për mbrojtjen që ia ka bërë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem me trupin e tij. Shigjetat e hedhura në drejtim të të Dërguarit, i ka kapur me dorën e tij. Për këtë arsye, është goditur me shigjeta në dorën e tij dhe pastaj i janë paralizuar gishtërinjtë. Në këtë betejë, thuhet se ka marrë 24 plagë, ndërsa në një transmetim thuhet se ka marrë 74 plagë (me shtiza, apo me shigjeta, apo me shpata), duke qëndruar si mur para Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem për të mos u goditur. Dhe ai salAllahu alejhi ue selem e ka quajtur “Talha i mirësisë” (po në këtë betejë). Ai ka qenë ezmer e leshatak, ka pasur flokë të gjatë e të mëdha, dhe ka qenë i bukur në fytyrë. Ai është vrarë në betejën e Xhemelit, në vitin 36 hixhri, në moshën 64 (apo 62) vjeçare. Është varrosur në Basra. Talha ka transmetuar 38 hadithe. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për të në betejën e Uhudit: “Është bërë obligim Xheneti për Talhan!” Tirmidhiu.

– Ebu Ubejde ibën Xherrah – Ka qenë prej të parëve që ka pranuar Islamin. Ka mërguar në Habeshe dy herë. Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha betejat me Pejgamberin salallahu alejhi ue selem. Edhe Ebu Ubejde ka qëndruar në mbrojtje të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem (si mur) në betejën e Uhudit. Me dhëmbët e tij ka nxjerrë dy rrathët e helmetës që i janë futur në faqen e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem dhe nga kjo i kanë rënë dy dhëmbët e përparmë. Ai ka qenë i gjatë dhe me mjekër të rrallë (jo të dendur). Ai ka vdekur nga murtaja në Jordani, në vitin 18 hixhri, në moshën 58 vjeçare, dhe është varrosur në një varrezë aty afër. Ebu Ubejde ka transmetuar 15 hadithe. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për të: “Çdo umet ka besnikun e vet, kurse besniku ynë o umet është Ebu Ubejd ibën Xherrah.” Dhe: “Ky është besniku i këtij umeti.”

– Zubejr ibën Awami – Ka qenë prej të parëve që ka hyrë në Islam, kur ka qenë në moshën 16 vjeçare. Xhaxhai i tij e ka torturuar me tym për ta braktisur Islamin, mirëpo nuk e ka braktisur. Ka mërguar në Habeshe dy herë. Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha betejat me Pejgamberin salallahu alejhi ue selem. Përmendet se ai ka qenë i pari i cili ka nxjerrë shpatën për të luftuar në rrugën e Allahut. Ai ka qenë i bardhë e i gjatë dhe thatanik (në një transmetim thuhet se ka qenë mestar dhe ezmer). Është vrarë duke u kthyer prej betejës së Xhemelit, në Basra, në vitin 36 hixhri, në moshën 64 vjeçare. Zubejri ka transmetuar 38 hadithe. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për të: “Çdo Pejgamber ka pasur përkrahësit e tij, kurse përkrahësi im është Zubejr ibën Awami.” Timirdhiu.

***

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem (duke i përmendur me emra veç e veç) ka thënë:

Ebu Bekri është në Xhenet. Umeri është në Xhenet. Uthmani është në Xhenet. Aliu është në Xhenet. Talha është në Xhenet. Zubejri është në Xhenet. Abdurrahman ibën Aufi është në Xhenet. Sad ibën ebi Vekasi është në Xhenet. Seid ibën Zejdi është në Xhenet. Ebu Ubejde ibën Xherrah është në Xhenet.” Shënon Tirmidhiu.

 

[1] Udhëheqësia e Ebu Bekrit ka zgjatur 2 vite e 3 muaj, e Umerit ka zgjatur 10 vite e 6 muaj, e Uthmanit ka zgjatur 12 vite dhe e Aliut ka zgjatur 4 vite e 9 muaj. Ndërsa, 6 muajt e mbetur për të mbushur 30 vitet halifat, janë muajt e udhëheqësisë së Hasenit radijAllahu anhu i cili pastaj ia ka dorëzuar udhëheqësinë Muavijes i cili dhe llogaritet mbreti i parë në Islam.

Hoxhë Lulzim Perçuku
🖊Transkriptim

Madhësia e tekstit