Komentimi i fjalës së Allahut:
“E, kur njeriun e godet e keqja, atëherë Na lutet…” Junus:12
∞ Allahu ka mbjellë në natyrshmërinë e njeriut që kur të gjendet në vështirësi atëherë të mos ketë një adresë tjetër përveçse të drejtohet tek Allahu, “Kur hipin në anije, ata i luten Allahut me devotshmëri të sinqertë, por kur Ai i sjell në tokë shëndoshë e mirë, menjëherë ata i veshin Atij ortakë (në adhurim)…” Ankebut 65.
∞ Njerëzit, në raport me lutjen, ndahen në dy lloje:
- Ata që janë të lidhur me Allahun dhe e lusin Atë në rehati dhe në vështirësi.
- Ata që kur janë rehati e harrojnë Allahun, ndërsa kur janë në ngushti përulen e luten sepse e dinë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse tek Ai, edhe pse pasi u kalon vështirësia kthehen siç kanë qenë, “E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë, ose ulur, ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu, plëngprishësve (që shkelin kufijtë e Allahut) iu zbukurohet ajo që punojnë.” Junus 12.
∞ “kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë, ose ulur, ose në këmbë” – e lut Allahun në çdo formë ngase është në vështirësi dhe rrezik. Kështu veprojnë shumica e njerëzve. Kur janë në vështirësi e njohin Allahun shtrirë, ulur apo duke ecur, dinë të thurin fjalë e të luten. Kështu nuk duhet të veprojnë vetëm kur janë është në vështirësi (këtë e bëjnë për shkak të besimit dhe bindjes të dobët), por edhe në rehati.
∞ Njerëzit e tillë kur gëzojnë begati, nuk janë të lidhur me zemër me Atë i Cili ua ka dhuruar ato, gjithashtu kur gjenden në sprova, mirëpo zemrat e tyre ose janë të lidhura me begatinë ose me atë gjë që i ka goditur duke harruar Allahun i Cili është Dhuruesi i begative dhe Ai i Cili i dërgon sprovat. Kur zemra e njeriut është e lidhur për Allahun, si në begati si në sprova, atëherë ajo nuk do të ndryshojë, por do të jetë e qetë, ngase ai e di se Ai i ka dërguar ato të dyja. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë për besimtarin: “Nëse i vjen ndonjë e mirë, falënderon Allahun dhe kjo është mirë për të e nëse e godet një fatkeqësi, duron dhe kjo është mirë për të.”
∞ Njeriu mund ta lusë Allahun kur është në vështirësi porse ka mundësi që Allahu të mos i përgjigjet. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Njiheni Allahun kur jeni në rehati, Allahu do t’iu njohë kur të gjendeni në vështirësi!” Dhe: “Kush do që Allahu t’i përgjigjet në fatkeqësi, le ta njohë Atë kur është në rehati.”
∞ Marrim dy shembuj: Faraonin dhe Junusin alejhisselam, të dytë kanë qenë në vështirësi. Faraoni ka besuar duke u fundosur, por kjo nuk i ka bërë dobi. Allahu ka thënë për të: “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!” Junus 91. Ndërsa, Junusi është lutur duke qenë në barkun e balenës dhe Allahu i është përgjigjur, “…po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes.” Saffat 143-144.
∞ Kur njeriu e njeh Allahun vetëm në vështirësi dhe e harron kur është në rehati e mirëqenie, kjo është prej cilësive më të këqija dhe padrejtësive më të mëdha. Të gjitha të mirat që ka ai, janë prej Allahut. Për çdo gjë është i varur prej Allahut. Andaj, si të tregohet njeri i tillë i keq e të njohë Allahun vetëm kur gjendet në vështirësi e ta harrojë kur gjendet në mirëqenie?!
∞ Lutja është çështja më e ndershme e besimtarit dhe ajka e adhurimit. Me lutje, njeriu shpërfaq përuljen dhe nevojën që ka ndaj Allahut. Ai zemërohet nëse ne nuk e lusim. Dhe duhet ta lusim për çdo gjë që kemi nevojë (për veten dhe për të tjerët).
∞Lusim Allahun të na bëjë prej atyre të cilët e njohin Allahun si në mirëqenie si në vështirësi, ngase nuk kemi të adhuruar tjetër përveç Tij për t’ia drejtuar lutjet e nevojat tona!
Ligjëroi: Hoxhë Gazmend Mehmeti
Transkriptim