Gënjeshtra dhe largimi prej saj

Gënjeshtra dhe largimi prej saj

Gënjeshtra është thënia e asaj që është në kundërshtim me realitetin – e kundërta e së vërtetës. Ajo llogaritet e kundërta e sinqeritetit.

Gënjeshtra është nga cilësitë apo tiparet që largojnë nderimin dhe njerëzinë. Kur njeriu njihet te njerëzit si gënjeshtar, do të humbasë respektin dhe autoritetin në mesin e tyre.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Përmbajuni vërtetësisë (sinqeritetit), ngase ajo çon në devotshmëri dhe devotshmëria çon në Xhenet. Njeriu vazhdon të flasë të vërtetën derisa të shkruhet i sinqertë (siddik) tek Allahu. Kini kujdes nga gënjeshtra, ngase ajo çon në shthurje (mëkatim) dhe shthurja çon në Zjarr. Njeriu vazhdon të gënjejë derisa të shkruhet gënjeshtar (kedh-dheb) tek Allahu.”

Kanë ardhur argumente të shumta nga Kurani e suneti të cilat tregojnë se gënjeshtra është e ndaluar dhe është nga mëkatet e shëmtuara. Të gjithë dijetarët e mëhershëm e të mëvonshëm kanë pajtueshmëri mbi atë se gënjeshtra është e ndaluar.

Të përmendim disa nga argumentet:

-Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush ka katër cilësi (të këqija) është hipokrit i pastër, e nëse e ka ndonjërën nga to, ka një tipar të hipokrizisë, derisa ta braktisë atë. Ato janë: Kur flet gënjen, kur jep fjalën e shkel atë, kur premton e thyen atë dhe kur debaton eskalon (shpërthen).” Buhariu dhe Muslimi

-Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri: Kur flet gënjen, kur premton nuk e përmbush atë dhe kur i jepet diçka në amanet tradhton.” Buhariu dhe Muslimi

-Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Unë ia garantoj një shtëpi në mes të Xhenetit, atij që braktis gënjeshtrën për të bërë të tjerët të qeshin (për humor).”

-Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë tre persona të cilëve, në Ditën e Gjykimit, Allahu as nuk do t’iu flasë, as nuk do t’i pastrojë nga mëkatet e as nuk do t’i shikojë dhe do të kenë dënim të dhembshëm: Plaku imoral, udhëheqësi gënjeshtar dhe i varfri mendjemadh.”

Llojet e gënjeshtrës

– Gënjeshtra e trillimi për t’i bërë të tjerët të qeshin – për shaka (këtu hyjnë edhe barsoletat etj.). Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mjerë për atë i cili kur flet gënjen, që t’i bëjë të tjerët të qeshin! Mjerë për të! Mjerë për të!” Tirmidhiu, Ebu Daudi, Nesaiu. Andaj, duhet të kemi kujdes që të mos gënjejmë qoftë dhe për shaka. Kjo është e ndaluar në Islam. Bërja shaka dhe humor me të tjerët lejohet, mirëpo vetëm me gjëra të vërteta.

– Trillimi i ëndrrave. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që trillon një ëndërr, kur realisht nuk e ka parë atë, në Ditën e Gjykimit do të jetë i detyruar (ngarkuar) të lidhë mes veti dy kokrra elbi.” Buhariu. Kjo lidhje është një gjë e pamundur, dhe në këtë mënyrë do të dënohet. Pse është kaq e rëndë dhe mëkat i madh të gënjesh se ke parë një ëndërr pa e parë atë? Kjo sepse ëndrrat janë një pjesë e Shpalljes. Kështu që, nëse dikush gënjen se ka parë një gjë ëndërr, realisht ka gënjyer dhe trilluar për Allahun (d.m.th. gënjen se Allahu ia ka dërguar atë ëndërr të mirë).

– Gënjeshtrat që bëhen në shitblerje – në kontratat dhe marrëveshjet ndërmjet palëve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shitësi dhe blerësi kanë mundësinë për të zgjedhur që të nënshkruajnë marrëveshjen apo të mos e nënshkruajnë atë, kjo derisa ende nuk janë ndarë (larguar). Nëse janë të sinqertë ndaj njëri-tjetrit dhe qartësojnë çdo gjë, Allahu i begaton në atë marrëveshje. Nëse gënjejnë ndaj njërit-tjetrit dhe fshehin gjërat, Allahu largon bereqetin nga ajo marrëveshje.” Buhariu

– Gënjeshtra për Allahun, kur thua për një gjë të lejuar se është e ndaluar dhe anasjelltas dhe kur flet për Allahun pa argumente. Allahu thotë: “…mos thoni me gjuhët tuaja të rreme: “Kjo është e lejueshme e kjo e ndaluar”, që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë.” Nahl 116. Te kjo pikë hynë edhe guximi për të dhënë përgjigje (fetua) pa dije për çështjet e fesë. Allahu thotë: “Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.” Araf 33. Dijetarët thonë se në këtë ajet, sa i përket rrezikut të këtyre mëkateve të mëdha, Allahu ka filluar të përmendë më të voglat duke vazhduar deri te më e rrezikshmja, që është të flasësh për Allahun pa dije.

– Gënjeshtra për Pejgamberin salAllahu alejhi ue selem. Transmetohet se ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos shpikni (gënjeni) për mua, ngase kush gënjen për mua, do të hyjë në Zjarr.” Buhariu dhe Muslimi. Dhe: “Gënjeshtra ndaj meje nuk është njësoj si gënjeshtra ndaj një njeriu tjetër. Kush trillon për mua një gënjeshtër (duke thënë atë që nuk e kam thënë unë), le të përgatisë një ulëse të tij në Zjarr!” Dhe: “Kush tregon për mua një hadith të pa thënë nga unë dhe e di se është gënjeshtër, është njëri nga dy gënjeshtarët.” Nga kjo na qartësohet se nuk është e lejuar assesi që muslimani t’ia adresojë Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem një fjalë apo një vepër pa i vërtetuar dhe pa e konfirmuar saktësinë e tyre.

– Të flasësh e të përhapësh çdo gjë që dëgjon. Allahu thotë: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni. Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjithë këta do të merren në përgjegjësi.” Isra 36. Pejgamberi salAllahu alejhi ue slem ka thënë: “Mjafton që njeriu të llogaritet se ka gënjyer, nëse flet çdo gjë që dëgjon.” Buhariu dhe Muslimi. Nëse njeriu flet çdo gjë që dëgjon, patjetër se do të dëgjojë edhe gënjeshtra dhe do t’i përhapë ato.

Premtimet e rrejshme ndaj fëmijëve nga prindërit, kur u premtojnë gjëra të cilat nuk i përmbushin, madje as nuk e kanë ndërmend ta bëjnë këtë gjë, por vetëm i mashtrojnë që të dëgjojnë fjalët e tyre. Ka treguar Abdullah ibën Amri se një ditë ka qenë jashtë shtëpie dhe e ka thirrur nëna e tij e ai nuk e ka dëgjuar, pas kësaj ajo i ka thënë: “Eja në shtëpi se do të të jap diçka!” Dhe e ka bërë dorën grusht. Ndërsa Pejgamberi salAllahu alejhi ue slem ka thënë: “A do t’i japësh vërtetë diçka?” Ajo i ka thënë: “Po. Një hurmë.” Dhe i ka thënë: “Sikur mos t’ia jepje atë, kjo do të ishte gënjeshtër tek Allahu.” Shumë prindër këto gjëra i konsiderojnë gënjeshtra të lehta, që nuk çojnë peshë, por realisht kanë pasoja të rënda, sepse te fëmija reflektojnë negativisht dhe pastaj edukohet në këtë mënyrë (të gënjejë për të realizuar qëllimet e veta). Po ashtu, mos përmbushja e premtimit që ia ke bërë fëmijës (p.sh.: nëse mëson një xhuz të Kuranit do të ta blej atë e këtë, nëse mëson do të të bëj një dhuratë), e thyen fëmijën, e keqedukon të bëhet gënjeshtar dhe do të bëjë që ai të humbasë besueshmërinë te prindi (kjo ka pasoja në vete sepse kur pastaj i flet për fe, fëmija nuk i beson).

Dënimi për gënjeshtrën

Dënimi për gënjeshtarët është Xhehenemi, siç thotë Allahu: “Sikur t’i shohësh ata kur të vihen para zjarrit, duke thënë: “Ah! Sikur të ktheheshim pas, nuk do t’i mohonim shpalljet e Zotit tonë dhe do të bëheshim besimtarë! Po, atyre iu doli sheshit ajo që më parë e fshihnin, por edhe sikur të ktheheshin, prapë do të bënin ato që u ishin ndaluar. Vërtet, ata janë gënjeshtarë.” Enam 27-28. Këtu shohim se gënjeshtra është cilësi e jobesimtarëve. Kur Allahu flet për hipokritët në Suren Bekare, thotë: “Ka disa njerëz që thonë: “Besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit!”, por në të vërtetë ata nuk janë besimtarë. Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten, megjithëse nuk e ndiejnë. Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm, për shkak të hipokrizisë së tyre.” Bekare 8-10. Këtu shohim se gënjeshtra është cilësi e hipokritëve.

Gënjeshtra është nga shkaqet e dënimit në varr. Transmetohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se nga gjërat që ka parë (në ëndërr), ka qenë dhe një njeri i shtrirë në shpinën e tij teksa mbi kokën e tij qëndronte tjetri i cili kishte një grep prej hekuri dhe ia shqyente gojën deri te qafa, ia shqyente hundën deri te qafa, ia shqyente syrin deri te qafa, pastaj kalonte në anën tjetër të fytyrës dhe vepronte njëjtë. Në fund të hadithit përmendet se pastaj engjëjt ia kanë shpjeguar se kush ka qenë ky njeri, i kanë thënë: “Ai është njeriu i cili zgjohet në mëngjes, del prej shtëpisë dhe gënjen, pastaj ajo (gënjeshtër) shpërndahet.”

Kjo ishte njëra ndër të metat apo sëmundjet e gjuhës. Ne duhet të kemi kujdes të mos gënjejmë as me të vërtetë e as për shkak (Hoxha tërheq vërejtjen ndaj gënjeshtrës që bëhet enkas me 1 Prill, datë në të cilën njerëzit gënjejnë për të bërë shaka. Kjo është e ndaluar dhe të shkruhet mëkat).

Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim

Madhësia e tekstit