Gëzimi – Cilësi e Allahut
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu gëzohet për pendimin e robit të Tij më shumë sesa dikush që gëzohet kur gjen kafshën (me të cilën ka udhëtuar në shkretëtirë) me furnizimin që ka pasur me vete, pasi i ka ikur ajo.” Buhariu dhe Muslimi
Në këtë hadith pohohet Gëzimi i Allahut si Cilësi e Tij, madje pohohet se Gëzimi i Tij është më i madh sesa i krijesave, andaj ka ardhur në formë supelative “më shumë”. Në origjinën e kuptimit të kësaj cilësie, gëzimi është i njëjtë, si i Allahut si i krijesave. Për arsye se, fakti që Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka krahasuar mes këtyre dy gëzimeve, tregon se në mes tyre është një sasi e përbashkët.
Gëzimi i Allahut është i vërtetë[1] dhe është Cilësi veprore e Tij. Ehli suneti e pohon këtë Cilësi dhe thonë se domethënia e kësaj Cilësie është e njohur dhe e qartë, mirëpo askush nuk ka mundësi të sjellë një përkufizim që sqaron qartazi se çfarë është gëzimi.
Njerëzit e dinë në mënyrë të përgjithshme se çfarë është gëzimi. Ai është një emocion i njeriut brenda vetes së tij kur i ndodhë diçka e mirë që e pëlqen/do.
Nuk na lejohet të themi se Gëzimi i Allahut si Cilësi e Tij ka këtë e këtë kuptim, sepse kështu do të thotë ta shpjegojmë në bazë realitetit që kemi parë me sytë tanë. Mirëpo, kjo është e pamundur, sepse askush nuk e ka parë Allahun dhe nuk i ka parë as Cilësitë e Tij. Allahu është i Lartësuar dhe i pastër nga shëmbëllimi apo përngjasimi me krijesat e Tij në Cilësitë e Tij.
Andaj, themi se, Gëzimi i Allahut është Cilësi e Tij siç i takon madhërisë së Tij. Gëzimi është Cilësi e përsosur e cila i takon Madhërisë së Tij. Forma se si është kjo Cilësi, për ne është e panjohur. Besimi në të është obligim. Kur pohohet kjo Cilësi dhe të tjerat si ajo, pohohet vetëm kuptimi i tyre i përgjithshëm, ndërsa mënyrën dhe formën se si janë ne nuk e dimë.
Sipas rregullave të ehli sunetit, kjo Cilësi duhet të pohohet pa përngjasim, pa shëmbëllim, pa mohim dhe pa refuzim.
***
“…më shumë sesa dikush që gëzohet kur gjen kafshën (me të cilën ka udhëtuar në shkretëtirë) me furnizimin që ka pasur me vete, pasi i ka ikur ajo.”– askush nuk mund të paramendojë këtë ndjesi gëzimi përveç atij që e ka provuar, porse deri diku mund ta përafrojmë se sa shumë është gëzuar. Dhe ky njeri, në këtë gjendje, nga gëzimi i madh, duke dashur ta falënderojë Allahun ka gabuar duke thënë: “O Allah, Ti je robi im e Unë jam Zoti yt!” Pejgamberi salAllahu alejhi ue se ka thënë: “Gaboi nga gëzimi i madh!” Dhe kur njeriu kthehet me pendim të sinqertë tek Allahu, Ai gëzohet më shumë sesa ky njeri që u përmend në hadith, i cili është gëzuar kur ka gjetur kafshën e tij pasi i ka humbur së bashku me ushqimin e tij dhe pijen e tij, duke qenë në shkretëtirë.
Allahu nuk ka nevojë për pendimin tonë, përkundrazi, ne jemi ata të cilët jemi nevojtar për Allahun, në çdo aspekt dhe gjendje të jetës sonë. Mirëpo, Allahu prej bujarisë së madhe dhe dashurisë së madhe ndaj bamirësisë, gëzohet me gëzim të pashoq kur robi i Tij kthehet me pendim tek Ai.
Allahu shfaq bujarinë dhe fisnikërinë e Tij në forma të ndryshme e të shumëllojshme te robërit e Tij, në të gjitha aspektet. Ai dëshiron që ata të ndjekin çdo rrugë e cila dërgon te Mëshira e Tij. Ai i urren të gjitha rrugët që dërgojnë te zemërimi i Tij. Allahu ka caktuar shkaqe të arritjes së mëshirës dhe bujarisë së Tij. Ai ua ka sqaruar ato robërve të Tij dhe i ka inkurajuar t’i veprojnë ato. Madje, Ai iu ndihmon në veprimin e tyre. Dhe nga ana tjetër, i ka ndaluar të veprojnë gjëra që pengojnë mëshirën dhe bujarinë e Tij.
Prandaj, kur njeriu bën mëkate dhe shkelje, i ekspozohet dënimeve e ndëshkimeve të Allahut, të cilat Ai nuk dëshiron t’i ndodhin. Dhe kur kthehet me pendim të sinqertë tek Allahu, Ai gëzohet shumë. Nuk ka gëzim në këtë jetë i cili i përngjason këtij Gëzimi, apo që krahasohet me të. Këtu shohim se sa i madhërishëm dhe i Lartësuar është Allahu, Fisniku, Bujari.
Allahu gëzohet për shkak të Mëshirës dhe bujarisë së plotë e të përsosur të Tij. Për këtë, Ai dëshiron që robi i Tij të pendohet. Qëllimi i gëzimit të Tij është plotësimi i kësaj Mëshire dhe bamirësie ndaj robërve të Tij të cilët pendohen tek Ai.
Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kur njeriu arrin të fitojë apo të përmbushë atë që dëshiron dhe e do, i rezultat i kësaj, i lind një gjendje, e cila është e njohur të quhet gëzim apo lumturi. Nga kjo kuptojmë se gëzimi është cilësi që tregon për përsosmëri. Për këtë, Allahu cilësohet me Gëzimin më të lartë e më të plotë, siç pamë në hadith se Allahu i gëzohet shumë pendimit të robit të Tij… Të gëzohesh për një gjë është nivel më i lartë sesa të jesh i kënaqur me atë gjë, për arsye sepse kënaqësia është një qetësi e rehati në gjoksin e njeriut, ndërsa gëzimi është lumturi që ndjehet. Andaj, çdokush që gëzohet për diçka, realisht është i kënaqur me të, mirëpo çdokush që është i kënaqur me një gjë, nuk do të thotë që njëkohësisht të ketë gëzim për të.”
Dobi:
–Allahu do shumë që njeriu të lërë mëkatet e të kthehet me pendim tek Ai, dhe kur kthehet, Ai gëzohet shumë.
-Ne duhet t’i kushtojmë rëndësi të madhe pendimit prej mëkateve. Sa herë që veprojmë mëkate apo shkelje, menjëherë duhet të shpejtojmë të pendohemi.
-Kur ti e di se Allahu gëzohet shumë për pendimin tënd dhe kthimin tek Ai, me një gëzim të pashoq, që nuk mund të përfytyrohet kurrë, atëherë kjo do të të nxisë dhe motivojë që të pendohesh për mëkatet e të kërkosh falje – do të jesh i përkushtuar ndaj kësaj.
-Kur pohojmë Gëzimin e Allahut si Cilësi e Tij, duhet të dimë se ai është Gëzim i bamirësisë, mëshirës dhe butësisë ndaj krijesave. E jo që Allahu është nevojtar për pendimin e robërve të Tij. Allahu nuk i bën dobi adhurimi që bëjnë njerëzit, gjithashtu nuk i bëjnë dëm mëkatet që bëjnë ata.
-Allahu është Ai i Cili të ka dhënë sukses drejt pendimit dhe të ka inspiruar të pendohesh. Vetë pendimi yt është një mirësi dhe dhunti prej Allahut. Allahu t’i ka lehtësuar shkaqet e pendimit dhe të ka udhëzuar drejt tyre. E megjithëkëtë, kur pendohesh, Allahu gëzohet me gëzim të madh.
[1] Ata që e keqinterpretuan këtë Cilësi thanë se me të është për qëllim Kënaqësia e Allahut – shpërblimi që ua jep atyre që pendohen, apo dëshira për t’i shpërblyer.
—Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim

