Plotësimi i nevojave të njerëzve
Kushdo që e do Allahun, do të japë çdo gjë prej vetes së tij që të arrijë Mëshirën e Tij dhe të hyjë në Xhenet. Nga gjërat të cilat më së shumti i sjellin dobi besimtarit në këtë jetë dhe pas vdekjes dhe të cilat ia largojnë të këqijat në të dy botët, është bamirësia e dashamirësia ndaj të tjerëve dhe plotësimi i nevojave të tyre (qoftë ndihmë e paktë apo e madhe). Kjo gjë vjen si rezultat i një zemre të pastër dhe të mëshirshme ndaj të tjerëve. Allahu thotë: “Vërtet, mëshira e Allahut është afër bamirësve.” Araf 56.
Plotësimi i nevojave të të tjerëve, është moral i Pejgamberëve dhe i të Dërguarve të Allahut dhe është rruga të cilën e kanë ndjekur besimtarët e mirë e të devotshëm. Ata kanë qenë njerëz të cilët më së shumti u kanë sjellë dobi të tjerëve, siç tregohet për Musain alejhi ue selem: “Teksa drejtohej nga Medjeni, ai tha: “Shpresoj se Zoti im do të më tregojë rrugën e drejtë!” Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre, ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta. Ai tha: “Si e keni hallin ju?” Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak”. Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre e pastaj u kthye te një hije dhe tha: “Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!” Kasas 22-24. Musain nuk e pengoi lodhja e madhe e udhëtimit që kishte bërë (me mijëra kilometra), uria dhe frika që kishte nga populli i Faraonit, që të jetë bamirës ndaj të tjerëve.
Po ashtu, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka qenë njeriu i cili më së shumti u ka sjell dobi të tjerëve dhe është përpjekur të plotësojë nevojat e muslimanëve. Madje, kjo gjë ka qenë virtyt i tij edhe para se t’i zbriste Shpallja, siç ka konfirmuar për të gruaja e tij Hadixhja: “Ti mban lidhjet farefisnore, thua gjithmonë të vërtetën, shpenzon për të dobëtit, u jep atyre që nuk kanë, nderon musafirin dhe ndihmon njerëzit me atë që ballafaqohen gjatë jetës së tyre.” Këto kanë qenë disa nga virtytet fisnike të Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem.
Bamirësia ndaj njerëzve, së pari është raport me Allahun. Kur jemi të mirë me të tjerët, ne me këtë presim që Allahu të na shpërblejë. Bamirësia nuk kufizohet me ndonjë nivel, apo klasë, apo kombësi, apo pozitë të njerëzve. Mirëpo, ndaj çdokujt duhet të jemi bamirës.
Pgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush është aty për t’ia plotësuar vëllait të tij nevojën që ka, Allahu do të jetë me të kur ai të ketë nevojë. Kush ia lehtëson vëllait të tij një brengë, Allahu do t’ia lehtësojë atij një brengë nga brengat e Ditës së Gjykimit. Kush ia mbulon muslimanit të metat dhe mëkatet, Allahu do t’ia mbulojë atij në Ditën e Gjykimit.” Kushdo që vepron punë të mira dhe mundohet që t’iu arrijnë edhe të tjerëve (të kenë dobi edhe ata), le të dijë se kurrë nuk do t’i humbasë mirësia e tyre – do të shohë rezultatet e atyre punëve të mira edhe në jetën e kësaj bote, para botës tjetër. Kushdo që përpiqet të plotësojë nevojat e muslimanëve, ka premtim prej Allahut se Ai do ta ndihmojë dhe do t’i japë sukses. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu është në ndihmë të robit të Tij përderisa ai është në ndihmë të vëllait të tij.” Kur ti e ndihmon vëllain tënd musliman, Allahu do të ndihmojë ty. Nëse ia ke lehtësuar vëllait tënd një brengë apo vështirësi, Allahu do të largojë nga ti një brengë edhe në jetën e kësaj bote.
Ka shumë njerëz të cilët janë gjendur nëpër situata të vështira e u është ngushtuar dunjaja, mirëpo u ka ardhur lehtësimi prej Allahut. Gjithashtu ka shumë njerëz të cilët kanë qenë afër vdekjes, mirëpo Allahu i ka shpëtuar për shkak të ndonjë vepre të mirë që kanë bërë më parë apo pune të dobishme në raport me të tjerët. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë në një hadith: “Bamirësia ndaj të tjerëve, mbron njeriun nga rënia në shkatërrim e devijim. Ata që janë bamirës në këtë jetë, do të jenë të njëjtit në botën tjetër (të dalluar në shpërblime).”
Plotësimi i nevojave të njerëzve ka vlerë dhe shpërblim të madh tek Allahu, madje kjo është nga veprat më të dashura tek Ai. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Njeriu më i dashur tek Allahu është ai i cili është më i dobishmi për njerëzit. Vepra më e dashur tek Allahu është të futësh gëzim në zemrën e muslimanit, apo t’ia largosh një brengë, apo t’ia shlyesh një borxh, apo të largosh urinë nga ai (ta ushqesh)… Kush ec me vëllain e tij derisa t’ia plotësojë një nevojë, Allahu do t’ia forcojë këmbët në Ditën e Gjykimit kur këmbët rrëshqasin.”
Dhe në një hadith tjetër, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka përmendur disa vepra të cilat llogariten lëmoshë tek Allahu, si: “Të pajtosh dy muslimanë është lëmoshë. Të ndihmosh dikë të hipë në devenë e tij është lëmoshë, apo të ndihmosh të vendosë barrën përmbi devenë e tij. Të flasësh fjalë të mira është lëmoshë. Për çdo hap që hedh për të shkuar për namaz në xhami është lëmoshë. Të largosh një pengesë prej rrugës së njerëzve është lëmoshë.”
Në një hadith ka thënë: “Kur të takosh vëllain tënd, të kesh fytyrë të buzëqeshur. Kur të takosh vëllain tënd, t’i japësh selam. Të largosh gjendjen e rëndë shpirtërore nga ai që ndjen vetmi.” Kjo ka dy kuptime: Nëse gjen dikë të vetmuar në rrugë dhe e ndihmon të shkojë aty ku ka banorë, apo kur dikush ka vetmi nga ana shpirtërore dhe e ngushëllon e i flet fjalë të mira derisa t’i largohet ajo gjendje. E gjithë kjo është vepër e mirë tek Allahu.
Mënyrat, llojet dhe fushat ku njeriu mund të jetë bamirës ndaj të tjerëve janë të llojllojshme dhe të ndryshme. Më madhështorja, është të jesh bamirës ndaj muslimanëve, si:
-t’i ushqesh të uriturit,
-t’iu dhurosh rroba atyre që nuk kanë,
-t’iu gjendesh në vështirësitë e tyre e t’ua lehtësosh,
-të vizitosh të sëmurin,
-të mësosh për fe të padijshmin,
-të shtysh afatin e borxhit, apo të falësh borxhin nëse borxhliu nuk mund ta kthejë atë,
-të ndihmosh atë që nuk është i aftë,
-të marrësh në përkujdesje një jetim,
-të largosh brengën, shqetësimin e pikëllimin e dikujt,
-të ndërmjetësosh për çështje të mira,
-t’ia lehtësosh procedurat dikujt (deri aty ku nuk bie ndesh me ligjin),
-të ndihmosh atë të cilit i është prishur automjeti në rrugë,
-të japësh përparësi në komunikacion,
-t’iu japësh përparësi atyre që presin në rend (të moshuarit, të dobëtit),
-t’ia tregosh tjetrit rrugën (ta orientosh),
-të ndihmosh të kthehet te familja dikë që ka humbur,
-të kthesh te pronari portofolin e humbur,
-të flasësh fjalë të mira.
Allahu ka thënë: “…bëni të mira; Allahu me të vërtetë i do bamirësit.” Bekare 195.
Nga argumentet që tregojnë për vlerën e madhe të bamirësisë ndaj të tjerëve, është hadithi në të cilin Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kam parë në Xhenet një burrë i cili shëtiste në të mirat e tij për shkak se ka larguar (ka prerë) një pemë prej rrugës së muslimanëve (e cila i ka dëmtuar).”
Mirëpo, nëse njeriu nuk ka mundësi t’i veprojë këto që u përmendën, atëherë çfarë mund të bëjë? Kjo pyetje i është parashtruar Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem në një hadith dhe është përgjigjur: “Mos iu bëj keq njerëzve, dhe kjo është lëmoshë për ty!” Vërtetë, ne myslimanët e kohës së tanishme, kemi shumë nevojë për këtë lloj të lëmoshës – të mos i dëmtojmë apo lëndojmë të tjerët.
Argumentet që tregojnë se lëndimi i muslimanit është i ndaluar janë të shumta (çfarëdo lëndimi që është: fizik, shpirtëror, me fjalë, me shenja, madje as për humor). Format e lëndimit të tjerëve janë të shumta, si:
-lëndimi fenë e tij (e fyen, e ofendon, e nënvlerëson, i hedh dyshime, e pengon nga adhurimet, e detyron të bëjë mëkate),
-lëndimi duke e vrarë apo goditur,
-lëndimi duke e akuzuar padrejtësisht në nderin e tij,
-lëndimi në pasurinë e tij duke ia marrë, apo duke ia vjedhur, apo e mashtron në shitblerje, apo ia mohon të drejtën apo ia zvarrit atë,
-lëndimi ndërmjet familjarëve dhe të afërmve,
-lëndimi që ia bën i forti të dobëtit (për shkak të pozitës dhe pushtetit që ka),
-lëndimi duke e nënçmuar, përqeshur apo tallur (qoftë dhe përmes humorit),
-lëndimi në atësinë e tij,
-lëndimi duke e turpëruar për gabimet e së kaluar,
-lëndimi duke e përgojuar, duke shpifur për të dhe të tjera.
Muslimani duhet të përpiqet shumë të jetë bamirës ndaj të tjerëve dhe të fusë gëzim e hare në zemrat e tyre. Nëse nuk mund të jetë i tillë, atëherë të mos i lëndojë e dëmtojë e as të sillet keq.
Nëse nuk u bën dobi të tjerëve, atëherë së paku mos i dëmto. Nëse nuk i gëzon, atëherë së paku mos i pikëllo dhe shqetëso.
Le të takojmë Allahun duke mos pasur mbi supe tona të drejtat e të tjerëve (ngaqë u kemi bërë padrejtësi), e që pastaj të kërkojnë shpagim në Ditën e Gjykimit, duke marrë shpërblimet tona, ngase ajo është Dita kur më së shumti do të kemi nevojë për shpërblime (sevape), qoftë dhe për një shpërblim të vetëm (që të shpëtojmë).
Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim


