∞ Fjala “teube”
Në kuptimin fetar do të thotë: Kthim prej mëkatit drejt bindjes ndaj Allahut. Pendimi më obligativ dhe më i rëndësishëm është pendimi prej mosbesimit në besim. Allahu thotë: “Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara…” Enfal 38. Pastaj vjen pendimi prej mëkateve të mëdha e pastaj prej mëkateve të vogla. Është obligim pendimi prej të gjitha mëkateve, qofshin të mëdha apo të vogla.
∞ Kushtet e pendimit
- Sinqeriteti – pendimi për hir të Allahut (jo për hir të njerëzve, apo që ata të të afrojnë, lavdërojnë etj.).
- Keqardhja dhe thyerja shpirtërore për mëkatin e bërë.
- Heqja dorë nga mëkati.
Raste pendimi:
◊ Nëse një person nuk e ka dhënë zekatin ndër vite dhe është penduar, atëherë duhet të japë zekatin e këtyre viteve, që pendimi i tij të jetë i pranuar.
◊ Nëse një person nuk ka pasur sjellje të mirë me prindërit e tij dhe është penduar, atëherë e ka obligim të fillojë të sillet mirë ndaj tyre, që pendimi i tij të jetë i pranuar.
◊ Nëse një person ka qenë i shkujdesur në mbajtjen e lidhjeve farefisnore dhe është penduar, atëherë e ka obligim të fillojë të përmirësojë këto lidhje, që pendimi i tij të jetë i pranuar.
◊ Nëse një person vepron një mëkat dhe do që të pendohet, atëherë menjëherë duhet të heqë dorë prej këtij mëkati (të mos vazhdojë ta veprojë), që pendimi i tij të jetë i pranuar.
◊ Nëse një person ka vjedhur dikë në të kaluarën dhe është penduar, atëherë duhet patjetër t’ia kthejë pasurinë e vjedhur, që pendimi i tij të jetë i pranuar.
◊ Nëse një person ka pasur borxh ndaj dikujt, mirëpo e ka mohuar këtë dhe tani është penduar, atëherë duhet të pranojë para tij këtë borxh dhe t’ia kthejë atë (ose së paku të kërkojë hallall prej tij), që pendimi i tij të jetë i pranuar. Mirëpo, nëse borxhdhënësi tashmë ka vdekur, atëherë duhet t’ua kthejë pasardhësve të tij. Nëse nuk arrin t’i gjejë (qoftë vetë personin të cilit i ka pasur borxh dhe është i gjallë, apo pasardhësit e tij në rast se ai ka vdekur), atëherë duhet të japë lëmoshë në emër të tij që të pastrohet prej asaj pasurie.
◊ Nëse një person ka fyer një tjetër dhe është penduar, atëherë duhet të shkojë tek ai t’i kërkojë falje. Nëse ai i thotë: “Nuk ta fali përveç nëse m’i jep 20 euro!”, apo sado që kërkon, duhet t’ia japë në mënyrë që të pastrohet nga ajo fyerje.
- Vendosja për mos kthim në atë mëkat në të ardhmen. Nëse ke nijet që t’i kthehesh mëkatit kur të të jepet mundësia, atëherë ky pendim nuk është i pranuar.
- Të bëhet në kohën kur pranohet pendimi: Para se të vijë agonia e vdekjes dhe para se të perëndojë dielli nga perëndimi.
Tema e pendimit – Rijadus salihin
Hoxhë Lulzim Perçuku
Transkriptim



