Kur kaloja nëpër ajetet e fundit të sures Merjem, më kapte frikë dhe habitesha nga fuqia e kuptimit që bartin ato fjalë:
“Dhe ata thanë: ‘I Gjithëmëshirshmi ka një fëmijë.’” (Merjem, 88)
Ata e thanë një fjali të vetme, megjithatë, shikoje ndikimin e saj në këtë gjithësi:
“Ju vërtet keni thënë diçka të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj, toka gati sa nuk çahet, e malet gati sa nuk rrëzohen (të thërrmuara), ngaqë i atribuojnë të Gjithëmëshirshmit fëmijë.” (Merjem, 89-91)
A është e logjikshme që fjala e tyre të ketë gjithë këtë ndikim në qiej e në tokë? Të copëtohen qiejt? Të çahet toka? Të shemben malet? Duhet të ketë patjetër një arsye që e bën këtë fjalë – që e thane – të përmbajë gjithë atë të keqe.
Nuk e dija shkakun në hollësi, prandaj vendosa ta kërkoj: hulumtova në Librin e Allahut vendet ku përmendet atribuimi i fëmijës Atij, që të shoh si e sqaroi Allahu pavërtetësinë e kësaj thënieje, si iu përgjigj, dhe cilat cilësi i theksoi në rrëzimin e saj.
Dola nga ky kërkim me një sqarim të mjaftueshëm për atë që kërkoja dhe shpresoja ta dija lidhur me këtë temë, madje dhe më shumë; kështu është Kurani: sqarim për çdo gjë dhe shërim për zemrat. Kurdo që e kërkon në të udhëzimin lidhur me diçka, patjetër që do ta gjesh të plotë e të mjaftueshëm. Falënderimi i takon Allahut për begatinë e Librit të Tij.
Pas kërkimit, gjeta se rrënjët e së keqes në këtë thënie të shëmtuar kthehen te dy baza kryesore:
Baza e parë: është të flasësh për Allahun pa dije, dhe të gënjesh e të shpifësh ndaj Tij.
Ky kuptim është i qartë, por është shumë i rëndësishëm për ta kuptuar rrezikun e kësaj thënie. Të flasësh për Allahun pa dije është ndër mëkatet më të mëdha dhe ndalesat më të rënda. Edhe të gënjyerit ndaj Allahut nuk është si të gënjyerit ndaj dikujt tjetër, ngaqë është portë drejt shirkut dhe ndryshimit të fesë, përveç se është edhe t’i atribuosh Atij atë që Ai nuk e do.
Ajo çfarë e sqaron shëmtinë e kësaj është se Allahu e ka përmendur se askush nuk është më zullumqar se ai që shpif gënjeshtër ndaj Tij: “Kush është më i padrejtë se ai që shpif gënjeshtër ndaj Allahut?” (El-En’am, 21)
Prandaj, Allahu e përmendi këtë mëkat shumë herë në përgjigjen ndaj atyre që i atribuojnë Atij fëmijë, duke e përsëritur gënjeshtrën e tyre dhe mungesën e provës në atë pretendim të tyre:
“Ata thonë: “Allahu ka fëmijë”. Qoftë i lartësuar Ai! Ai është i Vetëmjaftueshëm, s’ka nevojë për asgjë. Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ju nuk keni asnjë provë për atë që thoni. Pse thoni për Allahun atë që nuk e dini?! Thuaj: “Sigurisht, atyre që shpifin gënjeshtra për Allahun, nuk do të shpëtojnë.” (Junus, 68-69)
Po ashtu në ajetet:
“Dhe t’i paralajmërojë ata që thonë: ‘Allahu ka fëmijë.’ Ata s’kanë kurrfarë dijenie për këtë, e as etërit e tyre. Fjalë e rëndë është ajo që del nga gojët e tyre; ata s’thonë veçse gënjeshtër.” (El-Kehf, 4-5)
“Sigurisht që ata shpifin kur thonë: “Allahu ka lindur fëmijë”! – Ata, në të vërtetë, janë gënjeshtarë. Vallë, Ai ka parapëlqyer vajzat ndaj djemve?! Çfarë keni që gjykoni kështu?! A nuk po mendoni?! Apo keni ndonjë provë të qartë për atë që thoni?! Sillni librin tuaj, nëse thoni të vërtetën!” (Es-Saffat, 151-157)
Ajetet për këtë kuptim janë të shumta. Ajo që u përmend mjafton për të treguar se të flasësh për Allahun pa dije është një shkak që e bën mëkatin e atribuimit të fëmijës ndaj Tij të jetë ndër mëkatet më të mëdha. Nga kjo përfitohet se duhet të kemi kujdes të madh kur flasim për Qenien e Allahut dhe Cilësitë e Tij; pra të mos flasim për to pa dije, sepse kjo është një portë ku nuk guxojmë të hyjmë veçse me argumente të qarta nga Kurani ose nga Suneti i saktë.
Baza e dytë: është një mangësi që nuk i takon përsosmërisë së Allahut të Madhërishëm:
Ka dy ajete që e tregojnë qartë këtë kuptim, e ato janë:
“Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë fëmijë.” (Merjem, 92)
“Nuk i takon Allahut të ketë ndonjë fëmijë. I Pastër e i Lartësuar (nga një gjë e tillë) është Ai.” (Merjem, 35)
Nga këto dy ajete kuptohet qartë se Allahut nuk i shkon për shtati të ketë fëmijë, madje as nuk përfytyrohet diçka e tillë për Të. Mjafton të shohësh se Allahu, sa herë përmendet kjo shpifje në Kuran, e shoqëron me fjalët e lartësimit dhe pastrimit: “subhanehu” (i pastër), “subhanehu ue te’ala”, (i pastër e i lartësuar), që të kuptosh se kjo është një mangësi e madhe dhe një e metë prej së cilës Ai është i pastër, dhe e cila assesi nuk i shkon per shtati Atij.
Pra, ky është lajmi i Allahut për Vetveten, dhe Ai është më i dijshmi për Vetveten. Andaj, do të na mjaftonte që Allahu tregoi se kjo fjalë është e shëmtuar, e që nuk i shkon për shtati, ashtu që kjo çështje të zinte vend te shpirtrat e mendjet tona, në mënyrë që ta trajtonim si të shëmtuar atë që Allahu e trajtoi si të tillë. Por, megjithëkëtë, Allahu e sqaroi në Librin e Tij edhe aspektin se pse një fjalë e tillë është e metë, dhe iu përgjigj asaj shpifjeje të shëmtuar në mënyrë të detajuar e madhështore; sqarim që i hap njeriut që reflekton dyer të mëdha dijeje për Zotin e tij.
Më poshtë do të përmendi disa pika nga kjo:
Pse atribuimi i fëmijës ndaj Allahut është “mangësi”? dhe në çfarë kuptimi nuk i takon Atij?
Përgjigjja: sepse është cenim në thelbin e Emrave dhe Cilësive të Tij, në thelbin e Uluhijes së Tij, dhe në thelbin e Rububijes (zotërimit) së Tij.
Jam çuditur – pasha Allahun – gjatë kërkimit, nga sasia e të metave dhe mangësive që rrjedhin nga kjo thënie. Dhe e kuptova pse Allahu e quajti “sharje” në hadithin kudsij të saktë:
“Biri i Ademit më shan, e nuk i takon të më shajë; dhe më përgënjeshtron, e nuk i takon të më përgënjeshtrojë. Sa i përket sharjes së tij ndaj Meje, është fjala e tij se: ‘Unë kam fëmijë’…” (Buhariu)
Le t’i shohim së bashku disa prej dyerve të cenimit dhe mangësisë që përfshihen nënkuptimisht në këtë thënie:
1) Në atribuimin e fëmijës ndaj Allahut ka cenim në uluhije.
Dihet se fëmija është pjesë e babait të tij dhe i ngjan atij, dhe ka disa nga cilësitë e tij. Po të kishte Allahu i Lartësuar fëmijë, atëherë, ai fëmijë do të kishte diçka nga veçoritë e uluhijes, dhe do ta meritonte adhurimin. Prandaj në ajet lexojmë:
“Thuaj: Nëse i Gjithëmëshirshmi do të kishte fëmijë, unë do të isha i pari që do ta adhuroja atë.” (Zuhruf, 81)
Kuptimi: nëse do të kishte fëmijë, ai do ta meritonte adhurimin; dhe unë do të isha i pari që do ta adhuronte; kjo sipas njërit prej shpjegimeve të dijetarëve të tefsirit.
Kështu, atribuimi i fëmijës Allahut u bë një derë shumë e gjerë për shirkun. Dhe mjafton kjo si shëmti. Së këtejmi, të krishterët nuk e filluan adhurimin e Isait (alejhis-selam) veçse pasi e quajtën atë “bir i Allahut”. Po ashtu vepruan edhe mushrikët kur i quajtën engjëjt “bijat e Allahut”. Kjo është një prej shkaqeve më të mëdha të shëmtisë së atribuimit të fëmijës ndaj Allahut.
Allahu sqaroi lidhjen mes këtyre dy kuptimeve “pastërtisë së Tij nga fëmija” dhe “veçimit të Tij me adhurim” duke thënë:
“Allahu është vetëm Një i adhuruar. I Lartësuar e i pastër është Ai që të ketë fëmijë!” (En-Nisa, 171)
Kush beson se Allahu ka fëmijë, zotat e tij do të jenë të shumtë dhe ortakë mes vete. Kështu, ai herë kërkon strehim tek njëri, herë i lutet tjetrit – ashtu siç veprojnë sot të krishterët.
2) Në atribuimin e fëmijës ndaj Allahut ka cenim në rububije (zotërimin e Tij).
Nga cilësitë më të veçanta të Zotit është se Ai është i vetëm në krijim, i vetëm në sundim, dhe i vetëm në rregullim (të çështjeve). Ashtu siç u përmend, fëmija i ngjan babait të tij dhe ka disa nga cilësitë e mundësitë e tij. Prandaj, po të kishte Allahu fëmijë, ai fëmijë do të merrte pjesë me Të në rregullimin e disa çështjeve, do të merrte pjesë me Të në krijimin e disa krijesave, dhe do të merrte pjesë me Të në sundim dhe kontroll mbi pushtetin e Tij.
Prandaj shiko ajetet vijuese që përmendin pretendimin e tyre, dhe shiko si Allahu u përgjigjet duke e theksuar se Ai është Zoti i vetëm dhe çdo gjë tjetër pos Tij është e krijuar; askush nuk i bën shoqëri Atij në krijim, sundim dhe rregullim:
“Thuaj: Nëse i Gjithëmëshirshmi do të kishte fëmijë, unë do të isha i pari që do ta adhuroja atë. I Lartësuar është Zoti i qiejve dhe i tokës, Zoti i Arshit, nga ajo që ata i përshkruajnë.” (Zuhruf, 81-82)
Përmendja e “Arshit” (Fronit) këtu është një paralajmërim i fortë për njerëzit me mendje.
“Ata thonë: ‘Allahu ka fëmijë.’ I Lartësuar e i pastër është Ai (nga kjo)! Përkundrazi, Atij i përket ç’ka në qiej dhe në tokë; të gjithë i nësntrohen Atij.” (El-Bekare, 116)
“Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një fëmijë. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit.” (Merjem, 92-93)
“(Allahu është) Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka fëmijë e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!” (El-Furkan, 2)
Kjo është një nga format më të shpeshta në Kuran në përgjigjen ndaj kësaj thënieje; dhe aty e hasim përgjigjjen më të plotë: sepse ata e pranonin se Krijuesi, Furnizuesi dhe Rregulluesi është vetëm Allahu; pastaj, pas këtij pranimi, guxuan të thonë se Ai ka fëmijë – dhe këto dy gjëra nuk përputhen. Prandaj Allahu ua përmend shpesh se Ai është i vetëm në të gjitha këto, si kujtesë për atë që natyrshmëritë e tyre e pranojnë para mendjeve të tyre. Kjo, në mënyrë që të ndalen e të kujtojnë.
Nga gjërat e çuditshme që vura re në këtë temë është se: emri i Allahut “El-Bedi’u (الْبَدِيع)” nuk ka ardhur në Kuran veçse dy herë, dhe të dyja herët erdhi në kontekstin e kundërpërgjigjes ndaj atij që pretendon fëmijë për Allahun. Kjo përputhje e çuditshme të shtyn drejt meditimit; dhe ndoshta një prej urtësive – dhe Allahu e di më së miri – është se: El-Bedi’u është Ai që krijoi gjërat pa shembull të mëparshëm; dhe kjo cilësi e kërkon patjetër veçimin (të qenit i vetëm). Prandaj nuk përfytyrohet që Ai që krijoi qiejt, tokën dhe të gjitha krijesat, si dhe i formoi ato pa shembull të mëparshëm, të ketë ortak ndonjë të adhuruar (zot) tjetër që të marrë pjesë me Të në këtë; përndryshe nuk do të ishte “El-Bedi’”.
Dhe “el-bedi’” në gjuhën arabe – siç e shpjegon Ez-Zexhxhaxh – është:
“Ai që sjellë një gjë në mënyrë të re, si i vetëm, pa marrë pjesë me të askush tjetër.”
3) Në atribuimin e fëmijës Allahut ka cenim në Emrat dhe Cilësitë e Tij.
Allahu ka emra që kanë arritur kulmin në bukuri, dhe ka Cilësi që kanë arritur kulmin në përsosmëri. Emrat dhe cilësitë e Tij janë porta e njohjes së Tij, e cila të çon te më e bukura gjë në ekzistencë: dashuria ndaj Tij. Ne nuk e adhurojmë Allahun vetëm ngaqë arsyeja e kërkon këtë dhe tregon në mënyrë bindëse për ekzistencën e Tij; por e adhurojmë sepse Ai ka Emra me kuptime të vërteta, dhe ka Cilësi të bukura, madhështore dhe të përsosura.
Ne e adhurojmë Atë ngaqë është Mëshirues, i Butë, i Bukur, i Madhërishëm, i Gjithëfuqishëm, i Urtë. Sa herë na shtohet njohja për këto cilësi, ato na hapin ngjyra të shumta nënshtrimi ndaj Tij: madhështia e Tij na sjell përulje, bukuria na sjell dashuri, bujaria na sjell shpresë, e kështu me radhë.
Prandaj njohja e Allahut është dija më fisnike, më e dobishme dhe më e rëndësishme për njeriun.
E them këtë që ta kuptojmë se çdo cenim në Cilësitë e Allahut është cenim në gjënë më fisnike në mënyrë absolute; është cenim në gjënë më të bukur në mënyrë absolute; është mohim i realiteteve më të vërteta. Kushdo që synon qëllimisht ta pakësojë përsosmërinë e ndonjë cilësie të Tij – e të mos flasim për atë që e mohon atë – ka bërë një ndër mëkatet më të mëdha në mënyrë absolute.
Përse atribuimi i fëmijës Allahut është cenim në Emrat dhe Cilësitë e Tij?
Fëmija – siç u përmend – është pjesë e veçorive të babait të tij. Po të kishte Allahu fëmijë, ai do të kishte një pjesë nga veçoritë e uluhijes; dhe kjo është porta e cenimit në Emrat dhe Cilësitë e Tij.
Po të kishte Allahu fëmijë, ai fëmijë do të ishte i ngjashëm me Të; dhe Allahu nuk do të ishte më siç përshkruhet në ajet: “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij”. (Esh-Shura, 11)
Po të kishte Allahu fëmijë, ai fëmijë nuk do të ishte i nënshtruar ndaj uluhijes së Tij; dhe Allahu nuk do të ishte Mbizotërues mbi çdo gjë.
Po të kishte Allahu fëmijë, ai fëmijë nuk do të ishte i zotëruar nga Allahu, dhe Allahu nuk do të ishte Zotërues i çdo gjëje.
Po të kishte Allahu fëmijë, ai fëmijë do t’i sillte dobi babasë; dhe Allahu nuk do të ishte i pavarur prej tij dhe prej çdo gjëje.
Po të kishte Allahu fëmijë që do të merrte pjesë me Të në uluhije, Allahu nuk do të ishte Një dhe i vetëm; nuk do të mbetej i vetëm pas shkatërrimit të krijesave; nuk do të ishte i Pari dhe i Fundit; nuk do të ishte i Vetmi “Es-Samed”, të Cilit i drejtohen të gjitha krijesat; nuk do të ishte i vetmi që ka dije mbi çdo gjë; dhe as i vetmi i Plotfuqishëm mbi çdo gjë.
Dhe përveç këtyre janë edhe shumë cilësi të tjera; kështu, ky cenim prek thelbin e veçimit të Allahut me përsosmëri në çdo cilësi të Tij.
Dhe kështu e gjen se atribuimi i fëmijës ndaj Allahut dhe shirku në përgjithësi është rënie në një humnerë të pa fund; dhe është portë për ta pakësuar skajshmërisht madhështinë e Zotit; është cenim në veçimin e Tij në të drejtën e adhurimit, cenim në veçimin e Tij në rububije (zotërim), dhe cenim në veçimin e Tij me Emrat më të bukur dhe Cilësitë më të përsosura.
Prandaj Allahu në një ajet madhështor e lavëdron Vetveten, duke e rrëzuar këtë shpifje dhe duke sqaruar se përsosmëria e Tij përfshin pastërtinë e Tij nga kjo gënjeshtër e madhe:
“Thuaj: “Çdo lavd e falënderim i përket Allahut, i Cili nuk ka fëmijë, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës” dhe madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë e Tij!” (El-Isra, 111)
Prandaj madhëroje Allahun dhe Lartësoje Atë; dhe thuaj “Elhamdulil-lah” për Allahun, i Cili e meriton lavdërimin e plotë pa asnjë të metë. Kujtoje përsosmërinë e Allahut sa herë që të paditurit e cenojnë atë. Mos e humb zjarrin e zemrës dhe xhelozinë për cilësitë e Allahut sa herë që e dëgjon shprehjen: “biri i Allahut”.
Kujto se kjo shprehje, të cilën krijesat u mësuan ta thonë, është e tillë sa qiejt gati sa nuk copëtohen prej saj, toka gati sa nuk çahet, e malet gati sa nuk shemben për shkak të saj; sepse ajo është një e metë e rëndë dhe një cenim i madh në të drejtën e Allahut.
Burimi: Gajthul-Uahj
Përktheu: Hoxhë Petrit Perçuku
01.01.2026 Prishtinë

