Frytet e dashurisë për hir të Allahut
Do të flasim për frytet dhe rezultatet e dashurisë për hir të Allahut, që janë të bukura dhe të mira, të cilat i vjelin ata që duhen për hir të Tij, së pari në jetën e kësaj bote, pastaj dhe në botën tjetër.
∞ Allahu i do ata që duhen për hir të Tij
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në një hadith kudsij ka treguar se Allahu i Madhëruar ka thënë: “Është bërë obligim Dashuria Ime ndaj atyre që duhen për hir Timin, ndaj atyre që ulen (takohen) për hir Timin, ndaj atyre që vizitohen për hir Timin dhe ndaj atyre të cilët shpenzojnë (për njëri-tjetrin) për hir Timin.” Sahih
Në një hadith tregohet ngjarja e personit i cili ka shkuar të vizitojë një vëlla të tij për hir të Allahut në një vend të largët, dhe Allahu ka dërguar një engjëll në formë të njeriut që ta presë në rrugë dhe kur janë takuar, e ka pyetur: “Ku je duke shkuar?” I ka thënë: “Jam duke shkuar te një vëlla i imi në filan vend për ta vizituar.” Engjëlli e ka pyetur: “Për ndonjë nevojë (përfitim)?” –“Jo, jam duke shkuar vetëm për hir të Allahut.” Atëherë engjëlli i ka thënë: “Unë jam i dërguar i Allahut (engjëll) tek ti për të të treguar se Ai të do ty ashtu siç ti e do vëllain tënd.” Muslimi.
∞ Allahu e do më shumë atë i cili e do më shumë vëllain e tij
Në një hadith sahih, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ndodh që dy persona të duan njëri-tjetrin për hir të Allahut, veçse Ai do ta dojë më shumë atë i cili e do vëllain e tij më shumë.”
∞ Allahu do ta nderojë atë që do për hir të Tij
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë në një hadith sahih: “Çdo njeri i cili e do vëllain e tij për hir të Allahut, Ai do ta nderojë atë.” Ky nderim përfshin shumë begati e mirësi, si:
-Shtimi i besimit,
-Arritja e dijes së dobishme,
-Suksesi në bërjen e veprave të mira etj.
∞ Ata që duhen për hir të Allahut do të jenë nën hijen e Arshit në Ditën e Gjykimit
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë në një hadith kudsij se Allahu i Lartësuar do të thotë: “Ku janë ata që janë dashur për hir të madhërisë Sime? Sot do t’i strehoj nën hijen Time, në këtë Ditë kur nuk ka hije tjetër përveç hijes Sime.” Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) duke komentuar këtë hadith ka thënë: “Ata përveç që janë dashur për hir të Allahut, po ashtu në zemrat e tyre kanë pasur madhërim dhe respekt të lartë ndaj Allahut dhe urdhrave të Tij – kanë ruajtur kufijtë e Tij.” Mexhmul fetaua.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka përmendur shtatë kategoritë e njerëzve të cilët do të strehohen nën hijen e Arshit të Allahut në Ditën e Gjykimit, dhe nga ta ka përmendur edhe këtë kategori: “Dy persona që duhen për hir të Allahut, janë bërë bashkë për hir të Tij dhe ndahen për hir të Tij.” Buhariu dhe Muslimi.
∞ Ata që duhen për hir të Allahut do të shijojnë ëmbëlsinë e besimit
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush dëshiron të gjejë ëmbëlsinë e besimit, le ta dojë tjetrin vetëm për hir të Allahut.”
Dhe ka thënë: “Kush ka tri tipare në veten e tij, do të shijojë ëmbëlsinë e besimit:
-Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashurit për të sesa çdo gjë tjetër,
-Kur të dojë dikë, ta dojë vetëm për hir të Allahut,
-Të urrejë të kthehet në mosbesim ashtu siç urren të hidhet (për së gjalli) në zjarr.”
Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Në këtë hadith, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na njofton se kush ka këto tri tipare, patjetër do të shijojë ëmbëlsinë e besimit, ngase shijimi i ëmbëlsisë së një gjëje vjen si rezultat i dashurisë ndaj saj. Andaj, kur dikush e do shumë një gjë dhe pastaj e arrin (realizon) atë, atëherë në këtë moment patjetër se do të shijojë ëmbëlsinë e saj – do të ndjejë kënaqësi e lumturi. Kështu, ëmbëlsia e besimit vjen si rezultat i dashurisë së plotë ndaj Allahut, dhe kjo arrihet përmes këtyre tri gjërave që përmenden në hadith: 1. Duke plotësuar këtë dashuri ndaj Allahut, 2. Duke punuar për degët që vijnë si rezultat i kësaj dashurie, 3. Duke larguar nga vetja gjërat e kundërta të kësaj dashurie.”
∞ Ata që duhen për hir të Allahut, plotësojnë besimin e tyre
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që do dhe urren për hir të Allahut dhe jep dhe nuk jep për hir të Tij, ka plotësuar besimin e tij.”
∞ Ata që duhen për hir të Allahut hyjnë në Xhenet
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të doni njëri-tjetrin.”
∞ Ata që duhen për hir të Allahut do të jenë më së afërmi me Atë në Ditën e Gjykimit
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu ka disa robër të Tij të cilët as nuk janë Pejgamberë e as dëshmorë, mirëpo do të lakmojnë pozitën e tyre (robërve të Tij) dhe qëndrimin e tyre afër Allahut në Ditën e Gjykimit.” Një beduin i cili është ndodhur në fund të mexhlisit, kur ka dëgjuar këto fjalë, i ka kërkuar Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem t’iu tregojë se kush janë ata, dhe ai ka treguar: “Ata janë robër nga robërit e Allahut të cilët jetojnë në vende të ndryshme dhe janë nga popuj e fise të ndryshme, pa pasur afërsi gjaku ndërmjet tyre e as interesa të kësaj bote, mirëpo janë dashur për hir të Allahut. Në Ditën e Gjykimit, Allahu do të bëjë që fytyrat e tyre të shndrisin dhe do të qëndrojnë (ulen) në pozita të larta që janë prej margaritarëve, përballë njerëzve (të cilët do t’i shohin). Ata nuk tmerrohen nga gjërat e frikshme që ndodhin në Ditën e Gjykimit. Njerëzit frikësohen, por ata nuk frikësohen.”
Hoxhë Lulzim Perçuku
🎙Transkriptim



